2006-10-13 16:40:25

Në përfundim të Kongresit Botëror të Televizoneve Katolike në Madrid, reflektim i Atë Federiko Lombardit, drejtor i Sallës së Shtypit, Radios dhe Qendrës Televizive të Vatikanit.


(13.10.2006 RV)Përfundoi Kongresi Botëror i Televizioneve Katolike, i promovuar nga Këshilli Papnor i Komunikimeve Shoqërore dhe i organizuar nga kryedioqeza e Madridit, në kryeqytetin spanjoll. Në qendër të diskutimeve ishin ndryshimet e mëdha kulturore dhe problematikat që kanë lindur, si pasojë e zhvillimit të vrullshëm teknologjik. Per një reflektim mbi tematikat që u diksutiuan dhe mbi fuqinë e këtij mjeti për kumtimin e mesazhit ungjillor në Mijëvjeçarin e Tretë, intervistuam drejtorin tonë përgjithshëm, Atë Lombardin:
Përgjigje: - Gjithçka ka të bëjë me aspektin e njohjes reciproke, të kontaktit, të inkurajimit, fakti se jemi së bashku të impenjuar për të njëjtin mision – një numër i madh njerëzish, ndonëse në vende të ndryshme - u arrit plotësisht. Ishte një atmosferë shumë pozitive, një klimë entuziazmi dhe dëshire për të ecur përpara. Lindën edhe shumë marrëdhënie bashkëpunimi, më të ngushta ndërmjet institucioneve që kanë programe të ngjashme, më të përgjithshme ndërmjet të tjerave. Nga ana ime, vërejta se informacioni i saktë e i përshtatshëm i dhënë gjatë gjithë shërbimit të Qendrës Televizive të Vatikanit, në dispozicion të të gjitha televizioneve katolike të botës, e jo vetëm atyre katolike natyrisht, por i drejtuar prej tyre, ndiqet me shumë interes. Pastaj u bënë edhe shumë propozime, si ai i krijimit të një qendre shkëmbimi të programeve, në dispozicion të televizioneve të ndryshme. U bë edhe propozimi për krijimin e një agjensie informacioni në formë televizive, të shkurtë, të shpejtë e në përdorim të përgjithshëm. Ja këto janë vijat konkrete të punës, që sigurisht ngjallin shumë shpresa për të ardhmen.
Pyetje: - A është e mundur, pasi keni dëgjuar shkëmbimin e opinioneve dypalëshe e shumpalëshe, t’i jepni një përgjigje të përgjithshme pyetjes: Ç’ është televizioni katolik?
Përgjigje: - Të them të vërtetën unë jam shumë i matur në këtë drejtim, sepse larmia e realitetit është tepër e madhe. Por në gjithë këtë larmi, natyrisht vendin e parë e zë pjesëmarrja në misionin e Kishës, me shërbime të veçanta, që komunikojnë përmes figurave. Mua më prek gjithnjë thellësisht larmia e realitetit të Kishës, që gjen shprehjen e vet edhe në fushën e komunikimeve shoqërore. Kjo larmi ka gjithnjë brënda vetes elementin që çon tek bashkimi e që na shtyn edhe ne t’i shërbejmë, me veprimtarinë tonë, unitetit universal, përmes pamjeve dhe mesazhit të Atit të Shenjtë. Për mua ka shumë rëndësi të respektohet si larmia, ashtu dhe veçantia e karizmave, që paraqesin pastaj pasurinë e krijimtarisë së Kishës. Prandaj them se nuk mund ta mbyll identittin e televizonit katolik në një kornizë të ngushtë, sepse në vërtetë karakterizohet nga një pasuri e një larmi e madhe. Identiteti buron kryesisht nga pjesëmarrja e bindur në fenë e në misionin e Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.