2006-10-18 16:56:39

Imzot Miliore në OKB: amullia e bisedimeve për tregtinë favorizon vendet e pasura e dëmton vendet e varfëra, duke vënë rrezik paqen.


(18.10.2006 RV) Selia e Shenjtë denoncon palëvizshmërinë në bisedimet ndërkombëtare mbi tregtinë, me pasoja të rënda për vendet e varfëra si dhe për paqen e stabilitetin botëror. Këtë theksoi dje në Pallatin e Qelqit të Nju Jorkut imzot Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Imzot Miliore nënvizoi faktin se “ndërsa në 5 vitet e fundit janë ndërmarrë nisma të shumta dhe operacione ushtarake me përmasa të mëdha, nuk është bërë asnjë hap serioz përpara në reformën për tregtinë ndërkombëtare, që nisi në Doha, të Katarit në vitin 2001, gjë që ka pasoja të rënda për vendet në rrugë zhvillimi.
Sipas prelatit, interesat e disa sektorëve të vendeve të zhvilluara kanë pasur epërsi mbi të mirën e përbashkët, duke thelluar hendekun shqetësues, që i ndan vendet e pasura nga vendet e varfëra. Kështu sot ka shpresa të pakta për realizimin deri në vitin 2015 të objektivave të zhvillimit për mijëvjeçarin, që përfshijnë edhe përgjysmimin e numrit të të varfërve në botë. Situata e sotme botërore – pohoi imzot Miliore – bëhet gjithnjë më e rëndë për shkak të pabarazisë. E kjo kërkon reflektim urgjent, ashtu si kërkon reflektim edhe fakti se liria e shkëmbimeve nuk është e barabartë dhe nuk i përgjigjet kërkesave të drejtësisë shoqërore. Prandaj vendet e pasura duhet t’ua hapin tregjet vendeve të varfëra, në se nuk duan të kenë pasoja të rënda, si lëvizjet e pakontrolluara të popullsive, dëmet te pandreqshme ambientale e deri te përhapja e terrorizmit dhe shpërthimi i konflikteve të armatosura. Selia e Shenjtë uron që shtetet t’i rifillojnë bisedimet e të tregohen të gatshme për të bërë edhe sacrifica për krijimin e marrëdhënieve më të drejta tregtare, duke dhënë, kështu, kontributin e duhur për çështjen e paqes e të stabilitetitt në botë. E kjo është detyrë morale – theksoi në përfundim përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.