2006-10-15 15:45:08

Sot Papa shpalli 4 shenjtorë të rinj duke theksuar se braktisën gjithçka për të ndjekur Krishtin, të cilin e deshën ndër më të varfërit.


(15.10.2006 RV) RealAudioMP3 “Emrat e tyre do të kujtohen përgjithmonë”. Kështu u shpreh sot Papa Benedikti XVI në kremtimin solemn, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit.
“Në se njeriu e kërkon sigurinë në pasuritë e kësaj bote, nuk mund ta gjejë kuptimin e plotë të jetës, as gëzimin e vërtetë; por në se duke i besuar fjalës së Zotit, heq dorë nga vetvetja e nga pasuritë e tij për Mbretërinë e qiellit, në dukje humbet shumë, por në të vërtetë fiton gjithçka. E Shenjt është pikërisht ai burrë ose ajo grua që, duke iu përgjigjur me gëzim e bujari thirrjes së Krishtit, lë gjithçka për ta ndjekur” – ky është mesazhi që i përcolli Benedikti XVI mijëra besimtarëve ardhur nga të katër anët e botës, në homelinë e mbajtur sot paradite për shpalljen e katër shenjtorëve të rij.
Janë: ipeshkvi meksikan Rafael Guizar Valencia (1878-1938); prifti napoletan, që jetoi në Leçe të Italisë, Filipo Zmaldone (1848-1923) themelues i instituteve për shurdhmemecët dhe i Kongregatës së Motrave saleziane të Zemrave të Shenjta; rregulltarja viterbeze Roza Venerini (1656-1728), themeluese e Kongregatës së Mësueseve të Përshpirtshme Venerini dhe francezja Teodora Guerin, në shekull Ana-Tereza (1798-1856), themeluese e Kongregatës së Motrave të Provanisë të Shën Marisë “ad Nemus” në zonat e shkreta dhe të egra të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Shembulli i tyre në ndihmë të të varfërve e të përvujtëve - vërejti Papa gjatë homelisë – buron nga fakti se ata e bënë të vetën logjikën e dhurimit e të shërbimit, e vetmja që e shpëton botën.
Duke folur në gjuhën spanjolle, Papa e kujtoi Shën Rafael Guizar y Valencien si “ipeshkëv i të varfërve”:
“Duke imituar Jezusin e varfër, la pasuritë e tij dhe nuk pranoi kurrë dhurata nga njerëzit e fuqishëm. Prandaj mori njëqind herë më shumë, në sa ishte gjithnjë i gatshëm të përballonte persekutimin në Meksikën e dhjetvjeçarëve të parë të nëntëqindës, për të çuar përpara veprimtarinë e tij humanitare dhe mbështetjen e të rinjve që dëshironin të bëheshin priftërinj e rregulltarë”.
Shën Filip Zmaldonen Ati i Shenjtë e kujtoi si bir i Italisë jugore, i pajisur me virtytet më të mira të tokës së tij. Meshtar me zemër të madhe, i ushqyer vazhdimisht nga lutja dhe adhurimi eukaristik, qe mbi të gjitha dëshmitar e shërbëtor i dashurisë së krishterë, të cilën e shprehu duke u shërbyer të varfërve, posaçërisht shurdhmemecëve:
“Ndër shurdhmememcët Shën Filip Zmaldone shikonte të pasqyruar figurën e Jezusit. Prandaj i pëlqente t’u përsëriste atyre që punonin përkrah tij: siç gjunjëzohesh para të Shenjtnueshmit Sakrament, ashtu duhet të gjunjëzohesh para shurdhmemecëve. Atyre ua kushtoi gjithë vetveten e vepra që nisi, në saje të Kongregatës së themeluar prej tij, vijon të lulëzojë në Itali e në botë.
Duke kujtuar Shën Roza Venerinin, Benedikti XVI vuri në dukje veprimtarinë e saj largpamëse për lartimin shpirtëror dhe emancipimin e grave të reja të kohës së vet. Shën Roza – vijoi Ati i Shenjtë – nuk kënaqej vetëm me arsimimin e përshtatshëm të vajzave, por shqetësohej kryesisht për formimin e tyre të plotë kulturor e fetar, në përkim me mësimin doktrinor të Kishës.
“Dëshironte të përsëriste: “Jam aq e kryqëzuar në vullnetin hyjnor, sa nuk më shqetëson fare as vdekja e as jeta: dua të jetoj aq sa do Zoti, e dua të shërbej aq, sa dëshron Ai e s’dua gjë tjetër”.
Duke folur për Shën Teodorën Guerin, Papa nënvizoi veprimtarinë e saj misionare në SHBA në gjysmën e parë të tetëqindes në zonat e shkreta e të egra të Indianës, ku ajo dhe 5 simotra, arritën pas një shtegtimi të gjatë:
“Atje ata ndërtuan një kapelë të thjeshtë druri në zemër të pyllit. U gjunjëzuan para të Shenjtnueshmit Sakrament e e falënderuan, duke iu lutur Zotit t’i printe kongregatës së re”.
Figurë e bukur shpirtërore dhe model i jetës së krishterë” – kështu e quajti Benedikti XVI dhe në përfundim theksoi se ashtu si të katër shenjtorët, Jezusi na fton edhe neve ta ndjekim, për të pasur si trashëgim jetën e pasosur.
Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa përshëndeti në gjuhë të ndryshme besimtarët e shumtë, ardhur posaçërisht nga vendet e shenjtorëve të rinj dhe iu lut Virgjërës Mari të ndërmjetësojë që çdo besimtar t’i përgjigjet me gëzim e bujari thirrjes që i bën Zoti për të qenë shenjë e shenjtërisë së Tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.