2006-10-12 17:38:01

Misioni i Nënë Terezës ndërmjet të varfërve më të varfër vijon përmes veprimtarisë së motrave të së Lumes e të gjithë atyre që e mbështesin bamirësinë e tyre pa kufij.


(12.10.2006 RV) Do të flasim sot për veprimtarinë e një misionari kombonian, që punon përkrah motrave të së Lumes Nënë Terezë në qytezën e barakave të Kairos, ku njerëzit jetojnë mbi plehra e në saje të plehrave.
Qyteza quhet Zabalen dhe është zonë ku nuk shkelin kurrë turistat. Kush i afrohet këtij vendi, mbetet pa frymë për shkak të erës së tmerrshme që përhapet nga plehrat. Kjo zonë, në rrethinat e qytetit të madh, s’është tjetër, veçse një grumbull vigan plehu nën qiell të hapur, ku të varfërit jetojnë duke rrëmuar ndër plehra. Atë Luçiano Verdoshia, kombonian, jeton në Egjipt që nga viti 1994. Si filloi detyrën e drejtorit të një kursi për studime arabo-islamike dhe dialog ndërfetar në Kairo, nisi ta frekuentojë menjëherë lagjen, sidomos të dielave, për të çuar atje Fjalën e Zotit. Pas një viti mori vendim ta lerë karrierën universitare për t’iu kushtuar plotësisht fëmijëve fshesaxhi plehrash. Në mikrofonin e Radios sonë, Atë Luçiani kujton vizitat e para në lagjen e plehrave:

Përgjigje: - Çdo të dielë kisha një emocion të ri në sa hyjshe në këtë lagje, ku kishin hyrë shumë kohë para meje motrat e Nënë Terezës. Së pari shkoja në shtëpinë e tyre, në zemër të lagjes. Pastaj, me ndihmën e misionareve të bamirësisë, nisa të takohem me fëmijët që punonin në mes të plehit ose merreshin me karrocat që mbartnin plehrat. Ishin fëmijë nga mosha 5 deri në 15 vjeç. Duke menduar për nipat e mi, dëshroja që edhe këto fëmijë të jetonin si fëmijët në botën perëndimore, të cilëve ndoshta as nëpër mend s’u shkon sa i ka përkëdhelur fati. Emocionin më të madh e ndjej pranë fëmijëve me të meta fizike, që rriten në prehër të Motrave të Nënës së madhe të të gjithë fëmijëve të pafat, Nënë Terezës. Kisha arsye ta falënderoja Zotin që isha aty.

Pyetje: - Kemi të bëjmë me një lagje shumë të madhe, që jeton me plehrat, por edhe në varrezë….

Përgjigje: - Kjo lagje ndahet në shtatë zona. Në këto zona jetojnë mbledhësit e plehrave; e pastaj është edhe qyteti i famshëm i të vdekurve, dmth varreza e madhe, ku banojnë një numër i madh familjesh; pastaj kemi edhe lagje të tjera e një nga këto, është qyteza e barakave, ku punojnë motrat e Nënë Terezës dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Pyetje: - E dimë se ju, së bashku me motrat e së Lumes Nënë Terezë, përpiqeni shumë për t’u siguruar shkollën këtyre fëmijëve….

Përgjigje: - Duhet bllokuar kalimi nga breznia në brezni i faktorëve që i dënojnë njerëzit të jetojnë në mjerim të plotë. Duhet që fëmijët ta kuptojnë se mund të jetojnë në një mënyrë më dinjitoze, në se e përmirësojnë nivelin tyre arsimor.

Pyetje: - Aktualisht ndiqni 400 fëmijë në dy qendrat e ndihmës, ngritur nga motrat e Nënë Terezës. Ç’ndihmë u jepni?

Përgjigje: - U japim mundësi të studiojnë, të punojnë në një mjedis të pastër, dinjitoz. Shtëpitë e këtyre fëmijëve janë shumë të varfëra. Shpesh gjithë familja jeton në një dhomë të vetme, pa shërbimet e duhura higjienike. Ne u japim të hanë gjëra të ushqyeshme e pastaj u krijojmë mundësitë për vizita mjekësore dhe për ndihmë shoqërore.

Pyetje: - Në këtë çast konfliktesh, edhe ndërfetare, si punoni për promovimin e dialogut ndërmjet bashkëpunëtorëve të krishterë e atyre myslimanë?

Përgjigje: - Kjo shoqatë ka një veçori dalluese: të bëjë gjithçka së bashku me të tjerët. Të krishterë e myslimanë impenjohemi së bashku në punën e ndihmës dhe të ndërhyrjes shoqërore në lagjet më të varfëra. Për mua, si meshtar katolik, është kënaqësi të punoj me vëllezërit myslimanë.

Pyetje: - Ju kanë pritur gjithnjë me dashamirësi??

Përgjigje: - Dy herë të mira jam akuzuar për prozelitizëm fetar e si pasojë është bllokuar vepra: por duhet të them se të parët që më ndihmuan, qenë bashkëpunëtorët e mi myslimanë, që për mua janë si vëllezër. 







All the contents on this site are copyrighted ©.