2006-10-11 15:58:55

Në audiencën e përgjithshme Benedikti XVi i ftoi besimtarët të vijojnë ecjen në rrugën e dialogut në gjurmët e Koncilit II të Vatikanit, por duke e dëshmuar identitetin e krishterë me forcë, qartësi e guxim.


(11. 10. 2006 RV) Këtë mesazh u drejtoi sot Benedikti XVI rreth 35 mijë shtegtarëve nga të katër anët e botës, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme të së mërkurës, duke e marrë shtytjen nga figurat e Simon Kananeut e të Judë Tadeut, apostuj, të cilëve ua kushtoi katekizmin e sotëm. Përmes këtyre dy figurave, Papa kujtoi se Jezu Krishti i zgjodhi nxënësit dhe bashkëpunëtorët e vet nga shtresa të ndryshme shoqërore e fetare, pa bërë asnjë përjashtim, sepse:
“Atij i interesojnë njerëzit, jo kategoritë shoqërore ose etiketat”.
Ishte Jezusi që i bashkonte, që i bënte ta ndjenin veten si një njeri i vetëm – tha Ati i Shenjtë, dhe shtoi:
“E ky është një mësim i vërtetë për ne, që shpesh kemi prirjen të nënvizojmë ndryshimet e ndoshta edhe kundërshtimet, duke harruar se në Jezu Krishtin na jipet forca për t’i zgjidhur konfliktet tona”.
Më pas Ati i Shenjtë citoi disa nga frazat e letrës së Judës Apostull, në të cilën dënohen ashpër ata që shkaktojnë përçarje në gjirin e Kishës. Shkruan Juda: “Ju jap zemër të luftoni për fe që u është dhënë shenjtërve një herë e përgjithmonë. Sepse depërtuan me dredhi ndër ju disa njerëz të patenzonë, që hirin e Zotit e zevendësojnë me ndyrësi dhe e mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin Zotërues e Zotin tonë. Këta njerëz – vijoi të citonte Papa Racinger – që e gjejnë pretekstin në hirin e Hyjit për t’i bërë vëllezërit të dredhojnë rrugë, duke krijuar përçarje në gjirin e Kishës të shtyrë nga ëndrrat e tyre, Juda i krahason me ëngjëjt e dëbuar nga qielli dhe thekson se ndjekin rrugën e Kainit. Nga etja e ndyrë për fitim, jepen pas gabimeve e bëhen njolla në darkat e shenjta të të krishterëve. Janë re pa ujë që erërat i sjellin andej e këndej, janë lëndë vjeshtake pa fryt, dy herë të thata, pa rrënjë, valë të tërbuara deti, që përplasin në breg paturpësitë e veta, yje të këputura, endacake, për të cilat ruhet terri i përjetshëm. Janë njerëz që murmurojnë e ankohen, jetojnë sipas prirjeve të veta të pacipa, të ledhatuar nga disa, që duan vetëm të nxjerrin fitim prej tyre. Janë njerëz shtazorë, nuk e kanë Shpirtin Shenjt! – citoi Papa - dhe në vijim vërejti: “Ndoshta ne nuk e përdorim më fjalë kaq polemike, por edhe në se përdorim figura poetikisht të bukura, nuk harrojmë ta themi qartë si atë që mbetet shenja dalluese e të krishterit, si atë që nuk pajtohet me krishterimin.
Koncili II i Vatikanit – vijoi Shenjtëria e Tij - u ka mësuar katolikëve rrugën e ndjesës e të dialogut, rrugë që do të vijojë të ndiqet me vendosmëri. Por kjo nuk do të thotë të harrojmë se e kemi për detyrë t’i vemë në dukje gjithnjë, me të njëjtën forcë, tiparet themelore të identitetit tonë të krishterë, nga të cilat nuk mund të hiqet dorë, në emër të një pluralizmi të keqkuptuar.
“Duhet ta kemi të qartë se identiteti ynë kërkon forcë, qartësi e guxim përballë kundërshtimeve të botës në të cilën jetojmë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.