2006-10-19 17:26:24

Papa në Veronë: besimtarët të jenë dëshmitarë zemërbutë e të fortë të gëzmit e të së vërtetës, për t’i kthyer nënshtetësinë e plotë fesë së krishterë.


(19.10. 2006 RV)RealAudioMP3 Sot paradite Papa Benedikti XVI mbajti, në Panairin e Veronës, një fjalim programatik me vlera universale, para 2. 700 delegatëve të mbledhur në Takimin kombëtar të Kishës italiane; pasdite, duke kremtuar Meshën shenjte në stadiumin e Bentegodit, i porosità të pranishmit: “Çojeni në botë shpresën e Hyjit, që është Krishti Zot, i cili u ngjall prej të vdekurve e jeton e mbretëron në shekuj të shekujve!
Papa arriti në Veronë në orën 9.45 për t’u rikthyer në Vatikan në përfundim të kremtimit eukaristik në Staduimin e Bentegodit.
Në fjalimin e paradites, Ati i Shenjtë i ftoi katolikët italianë të jenë dëshmitarë të vërtetë të Krishtit të ngjallur, duke i çuar kështu mbarë botës gëzimin dhe shpresën e krishterë e duke ia rikthyer nënshtetësinë e plotë fesë së Krishtit në një shoqëri, në të cilën Hyji përjashtohet gjithnjë më shumë nga jeta publike. Papa i nxiti të gjithë t’ia propozojnë botës arsyet që të shtyjnë të besosh me butësi e respekt, por edhe me atë forcë që buron nga bashkimi me Krishtin. Ati i Shenjtë ritheksoi me forcë qëndërsinë e Krishtit të ngjallur si hop vendimtar drejt një përmase jete thellësisht të re për gjithë familjen njerëzore, për historinë e për mbarë universin:
“Ngjallja e Tij ishte si shpërthim drite, shpërthim dashurie që copton prangat e mëkatit e të vdekjes. Përuroi kështu një përmasë të re të jetës e të realitetit, nga e cila lind një botë e re, e cila depërton vazhdimisht në botën tonë, e shndërron atë dhe e bën për vete”.
Papa nënvizoi, në vijim, se e reja që solli krishtërimi, ka forcë t’ia ndërrojë faqen botës:
“Thirrja jonë dhe detyra jonë si të krishterë na kërkojnë të bashkëpunojmë që të realizohet plotësisht në jetën tonë të përditshme, frymëzimi që Shpirti Shenjt na e dhuroi në Pagëzim: jemi të thirrur të bëhemi burra të rinj e gra të reja, për të qenë dëshmitarë të vërtetë të të Ngjallurit e në këtë mënyrë, përçues të gëzimit e të shpresës së krishterë në botë, konkretisht, në atë bashkësi njerëzish në gjirin e së cilës jetojmë”.
Në vijim Ati i Shenjtë foli për të këqijat e botës perëndimore, e cila është nën ndikimin e fuqishëm të një kulture, që do të dëshironte të imponohej si universale dhe autosufiçente, të një iluminizmi e laicizmi, për të cilin do të ishin racionalisht të vlefshme vetëm gjërat që mund të eksperimetohen e të llogariten. Kështu Zoti – pohoi Papa – mbetet jashtë kulturës dhe jetës publike e të besosh në Të bëhet gjithnjë më e vështirë, edhe sepse jetojmë në një botë që na paraqitet gati gjithnjë si vepër e duarve tona. Kështu gjithçka kthehet kokëtatëpjetë e bota vë në qëndër të vëmendjes njeriun dhe lirinë e tij:
“Por në këtë vijë, etika rikthehet brënda kufijve të relativizmit e të utilitarizmit, duke përjashtuar çdo parim moral që ka vlerë në vetvete. Nuk është e vështirë të shikojmë se ky tip kulture është rrënjësisht e thellësisht i shkëputur jo vetëm nga krishterimi, por në përgjithësi, nga të gjitha traditat fetare e morale të njerëzimit; nuk është, prandaj, në gjendje të krijojë dialogun e vërtetë me kulturat e tjera, në të cilat përmasa fetare është fuqimisht e pranishme, e as t’i përgjigjet pyetjeve themelore mbi kuptimin dhe drejtimin e jetës sonë. Prandaj kjo kulturë dallohet nga mangësi të thella, por edhe nga nevoja e madhe për shpresë, të cilën më kot përpiqet ta fshehë”.
Më pas Papa bëri thirrje për të shpresuar e për ta dëshmuar fenë e krishterë duke theksuar se Kisha është realitet i gjallë, se bën përpjekje të mëdha për ungjillëzimin, që ka për qëllim kryesor t’ua transmetojë fenë breznive të reja dhe familjeve.
Duke vënë theksin mbi temat e trajtuara në takimin e Kishës italiane, Benedikti XVI vërejti se krishtërimi ia hap portën çdo gjëje që është e drejtë, e vërtetë dhe e pastër në kulturat dhe në qytetërimet e ndryshme, çdo gjëje që e ngushëllon dhe përforcon jetën tonë. Papa foli për takimin me Krishtin, si ngjarje që shfaqet edhe në rrethanat aktuale njerëzore e kulturore, posaçërisht në lidhje me arsyen, nga e cila kanë lindur shkencat moderne dhe teknologjitë përkatëse:
