2006-10-16 19:20:54

Mbi urrejtjen mund të fitohet me dashuri. Kështu shprehet kardinali Pol Pupard në mesazhin për festën induiste të Divalit.


(16.10.2006 RV) Sot kryetari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali Pol Pupard, u drejtoi besimtarëve indù një mesazh urimi për festën e madhe të Divalit. Festa simbolizon fitoren e së vërtetës mbi gënjeshtrën, të dritës mbi errësirën, të së mirës mbi të keqen, të jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen. Prandaj në mesazh vihet theksi mbi temën e dashurisë, e cila duhet t’i lidhë besimtarët e feve të ndryshme, në përpjekjen për ta kapërcyer urrejtjen dhe mosbesimin, që vijojnë të përhapen në mënyrë shqetësuese në botën e sotme. Si kujton sulmet e fundit terroriste në Mumbai, duke u frymëzuar nga Enciklika e Papës Racinger “Deus caritas est”, kardinalit Pupard i fton të gjithë besimtarët ta mundin urrejtjen me dashuri. Zoti është burimi dhe përsosja e çdo dashurie – shkruan Kryetari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar – dhe në vijim sjell shembullin e së Lumes Nënë Terezë, e cila e shkriu gjithë jetën duke i dashur të afërmit e duke u shërbyer pa kurfarë interesi të varfërve, falë takimit të përditshëm me Zotin dhe lutjes së vazhdueshme. Zoti na do të gjithëve pa përjashtim dhe dashuria e tij është e pakushtëzuar. Ne duhet t’i përgjigjemi duke bashkuar forcat, duke bashkëpunuar, edhe në projekte të përbashkëta, për t’i përmirësuar kushtet e jetesës të njerëzve të shtypur, të braktisur, të ligësht, të përjashtuar nga radhët e shoqërisë. Çdo ditë shikojmë me sytë tanë sa vuan bota, megjithë progresin e arritur në fushat shkencore e teknike, për shkak të mjerimit shumformësh, si material ashtu edhe shpirtëror. E është pikërisht ky mjerim që bëhet shkak për lindjen e urrejtjes ndër zemra, urrejtje që duhet çrrënjosur me dashuri, sepse dashuria lind besimin e besimi krijon marrëdhënie të sinqerta ndërmjet njerëzve të feve të ndryshme - përfundon mesazhi.







All the contents on this site are copyrighted ©.