2006-10-14 15:02:39

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së XXVIII gjatë vitit B
I varfër është i pasuri, nëse nuk di të dhurojë


(14.10.06. RV) Ja përsëri në takimin tonë të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Këtë herë do të meditojmë Liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 28-të gjatë vitit ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.RealAudioMP3
A është pasuria një pengesë në ndjekjen e Krishtit dhe në realizmin e Mbretërisë së tij në ne?
Konceptimet e Besëlidhjes së Vjetër dhe të Besëlidhjes së Re rreth pasurisë dhe prosperitetit material ndryshojnë derisa ndonjëherë, krijohet një lloj kundërshtie. Jobi, Jozafati, Ezekia, Davidi lavdërohen për pasurinë e tyre, shenjë e bekimit hyjnor, imazh i bollëkut mesianik.
Por sjellja e Jezusit dhe e bashkësive të para të krishtera duket se është gati e pamëshirshme. Fjalët “vaj për ju o pasanikë” kanë ngjyrimin e një dënimi. Përse një gjë e tillë?
Të gjithë ungjijtë janë të përshkuar nga vetëdija e risisë që është Mbretëria e Hyjit, e identifikuar nga Krishti me vetë personin e tij. Ky mesazh i Mbretërisë lajmëron dhurimin total të Zotit në personin e Jezu Krishtit dhe kërkon nga njeriu gatishmërinë për të pranuar “perlën e çmuar”, “thesarin e çmuar”, për të ndjekur Krishtin. Njeriu nuk mund t’i shërbejë dy zotërive, sepse afshi i zemrës njerëzore për pasurinë e mbyt fjalën e ungjillit në përtaci, në harrimin e thelbësores, të sovranitetit të Zotit. Është një ligj që nuk pranon përjashtime “Kush nuk mohon të gjitha pasuritë e tij, nuk mund të jetë dishepulli im” (Lk 14, 33).
Në pjesën e ungjillit, Jezusi kremton shkëlqimin e gëzimit të dhurimit të vetvetes në shërbesën apostolike. Vetëm një mrekulli mund ta shkëpusë pasanikun nga mjerimi i tij njerëzor dhe shpirtëror dhe ta vërë në rrugëtimin e Krishtit të varfër dhe të vuajtur. Në dialogun e Pjetrit me Krishtin, pas refuzimit të djaloshit pasanik për të ndjekur Krishtin, foljeve lë-ndjek (rreshti 19) me të cilat Pjetri përshkruan thirrjen dhe shërbesën e tij apostolike, Krishti i përgjigjet duke i korrigjuar ato me foljet lë-marr (rreshti 29-30). Ajo çfarë jepet gjehet rishtas, e pasuruar dhe e zgjeruar. Një gëzim i thellë gjehet sërish dhe një paqe e paparashikuar bëhet trashëgimi e atij që është boshatisur, për t’i bërë vënd në jetën e vet Krishtit dhe ungjillit të tij.
Jo më kot liturgjia si lexim të parë ka shkëputur një pjesë nga libri i Urtisë. Përballë Salomonit, simbol i mbretit dhe të urtit të përkryer, kalojnë pasuritë të simbolizuara nga ari, të cilat gjykohen “baltë dhe rërë” (rreshti 9) përballë urtisë, do të thotë përballë atyre vetive njerëzore dhe shpirtërore, të vetmet që mund ta pasurojnë ekzistencën e njeriut.
Pasuria nuk është e keqe në vetvete. Ajo bëhet e tillë kur njeriu e themelon jetën e tij duke e bërë atë një perëndi dhe duke shqiptuar amenin e tij, që i përket vetëm Zotit të vërtetë.
Ajo mund të jetë simbol i shumë i prapësive duke kujtuar padrejtësi të shumta, por është mbi të gjitha simbol i punës njerëzore dhe i shpresave njerëzore që mund të realizojë. E lidhur me progresin personal dhe kolektiv të njeriut përmbledh përpjekjet e njeriut dhe shpresat e tij të ardhme. Nga ana tjetër pasuria është edhe mjeti për të kryer bamirësi të ndryshme.
Në të vërtetë, ajo çfarë ungjilli dëshiron të thotë nuk është të mos keshë asgjë, por të kompromentohesh me të varfërit, që do të thotë të ndash. Të ndjekësh Krishtin do të thotë të takosh të varfërit në rrugëtimin tënd. Vetëm ai që takon urinë, etjen, zhveshjen dhe nevojat e të tjerëve dhe bën çfarë është e mundur që ata të mund të lirohen, është njeriu i mbretërisë hyjnore.
Një shembull i shkëlqyer i këtij vizioni ungjillor është Shën Tereza e Avilës që Kisha e përkujton sot. Në librin e autobiografisë së saj shkruan: “Kush ka për mik Krishtin, mund të durojë çdo gjë sepse Jezusi të ndihmon, nuk të lë asnjëherë në baltë dhe të jep forcë. Këtë gjë e kam sprovuar shumë herë në jetën time dhe vetë Zoti ma ka thënë”.
Le ta bëjmë të tonën, pra, thirrjn e psalmistit: Na e jep o Zot urtinë e zemrës! Po, bëj o Zot që në ndërtimin e vizionit tonë të jetës të mos humbasim ty, pasurinë e vërtetë të zemrës njerëzore, njeridashës dhe shuajtës i anktheve dhe shqetësimeve të zemrës sonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.