2006-10-12 19:53:33

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Tarçzio Bertone do të takojë nesër në Vatikan Kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Kolë Berishën.


(12.10.06.RV) Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Tarçisio Bertone do të takohet nesër në Vatikan me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kolë Berishën, i cili që dje ndodhet në Itali. Mbrëmë Kryetari i Parlementit të Kosovësështë takuar me bashkatdhetarët që banojnë në Milano e rrethina, me prejardhje kryesisht nga Vitia. Biseda mbi zhvillimet e fundit në Kosovë u pasua nga problemet e emigrantëve dhe nga premtimi i kryetarit të Kuvendit se do të tregohet më tepër kujdes për ta. I pranishëm ishte edhe famullitari i Binçës, don Lush Gjergji, i mirënjohur për dëgjuesin tonë.

 
Vazhdon në Irak gjendja e vështirë, e cila do të zgjasë edhe për muaj të tjerë pas Ramazanit, sipas deklaratës së kreut të forcave amerikane në vend, gjeneralit Xhorxh Kesi. Gjenerali ndodhet në Uashington për bisedime me funksionarë të lartë të ushtrisë, të cilëve u shpjegoi se mbetet sidomos problematike situata në Bagdad, ku si amerikanët, ashtu edhe krerët irakianë nuk ndihen të qetë.
Sot, në sulme të ndryshme në kryeqytet kanë gjetur vdekjen 13 veta. Vetëm në sulmin kundër televizionit “Shaabiya” kanë vdekur 11 persona. Emitentja është pronë e Partisë Kombëtare të Drejtësisë e të Progresit, një formacion i vogël laikësh pa vende në parlament. Në atentat gjeti vdekjen edhe kreu i partisë.
Ndërkaq, dje të panjohur vranë një meshtar siro-ortodoks, at Paulos Eskandar. Për të krishterët janë ditë të vështira, siç na konfirmon në mikrofonin tonë, mons. Filip Naxhim i Patriarkatit të Babilonisë së Kaldejve:
Meshtarit i është prerë koka në Mosul. Para se ta vrisnin, na u kërkua një shifër e madhe si shpërblim e ne ishim të gatshëm të diskutonim me rrëmbyesit e t’u jepnim shumën e kërkuar. Pavarësisht nga kjo, gjetëm vetëm trupin e tij pa jetë. Është një vrasje, që u ka futur frikën të gjithë të krishterëve në Irak, katolikë ose jo. Për ta parashikohen vështirësi të mëdha në jetën e përditshme. Gjëja e parë që mungon është siguria, më pas mungojnë dritat, ilaçet, mundësitë për punë. Popullsia irakiane përbëhet nga shumë etni dhe ekziston përshtypja se ka një forcë të errët që dëshiron të krijojë luftë civile, t’i detyrojë këta njerëz të braktisin vendin, vetëm e vetëm për të shkaktuar kaos në popullin irakian.
Mons. Naxhim konfirmoi edhe rrëmbimin e abuzimet kundër grave të krishtera. Deri tani rreth 35 mijë të krishterë janë larguar nga Iraku për në Siri.

 
Gjithnjë e më e rëndë kriza koreanoveriore. Qeveria e Piongjangut, sipas burimeve nga Koreja e Jugut, ka ndërmend të kryejë një eksperiment tjetër bërthamor brenda javës. SHBA paraqitën sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së një projekt-rezolutë ku parashikohen sanksione të ashpra kundër Koresë së Veriut. Nga propozimi është distancuar menjëherë Kina, sipas së cilës objektivi i vërtetë duhet të jetë çmilitarizimi bërthamor i gadishullit korean dhe rifillimi i bisedimeve me qeverinë e Piongjangut. Masa thjesht ndëshkuese nuk do t’i shërbenin çështjes.

 
Boca e artikullit të fundit shkruar nga Anna Politkovskaja u publikua sot në “Novaya Gazeta”, e përdyjavshmja e opozitës në Kremlin, për të cilën punonte gazetarja ruse e vrarë të shtunën e kaluar në Moskë. Në shkrimin e paplotë, kronistja akuzon forcat çeçene filoruse se torturojnë civilë e persona që vetëm dyshohen të jenë rebelë. Artikulli, i titulluar “Të quajmë terrorist”, bazohet mbi letrën e një të burgosuri çeçen i detyruar nën tortura të tmerrshme të pranojë krime që nuk i ka kryer. I burgosuri tregon se është varur në një shtyllë me duar e këmbë të lidhura, është rrahur e trajtuar me elektroshok e gati i mbytur me një qese plastmasi në kokë. Detaje fatkeqësisht të njohura edhe për dëgjuesin shqiptar, i cili nuk e ka harruar Sigurimin e kohës së komunizmit.

 
Dhoma e Deputetëve në Francë ka miratuar një ligj që e konsideron krim mohimin e genocidit të armenëve gjatë sundimit të Perandorisë Otomane. Ligji, i cili duhet të kalojë tani në Senat, parashikon një vit burg dhe 45 mijë euro gjobë për ata që mohojnë genocidin e armenëve, ndodhur ndërmjet viteve 1915 e 1923, gjatë të cilit humbën jetën 1,5 milion vetë. Reagim i ashpër i Turqisë, ministri i jashtëm i së cilës, e ka konsideruar iniciativën si të papërgjegjshme, të tillë që do të keqësojë marrëdhëniet ndërmjet Parisit dhe Ankarasë. Turqia nuk e ka njohur kurrë masakrën kundër armenëve si genocid, por ka mbështetur gjithnjë tezën se ata kanë qenë viktima të luftës civile, pasojë e shpërbërjes së Perandorisë otomane. Në Francë banojnë rreth 500 mijë armenë, bashkësia më e madhe e këtij populli në Evropë.

 
Nuk dihen akoma shkaqet e përplasjes së avionit të kampionit të bejsbollit amerikan Kori Lidëll me një grataçelë të Manhatenit. Fillimisht u mendua për një sulm terrorist, por më pas policia sqaroi se ishte vetëm një aksident, ku humbën jetën dy persona, ndër të cilët vetë Lidëll, dhe u plagosën 27 të tjerë.

 
Kuvendi i Shqipërisë censuron televizionet. Mediat private, sipas një vendimi administrativ nuk mund të transmetojnë seancat plenare të Parlamentit. Lajmi ka zgjuar edhe interesin e OSBE-së, e cila ka kërkuar sqarime me anë të një letre zyrtare. Sipas Kuvendit, problemi ka të bëjë me rregulloren e parlamentit.







All the contents on this site are copyrighted ©.