2006-10-20 17:52:01

“Të krishterët e myslimanët në dialog besimplotë për të përballuar së bashku sfidat e kohës sonë” - mesazh i Vatikanit për përfundimin e Ramazanit: intervistë me kardinalin Pupard.


(20.10.2006 RV)Sot, në sallën e Shtypit të Selisë së Shenjë u mbajt, për herë të parë, një konferencë shtypi për paraqitjen e mesazhit me temë: “Të krishterët e myslimanët në dialog besimplotë për të përballuar së bashku sfidat e botës sonë”, me rastin e përfundimit të Ramazanit, muajit të agjërimit e të pastrimit shpirtëror për besimtarët myslimanë.
Në takimin me gazetarët ishin të pranishëm edhe sekretari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kryeipeshkvi Pier Luigji Çelata, kryetari i Zyrës për marrëdhëniet me Islamin, imzot Khaled Akashed dhe imzot Feliks Entoni Makado, zevendës-sekretar i dikasterit, i cili foli për botimin e vëllimit të ri që përmbledh “Dialogun ndërfetar në Mësimin zyrtar të Kishës katolike nga Koncili II i Vatikanit - tek Gjon Pali II, nga viti 1963 - në vitin 2005”.
Në mesazhin e urimit drejtuar myslimanëve në përfundim të Ramazanit, kardinali Pol Pupard, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar dhe i Këshillit Papnor të kulturës, vë theksin mbi problemet e rënda e të ndërlikuara të epokës sonë, që venë në lojë besueshmërinë e vetë feve. Duke shpjeguar se në rrethanat e sotme, shpesh herë të ngarkuara me kundërshtime, siç u vërejt kohët e fundit, dialogu bëhet më i nevojshëm se kurrë, kardinali u uroi të gjithë besimtarëve myslimanë, kudo në botë, paqe, qetësi e gëzim, ndër zemra, ndër shtëpi e ndër vendet ku jetojnë. Bashkojmë edhe ne zërin me atë të kardinalit Pupard, për t’u uruar festën vëllezërve tanë shqiptarë myslimanë, kudo që jetojnë e punojnë.
Por të kthehemi tek mesazhi i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kryetari i të cilit, kardinali Pupard, në mikrofonin e radios sonë, thekson:
Përgjigje: - Ky mesazh është akt nderimi nga ana e Selisë së Shenjtë, nga ana e Kishës, që përsëritet çdo vit në përfundim të Ramazanit, dmth të muajit të agjërimit. Mesazhi, si zakonisht, frymëzohet nga Deklarata konciliare ‘Nostra Aetate’ dhe ripohon në çastin aktual po atë nderim e atë vullnet për të vijuar dialogun dhe për t’i përballuar së bashku sfidat e botës sonë. Kujtojmë edhe se ky është mesazhi i 40-të i urimit drejtuar myslimanëve në përfundim të Ramazanit.
Pyetje: - Në një letër të hapur drejtuar Benediktit XVI, 38 prijës shpirtëror dhe teologë islamikë i kanë mirëpritur shpjegimet e Papës për leksionin e Regensburgut: mund të themi, pra, se dialogu rifillon….
Përgjigje: - Jo “rifillon’, sepse dialogu nuk ka reshtur kurrë. Mund të themi se zhurma mediatike vë gjithnjë theksin mbi zërat që nuk përkojnë, në vend që të theksojë sintoninë e simfoninë e zërave. Në të vërtetë simfonia nuk mungon e unë marr çdo ditë mesazhe nga vende të ndryshme të botës, që përkojnë në kërkesën për vijimin e dialogut, duke e përqëndruar pikërisht në pikën thelbësore të fjalimit të Papës në Regensburg, dmth, në lidhjen e fesë me arsyen!







All the contents on this site are copyrighted ©.