Përkujtojmë Atë Nikollë Ketën në 203 vjetorin e vdekjes.
(15.10.2006 RV)Më 15 tetor 1803 ndërroi jetë Atë Nikollë Keta, prift atdhetar,
një nga personalitetet më të shquara të kulturës arbëreshe, lindur më 1742 në fshatin
Kontessa Entelina në Sicili. Që shpejt ndjeu thirrjen për rrugën e meshtarisë.
U përgatit për këtë rrugë e, pas shugurimit, punoi si prift e më vonë si rektor i
Seminarit të Palermos, ku përgatiteshin meshtarët e rinj në shërbim të arbëreshëve.
Krahas kryerjes së detyrës së përditshme meshtarake e didaktike, u muar me studime
në fushën gjuhësore dhe me krijimtari poetike. Ndërmjet vjershave të tij, një pjesë
e mirë e të cilave me karakter fetar e patriotik, spikat një tingëllimë autobiografike,
që vlerësohet nga kritika letrare si e para e llojit në letrat shqipe. Atë Keta hartoi
edhe fjalorin italisht-shqip e anasjelltas. Një nga veprat e tij më të njohura
gjuhësore është ajo me titull "Etimologjia e gjuhës shqipe", ndërsa paraqet interes
të veçantë historik e letrar vepra "Katalog mbi familjet e mëdha arbëreshe". Vepër
tjetër e tija është edhe "Thesar njoftimesh mbi maqedonasit". Kjo sintezë e jetës
dhe e krijimtarisë së tij dëshmon se Atë Keta meriton jo vetëm të kujtohet, por edhe
të shikohet si shembull që meriton të ndiqet nga të gjithë ata, të cilët e kanë bërë
prej kohe të vetën devizën e përhershme të klerit shqiptar "Për Fe e Atdhe!".