2006-10-17 16:38:33

Imzot Miliore në OKB-në e Nju Jorkut thekson: lufta kundër terrorizmit nuk duhet të dëmtojë të drejtat e njeriut.


(17.10.2006 RV)Në luftën kundër terrorizmit nuk duhet të sakrifikohen të drejtat njerëzore - këtë pohoi imzot Miliore në Asamblenë e 61-të të përgjithme të OKB-së, duke theksuar se jo vetëm politika dhe ekonomia, por edhe dialogu ndërfetar mund të kontribuojnë për t’iu kundërvënë logjikës së terroristëve.
Terrorizmi dhe ata që e nxisin duhen luftuar me të gjitha forcat, por duke pasur parasysh që masat e marra kundër tyre, të mos i shkelin të drejtat fillestare të njeriut. Ky është koncepti kryesor i fjalimit që mbajti dje kryeipeshkvi Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, në Asamblenë e 61-të të përgjithme të Kombeve të Bashkuara, që vijon punimet në Nju Jork. Lufta kundër terrorizmit – nënvizoi prelati – duhet të ecë mbi binarët e impenjimeve politike, diplomatike dhe ekonomike të guximshme, që lehtësojnë situatat e varfërisë, të cilat ushqejnë logjikën e terrorit.
Në planifikimin e masave kundër terrorizmit – pohoi vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së – mbrojtja e të drejtave të njeriut është objektivi kryesor i gjithë strategjisë, pikërisht sepse janë vetë terroristët të parët, që me nënvleftësimin dhe moskokëçarjen absolute ndaj jetës njerëzore, e bëjnë plotësisht të papranueshëm çdo veprim të tyre. E nënvleftësimi i jetës– vërejti imzot Miliore - arrin deri në përdorimin cinik të njerëzve të pafajshëm dhe të popullsive të tëra si mburojë për të fshehur e për të mbrojtur terroristët dhe armët e tyre.
Kisha, përkundrazi, synon në adoptimin e një Konvente kundër terrorizmit, me qëllim që strategjia antiterrorizëm të mos i sakrifikojë të drejtat themelore të njeriut në emër të sigurisë. Sidoqoftë, për ta luftuar terrorizmin, nuk mjaftojnë as konventat, as masat ligjore e as armët. Terrorizmi, manifestim kulturor, në kuptimin e antikulturës e të antiqytetërimit, i lindur nga perceptime të deformuara të realitetit, duhet kuptuar deri në fund, duke pasur mirë parasysh se rekrutimi i terroristëve është më i lehtë pikërisht atje ku shkelen të drejtat dhe tolerohen padrejtësitë. Kështu terroristëve u krijohen mundësitë të paraqiten si mbrojtës të të varfërve e si luftëtarë në betejën kundër padrejtësive. Prandaj – pohoi prelati – përveç politikës e diplomacisë, për shrrënjosjen e terrorizmit duhen bërë ndërhyrje ekonomike, që përmirësojnë kushtet e jetesës së popullsive në gjendje krize, në saje edhe të dialogut ndërmjet feve, që për vetë natyrën e tyre janë kundër dhunës e në favor të promovimit të kulturës së paqes e të respektit reciprok..







All the contents on this site are copyrighted ©.