2006-10-15 15:45:21

Feja dhe shkenca, aleate për shërimin e njeriut në trup e në shpirt: janë fjalët e Papës drejtuar bijve shpirtëror të Atë Pios, dje shtegtarë në Romë.


(15.10.2006 RV)Dje, duke u takuar me bijtë shpirtëror të Atë Pios, shtegtarë në Romë me rastin e 50-vjetorit të fillimit të veprimtarisë së spitalit të famshëm, që njihet me emrin “Shtëpia për lehtësimin e vuajtjes” – Papa theksoi rolin e fesë dhe të shkencës, të mjekimit e të lutjes, për shërimin e njeriut në trup e në shpirt.
Të gjithë së bashku, ju formoni një familje të madhe shpirtërore – u tha Papa shtegtarëve - sepse jeni bijtë e Atë Pios, njeriut të thjeshtë, fratit të varfër, siç e quante veten, të cilit Zoti i besoi mesazhin e përhershëm të dashurisë së tij të kryqëzuar për mbarë njerëzimin. E nga zemra e Atë Pios lindi shtëpia për lehtësimin e vuajtjes. U quajt ‘Shtëpi’ që i sëmuri, e sidomos i varfëri, ta ndjente veten si në shtëpi të vet e të gjente prehje, falë veprimit të dy forcave: fesë në Tënzonë e kërkimit shkencor, që bashkëpunojnë për të njëjtin qëllim. Po – vijoi Ati iShenjtë – Zoti është jetë e dëshiron që njeriu të shërohet nga çdo sëmundje e trupit e e shpirtit. E në Kishë gjithçka vjen nga Zoti e pa të asgjë nuk mund të qëndrojë në këmbë. Veprat e Atë Pios janë një shembull i jashtzakonshëm i kësaj së vërtete e Shtëpia e ngritur nga ai për lehtësimin e dhimbjes, mund të quhet mrekulli! Askush nuk mund ta merrte me mend se pranë kuvendit të vogël të Shën Gjonit, do të ngrihej një nga spitalet më të mëdha e më moderne të Italisë jugore, ku linden edhe grupet e para të lutjes, që formuan një rrjet shpirtëror, me parullën: “Me Kishën, për Kishën e në Kishë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.