2006-10-20 17:51:35

Sot pasdite Papa kryesoi salikimet solemne të kardinalit Françesko Pompeda.


(20.10.2006 RV)Kardinali i ndjerë, prefekt i Gjykatës së lartë të Senjaturës Apostolike nga viti 1999 deri në vitin 2004, ndërroi jetë të mërkurën e kaluar në Romë në moshën 77 vjeçare. Në telegramin e ngushëllimit drejtuar imzot Sebastiano Sanguinetit, administrator apostolik i Ozierit, Ati i Shenjtë e kujtoi të ndjerin si jurist të shquar dhe bashkëpunëtor të zellshëm të Selisë së Shenjtë.
Ndërsa sot, në homelinë e mbajtur gjatë salikimeve, si përmblodhi me pak fjalë jetën e kardinalit Pompeda, vënë plotësisht e besnikërisht në shërbim të Kishës që më 1955, kur nisi të punojë në Gjykatën kishtare romake e deri në ditët e hidhura të sëmundjes e të vdekjes, Papa theksoi përgatitjen e tij të thellë teologjike, biblike e sidomos juridike, falë së cilës shërbeu me aftësi të rrallë ndër disa dikastere të Kuries Romake. Por kardinali i ndjerë – vërejti Ati i Shenjtë – nuk e ndërpreu as veprimtarinë e tij të zellshme baritore në famullinë e Zojës së Guadalupes në Montemario të Romës, duke u përpjekur t’i shërbente Krishtit përmes shërbimit që i bënte Kishës. E kur, pesë vjet më parë, më 21 shkurt 2001, u krijua kardinal nga Gjon Pali II, e kuptoi edhe më thellë vlerën dhe përgjegjësinë e tij në shërbim të Ungjillit. Ngjyra e kuqe e veshjes kardinalore i kujtoi se duhej të derdhte edhe gjakun për t’i qëndruar besnik Krishtit. E ai qe besnik deri në frymën e fundit. Kur për shkak të sëmundjes së rëndë u detyrua të ndërpriste çdo lloj veprimtarie, i bashkoi mundimet e tij me mundimet e Krishtit, duke bërë vullnetin hyjnor e duke gjetur ngushëllim vetëm në Zotin në orën e rëndë të provës. Besimi në Krishtin i priu gjithmonë e posaçërisht në muajtë e fundit të jetës – theksoi Papa - i cili me besim se tani Hyji ia ka hapur portat e mbretërisë qiellore kardinalit të ndjerë, ia besoi shpirtin e tij mëshirës së Atit qiellor.







All the contents on this site are copyrighted ©.