2006-10-16 20:14:23

Vritet një gazetar tjetër në Rusi. Edhe 30 vende mund të realizojnë shpejt bombën atomike e lajme të tjera nga bota.


(16.10.06 RV) Kreu i redaksisë ekonomike të agjensise ruse të shtypit Itar-Tass, Anatolij Voronin është gjetur pa jetë në apartamentin e tij në Moskë. Voronin, 55 vjeçar, është vrarë me thikë vetëm nëntë ditë pas ekzekutimit të gazetares Anna Politkovskaja, kritike ndaj administratës Putin.

Masakër në Sri Lanka. Së paku 92 persona kanë humbur jetën në një atentat kamikaze. Një kamion, i përdorur si bombë, është përplasur me një kolonë automjetesh të marinës ushtarake në verilindje. Dyshimet bien mbi të ashtuquajturit “tigra” të Ushtrisë për çlirimin e atdheut Tamil. Javën e kaluar, një betejë ndërmjet rebelëve dhe ushtrisë çingaleze shkaktoi 150 viktima.

Gjithnjë alarm për krizën bërthamore në Korenë e Veriut, pas miratimit me unanimitet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të rezolutës 1718, e cila dënon provën bërthamore të kryer nga Piongjangu. Problemi më urgjent është zbatimi i saj, për të cilin do të flasin të enjten sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs me ministrat e jashtëm të Japonisë e të Koresë së Jugut.
Ndërkaq, Agjensia ndërkombëtare për Energjinë Atomike në Vienë ka deklaruar se rreth 30 vende të tjera, përveç 9 fuqive botërore atomike, janë në gjendje që të vënë në zbatim në kohë të shkurtra teknologji bërthamore ushtarake. Sipas drejtorit të agjensisë, bota ka nevojë për një trajtim të ri të çështjes në nivel ndërkombëtar.

Mbetet i lartë tensioni në Irak, ku sot paradite 10 vetë gjetën vdekjen gjatë shpërthimit të një autobombe në qytetin Sauira, në juglindje të Bagdadit. Në kryeqytet, po sot u gjetën 11 trupa pa jetë e tre të tjerë mbetën viktima të një atentati të dyfishtë në një zonë tregtare. Gjatë dy ditëve të fundit kanë vdekur së paku 86 persona, për shkak të dhunës ndërkonfesionale. Situata është kaq e nderë, sa qeveria irakiane e shtyu për një datë të pacaktuar Konferencën e rëndësishme për pajtimin kombëtar. Dje, 11 formacione sunite, të kryesuara nga grupi lokal i Al Kaidës, shpallën “Shtetin islamik të Irakut”. Në Kirkuk, fiset sunite kanë kërkuar lirimin e Sadam Hyseinit.







All the contents on this site are copyrighted ©.