Mbi këto baza bëhet përsëri e mundur të zgjërohen hapësirat e racionalitetit tonë, të rihapen për probelemt e mëdha të së vërtetës e të së mirës, të lidhen ngushtë ndërmjet tyre teologjia, filozofia e shkencat, duke respektuar plotësisht metodat përkatëse dhe pavarësinë reciproke, por me vetëdijën e unitetit të ngushtë që i mban të lidhura së bashku. Kjo është detyra që qëndron para nesh, aventurë mahnitëse, së cilës ia vlen t’i kushtosh jetën, për t’i dhënë një hov të ri kulturës së kohëve tona dhe për t’ia kthyer në të, nënshtetësinë e plotë fesë së krishterë. Projekti kulturor i Kishës në Itali është, pa dyshim, një kontribut i rëndësishëm dhe i gjetur në shërbim të këtij qëllimi”.
Kështu u shpreh Papa dhe më pas shpjegoi se Krijusei i qiellit e i tokës, i vetmi Zot, që është burim i çdo qenie, e do personalisht çdo njeri, e do me pasion e dëshiron edhe të duhet prej tij.
Duke folur për fenë, si çilc që shërben për të lexuar vuajtjen, Ati i Shenjtë shpjegoi se kryqi me të drejtë shkakton frikë, ashtu siç i shkaktoi frikë e ankth edhe vetë Krishtit. Por – nënvizoi Papa – kryqi nuk është mohim i jetës, nuk na pengon të jemi të lumtur. Përkundrazi, Kryqi është pohimi më i lartë i jetës, është pohimi më tronditës i Hyjit ndaj njeriut, shprehja më e fuqishme e dashurisë së Zotit për njeriun. Duhet prandaj të jemi gjithnjë gati t’i përgjigjemi kujtdo që na kërkon arsyen e shpresës së Krishterë, duke e dëshmuar me jetën tonë Krishtin dhe dashurinë e tij pa mbarim për njeriun.
***
Pasdite Benedikti XVI kryesoi kremtimin eukaristik në stadiumin veronez të Bentegodit. Në homelinë e rastit shpjegoi se zemra e çdo ngjarjeje të madhe kishtare është Eukaristia, në të cilën Krishti Zot na fton, na flet, na ushqen, na nis për mision. E kështu dhe në takimin e Kishës italiane. E veçanta e kësaj Meshe shenjte –vijoi Papa –është se po kremtohet në një vend ku nuk zhvillohen festime fetare, por gara sportive, në të cilat marrin pjesë mijëra njerëz. Ndërsa sot e njëjta hapësirë mbushet plot me Krishtin e ngjallur, që është realisht i pranishëm në fjalën e Tij, në mbledhjen e Popullit të Zotit së bashku me barinjtë e vet e, në mënyrë të dukshme, në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të Tij. Krishti vjen sot – vijoi të shpjegonte Benedikti XVI - në këtë aeropag modern, për të ndikuar shpirtin e tij mbi Kishën në Itali, që e gjallëruar nga fryma e Rrëshajëve të reja, të dijë ta komunikojë Ungjillin në një botë, e cila vijon të ndryshojë çdo ditë.
E realiteti tregon qartë se ngjallja e Krishtit mund t’ia ndërrojë faqen botës, të ndezë ndër zemra shpresën e gjallë.
“Të përforcuar nga kjo shpresë, ne nuk kemi frikë nga provat të cilat, sado të dhimbshme e të rënda të jenë, nuk mund të na e zhdukin kurrë gëzimin e thellë që buron nga dashuria e Zotit. Ai, me dashurinë e tij të pafund, na dhuroi Birin e vet të cilin, ndonëse nuk e shohim, e besojmë dhe e duam”.
E dashuria e Tij na mjafton e na shndërron ashtu si e shndërroi jetën e apsotujve në ditën e Rrëshajve. Për ta u bë e qartë – vijoi Papa – se nuk ishin thjeshtë nxënës të një doktrine të re, interesante, por dëshmitarë të zgjedhur e plot përgjegjësi të një zbulimi, me të cilin lidhej shëlbimi i bashkëkohasve të tyre dhe i breznive të ardhshme.
“Siguria se Krishti u ngjall – theksoi Papa – na bind se s’ka forcë në botë që mund ta shkatërrojë Kishën. Na bind edhe se vetëm Krishti mund t’i realizojë shpresat e zemrës njerëzore dhe t’u përgjigjet pyetjeve më shqetësuese mbi dhimbjen, padrejtësinë, të keqen, vdekjen e jetën e përtejme”.Në përfundim të homelisë, Papa uroi që Kisha në Itali të riniset nga ky takim, e përforcuar nga Fjala e Zotit të ngjallur që i përsërit të gjithëve - e secilit: “Të jeni në botën e sotme dëshmitarë të mundimeve të mia e të ngjalljes sime. E tani, të shuguruar me bagmin e Zotit, shkoni! Kumtojani lajmin e gëzuar të varfërve, shëroni plagët e zemrave të plasura, shpallni lirimin e skllevërve, shprangimin e të burgosurve, vitin e mëshirës së Zotit! Rindërtoni gërmadhat e lashta, ngrehni rrënojat e moçme, përtrini qytetet e mbetura shkret! Të shumta janë situatat e vështira që presin ndërhyrjen vendimtare! Çojeni në botë shpresën e Hyjit, që është Krishti Zot, i cili u ngjall prej të vdekurve e jeton e mbretëron në shekuj të shekujve!







All the contents on this site are copyrighted ©.