2006-10-16 19:14:08

Sot Benedikti XVI kryesoi kremtimin e salikimeve të kardinalit Monduci.


(16.10.2006 RV) Sot pasdite, në Bazilikën e Vatikanit, Benedikti XVI kryesoi kremtimin e salikimeve të kardinalit të ndjerë Dino Monduci, diakon i Shën Sebastianit në Palatin dhe prefekt nderi i Shtëpisë Papnore.
Kardinali ndërroi jetë në moshën 84 vjeç të enjten e kaluar, më 13 tetor, pas një sëmundjeje të gjatë e të rëndë.
I lindur në Brisigela, në dioqezën e Faencës, më 2 prill 1922, u shugurua meshtar në vitin 1945, ndërsa kardinal u krijua nga Gjon Pali II në vitin 1998. Kardinali Monduci programoi 130 shtegtime baritore të Papës Gjon Pali II në Itali dhe 268 vizita në famullitë e ndryshme të dioqezës së Romës.
“Në shërbim të katër papëve me përkushtim të jashtzakonshëm, kardinali Monduci e kreu detyrën e mjeshtrit të dhomës me shkathtësi e urti”: kështu e kujtoi Papa Benedikti XVI në telegramin e ngushëllimit drejtuar familjarëve, duke theksuar aftësitë e veçanta të të ndjerit në organizimin e audiencave papnore e të shtegtimeve baritore në Itali.
Ndërsa sot, duke kryesuar salikimet e Kardinalit Monduci, Papa, si kujtoi ngjarjet kryesore të jetës së tij, shprehu besimin se, pas një shtegtimi të gjatë si njeri e si meshtar, kardinali duhet të ketë arritur në atdheun qiellor, atdhe që u premtohet atyre, të cilët e shkrijnë gjithë jetën në shërbim të Zotit e të vëllezërve. E ai e shkriu jetën për Zotin, për Kishën, për Mbretërinë e Hyjit, si bashkëpunëtor i përvujtë i misionit që Krishti ua ka besuar Shën Pjetrit e pasardhësve të tij. Si prefekt i Shtëpisë Papnore – vijoi Papa - ai pati rastin të takohej si me njerëzit më të fuqishëm të botës, ashtu edhe me më të thjeshtët, që i paraqitnin kërkesa nga më të ndryshmet. Si në takimet me njerëzit, ashtu edhe në organizimin e takimeve të mëdha kishtare e në veprimtarinë e vet të përditshme, diti të ushtrojë gjithnjë virtytin e duresës e të dashurisë së krishterë për të gjithë, pa kurrfarë dallimi, Duke i dhënë lamturmirën e fundit kardinalit Monduci, të cilin ia besoi mirësisë atërore të Hyjit, Papa falënderoi Zotin për të mirat që ka bërë i ndjeri dhe u lut të gjejë në Krishtin mikun besnik, që e mori me vete për t’i caktuar një vend në shtëpinë e Atit qiellor, në banesën e dritës e të paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.