2006-10-09 18:39:26

Prova bërthamore e Koresë së Veriut dhe vrasja e gazetares ruse, pas hetimeve mbi qeverinë Putin e lajme të tjera.


(09.10.06)RealAudioMP3 Prova bërthamore e Koresë së Veriut dhe vrasja e gazetares ruse, pas hetimeve mbi qeverinë Putin, janë lajmet në plan të parë të panoramikës së sotme.
Pas kërcënimeve ja edhe faktet. Koreja e Veriut kreu sot në orët e para të mëngjesit provën bërthamore të nëndheshme, të cilën e kishte paralajmëruar prej ditësh. Sipas komunikatës zyrtare të Piongjangut, eksperimenti atomik “do të kontribuojë në ruajtjen e paqes në gadishullin korean”.
Bomba që shpërtheu kur akoma ishte natë kishte një fuqi sa gjysma e bombës atomike, që pat shkatërruar Hiroshimën dhe shkaktoi një tërmet prej 3,5 - 3,7 gradësh të shkallës Richter. Nga të gjitha anët e botës, nga NATO-ja e Bashkimi Evropian, nga shtete e organizma të tjera ndërkombëtare është ngritur lart zëri i protestës dhe i kritikës, por si përgjigje, autoritetet koreanoveriore e kanë konsideruar këtë provë si ngjarje historike për vendin. Sot pasdite, sipas orës evropiane, është mbledhur me urgjencë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili e ka dënuar fuqishëm gjestin. Po diskutohet mbi një rezolutë të propozuar nga SHBA. Françesko Sishi, korrespondent i gazetës italiane “La Stampa” në Pekin shpjegon në mikrofonin e Radio Vatikanit, arësyen e kryerjes së këtij testi nga dinastia e vetme staliniste në botë:
Arësyeja zyrtare për Korenë e Veriut është ligjshmëria e pasjes së një arme bërthamore për mbrojtjen kombëtare. Por ekzistojnë, motive të tjera, të lidhura me shantazhin drejt vendeve fqinjë, shantazh i tipit: “Ose i jepni ushqime dhe furnizime me energji Koresë së Veriut, ose Piongjangu do t’ju tërheqë në një apokalips bërthamor”. Meqë po vjen dimri dhe ekonomia e Koresë së Veriut është jashtëzakonisht në rrezik, pasi varet nga Kina në masën 50% përsa u përket ushqimeve dhe 70% përsa i përket furnizimit me energji, ky përfaqëson një nga momentet e fundit në të cilin Piongjangu mund të kërcënojë botën dhe Kinën në veçanti.

Prova bërthamore e kryer nga Korea e Veriut është një kërcënim për mbarë botën e për ekuilibret e brishta të Azisë Lindore. Menjëherë janë kthyer sytë nga Irani, i cili pas testit të Piongjangut ka deklaruar se është për një botë “pa armë bërthamore”. Por në të njëjtën kohë, presidenti i Republikës Islamike, Ahmadinexhad ka sqaruar se çdo lloj sanksioni që të vendosë bashkësia ndërkombëtare “nuk do ta ndalojnë programin bërthamor” të nisur prej tij. Madje, Irani do të ushtrojë sanksione nga ana e tij kundër të gjitha atyre shteteve që do të vendosin për një gjë të tillë. Ndërkaq, është shtyrë udhëtimi i ish-presidentit Khatami, i cili më 27 tetor duhej të merrte pjesë në një konferencë mbi dialogun islamo-kristian në Universitetin Gregorian të Romës. Është anulluar gjithashtu edhe takimi i tij me Papën Benedikti XVI.

Nuk ka akoma emër vrasësi i gazetares ruse Ana Politkovskaja, e famshme në të gjithë botën për hetimet e saj mbi dhunimet e të drejtave të njeriut kryer nga qeveria e presidentit aktual Putin, në veçanti në Ceçeni. Vrasja ka tronditur thellë Bashkimin Evropian dhe krerët e SHBA-ve, të cilët i kanë kërkuar Rusisë të gjejë menjëherë autorët dhe ata që fshihen pas tyre. Ky rast hedh një hije të re mbi demokracinë ruse, e cila është në vendin e 138-të për lirinë e shtypit në një listë të organizatës “Reporterë pa kufi”, ku janë marrë në shqyrtim 167 shtete. Funerali i gazetares zhvillohet nesër në Moskë.

Somalia shpall “xhihadin”, pra luftën e shenjtë, kundër Etiopisë. Kjo është deklarata e liderit të kohorteve islamike, Ahmed. Sot paradite trupa etiopike dhe të qeverisë somale të tranzicionit pushtuan qytetin e Bur Hakabës, i cili ndodhet në duart e milicianëve që prej qershorit të kaluar. Është ofensiva e parë e Etiopisë brenda territorit somal.

Një nga vëllezërit e zv.presidentit të Irakut, sunitit Tarek al Hashemi, u vra sot paradite. Vetëm pak ditë pas emërimit, në prill të vitit 2006, zv.presidenti humbi edhe një vëlla tjetër e një motër, gjithnjë të vrarë në atentate. Po sot, në Bagdad, 11 irakenë u rrëmbyen nga një komando e armatosur, ndërsa në Bakuba u vranë dy funksionarë të lartë të policisë dhe katër agjentë. Nga ana tjetër, ka rifilluar procesi kundër Sadam Hyseinit për masakrën e 180 mijë kurdëve gjatë së ashtuquajturës Fushatë e Anfalit në vitin 1988.

Gjithnjë përgjakje në Afganistan. Gjatë luftimeve të ashpra të 48 orëve të fundit ndërmjet policsë dhe talebanëve kanë gjetur vdekjen rreth 54 prej këtyre të fundit. Në planin politik, presidenti Karzai ka deklaruar se në dhjetor do të organizojë një “xhirga”, apo një asamble tribale me krerët e tribuve që jetojnë në të dyja anët e kufirit me Pakistanin. Përpjekja e presidentit ka për qëllim t’i japë fund kryengritjes së talebanëve, duke bindur autoritetet pakistaneze që të mos u ofrojnë më mbështetje.

Kalojmë në Lindjen e Mesme. Sipas OKB-së, 124 vetë janë vrarë e plagosur nga bombat e hedhura në Libanin jugor nga izraelitët në konfliktin që përfundoi në gjysmën e gushtit. Ndërkaq, kryeministri palestinez, anëtar i lëvizjes integraliste Hamas, e ka përkufizuar si “problematike” iniciativën e paqes të ndërmarrë nga Lidhja arabe, e cila parashikon njohjen e Izraelit.

I dërguari i veçantë i OKB-së për Kosovën, Martti Ahtisaari deklaroi sot paradite në një seminar të Parlamentit finlandez se ka dyshime mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve për statusin e Kosovës. Palët, sipas tij, kanë qëndrime diametralisht të kundërta. Ndërkaq, Rusia i ka dërguar Bashkimit Evropian një letër ku kërkohet që statusi i Kosovës të mos i imponohet Serbisë.

Që sot, ministri ijashtëm i Koresë së Jugut, Ban Ki-Mun është sekretari i ri i përgjithshëm i OKB-së. Ai zëvendëson Kofi Annanin, por duhet të presë edhe votimin e asamblesë së përgjithshme, e cila pa dyshim do të konfirmojë emërimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.