2006-10-10 16:04:54

U publikua në kanalin vatikanas të internetit varianti përfundimtar i fjalimit të Papës në Regensburg, i pajisur edhe me shënimet përkatëse.


(10.10.2006 RVRealAudioMP3 Për Kuranin kam atë respekt që duhet pasur për librin e shenjtë të një feje të madhe”. Këto janë fjalët që mund t’i lexojmë në shënimin n. 3, i cili sqaron tekstin e fjalimit të njohur që mbajti Papa Racinger më 12 shtatorin e kaluar. Shënimet, për të cilat pikërisht ditën kur Papa mbajti fjalimin, u njoftua se do të delnin së shpejti, tashmë janë publikuar; e jo thjeshtë si shënime, por të pajisura edhe me sqarime të reja, duke pasur parasysh debatin e zjarrtë dhe polemikat e shumta që vijuan disa ditë ndërmjet Selisë së Shenjtë e botës myslimane pak javë më parë.
Shënimi n. 3, më domethënësi, ka të bëjë me dialogun ndërmjet perandorit bizantin Manuelit II Paleolog dhe dijetarit persian, në të cilin i pari njolloste Muhametin; e është pikërisht ky fragment që i ngacmoi më shumë përfaqësuesit e islamit.
Ndërkaq në këtë shënim lexojmë: “Ky citim, për fat të keq, u kuptua nga bota myslimane si shprehje e qëndrimit tim personal, duke shkaktuar kështu një zemrim të kuptueshëm. Shpresoj se lexuesi i tekstit tim do ta kuptojë menjëherë se kjo frazë nuk shpreh vlerësimin tim personal ndaj Kuranit, për të cilin kam atë respekt që duhet pasur për librin e shenjtë të një feje të madhe. Duke cituar tekstin e perandorit Manueli II, qëllimi im i vetëm ishte të vija në dukje lidhjen thelbësore ndërmjet fesë dhe arsyes. Në këtë pikë jam dakord me Manuelin II, por pa e bërë timen polemikën e tij.
Pra nuk kemi të bëjmë fare me një fyerje. E kjo sqarohet edhe më mirë nga vetë fragmenti aq i diskutuar. Ja ç’shkruhet në të: “Në bisedën e shtatë të botuar nga profesor Khoury – pohoi në Regensburg Benedikti XVI – perandori prek temën e xhihadit, të luftës së shenjtë. Sigurisht perandori e dinte se në suren 2, 256 të Kuranit shkruhet: “Nuk duhet të ketë asnjë detyrim në punët e fesë”. Ka shumë mundësi që kjo të jetë një nga suret e periudhës fillestare – siç shprehet një pjesë e specialistëve – në të cilën vetë Muhameti ishte akoma pa forcë e për më tepër, edhe i kërcënuar.
Gjithsesi, vijoi Papa Racinger – perandori i njihte mirë edhe udhëzimet e mëvonshme që kanë të bëjnë me luftën e shenjtë, fiksuar në Koran. Pa u ndalur në hollësira, siç janë ndryshimi i trajtimit të atyre që e njohin “Librin”, dhe të pafeve, ai me një ashpërsi tepër të madhe, që për ne është e papranueshme – i drejtohet bashkëbiseduesit të vet me pyetjen themelore mbi marrëdhëniet ndërmjte fesë e dhunës, duke i thënë: “Më trego, pra, ç’të reja solli Muhameti, e do të gjesh ndër to vetëm gjëra të këqija e çnjerëzore, siç është udhëzimi i tij për ta përhapur fenë që predikonte me teh të shpatës”.
Pikërisht në përfundim të këtij citimi vendoset shënimi n. 3, që e shpjegon përsëri keqkuptimin, duke sqaruar edhe domethënien e vërtetë të diskutimit të hapur nga Papa. Perandori – vijon menjëherë teksti – si foli kaq rëndë – shpjegon arsyet pse i duket krejtësisht e paarsyeshme përhapja e fesë me dhunë. “Dhuna – pohon Papa Racinger – është në kundërshtim me natyrën e Zotit e me natyrën e shpirtit. Zotit nuk i pëlqen gjaku – vijon Papa – e të të mos veprosh sipas arsyes, do të thotë të veprosh në kundërshtim me natyrën e Zotit. Feja është fryt i shpirtit e jo i trupit. Ai që dëshron t’i prijë tjetrit në fe, duhet të ketë aftësinë të flasë mirë e të arsyetojë drejt, e jo të përdorë dhunën e kërcënimin.
Për ta bindur një shpirt të arsyeshëm – vijonte citimi i perandorit nga ana e Papës – nuk është e nevojshme të kesh as krah të fortë, as mjete të tjera për ta goditur tjetrin ose për ta kërcënuar me vdekje.
Pohimi përfundimtar i këtij argumentimi kundër ndërrimit të fesë me dhunë – vijoi të pohojë Papa - është: “Të mos veprosh në përkim me arsyen, do të thotë të veprosh në kundërshtim me Zotin”. E pikërisht këtu kemi shënimin n. 5, përmes të të cilit Papa pohon: “E citova dialogun ndërmjet Manuelit e bashkëbiseduesit të tij persian thjeshtë për të arritur në këtë pohim. E nga ky pohim buron edhe tema e reflektimeve të mia të mëpasme.
Reflektimet e Papës – përfundojmë neve – i drejtohen posaçërisht botës perëndimore për t’i kujtuar këtë mësim themelor: “Në se arsyeja dhe feja bashkohen në mënyrë të re, bëhen të afta për dialogun e vërtetë ndërmjet kulturave dhe feve, dialog – pohon Benedikti XVI – për të cilin kemi nevojë urgjente.







All the contents on this site are copyrighted ©.