Nesër do të paraqitet mesazhi i Vatikanit për përfundimin e Ramazanit: intervistë
me kardinalin Pupard.
(19.10.2006 RV) Më 20 tetor, në sallën e Shtypit të Selisë së Shenjë ne një
konferencë shtypi u paraqit mesazhi me rastin e përfundimit të Ramazanit. Kardinali
Pol Pupard, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar dhe i Këshillit Papnor
të kulturës, flet për këtë dokument të shumpritur në mikrofonin e radios sonë: Përgjigje:
- Mund të themi se do të përqëndrohet nesër vëmendja mbi mesazhin me temë: “Të
krishterët e myslimanët në dialog besimplotë për të përballuar së bashku sfidat e
botës sonë”. Ky mesazh është akt nderimi nga ana e Selisë së Shenjtë, nga ana e Kishës,
që përsëritet çdo vit në përfundim të Ramazanit, dmth të muajit të agjërimit. Mesazhi,
si zakonisht, frymëzohet nga Deklarata konciliare ‘Nostra Aetate’ dhe ripohon në çastin
aktual po atë nderim e atë vullnet për të vijuar dialogun dhe për t’i përballuar së
bashku sfidat e botës sonë. Kujtojmë edhe se ky është mesazhi i 40-të i urimit drejtuar
myslimanëve në përfundim të Ramazanit.
Pyetje: - Në një letër të hapur
drejtuar Benediktit XVI, 38 prijës shpirtëror dhe teologë islamikë i kanë mirëpritur
shpjegimet e Papës për leksionin e Regensburgut: mund të themi, pra, se dialogu rifillon…. Përgjigje:
- Jo “rifillon’, sepse dialogu nuk ka reshtur kurrë. Mund të themi se zhurma mediatike
vë gjithnjë theksin mbi zërat që nuk përkojnë, në vend që të theksojë sintoninë e
simfoninë e zërave. Në të vërtetë simfonia nuk mungon e unë marr çdo ditë mesazhe
nga vende të ndryshme të botës, që përkojnë në kërkesën për vijimin e dialogut, duke
e përqëndruar pikërisht në pikën thelbësore të fjalimit të Papës në Regensburg, dmth,
në lidhjen e fesë me arsyen!