2006-10-09 17:12:17

Politika e sigurimit të shteteve nuk mund t’i cënojë të drejtat e njerëzve që kërkojnë strehim politik.


(9.10.2006 RV)Masat për kontrollin e emigrimit të paligjshëm nuk duhet të cënojnë të drejtat e atyre që kërkojnë strehim” – pohoi Antonio Guterres, Komisioner i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare t’u garantojë mbrojtje viktimave të dhunës e të persekutimit, posaçërisht në një kohë kur në shumë shoqëri sundon intoleranca. Në mbyllje të punimeve të Komitetit Ekzekutiv të Agjensisë së OKB-së për refugjatët mbledhur javën e kaluar në Gjenevë, Guterres, duke kujtuar klandestinët që kanë hyrë kohët e fundit në Spanjë e në Itali, nënvizoi se, ndonëse shumica janë larguar nga vendi për shkaqe ekonomike, mbeten njerëz që kanë nevojë për mbrojtje, pavarësisht nga e drejta e shteteve për ruajtjen e kufijve të tyre.
Në kryeqytetin helvetik ishin të pranishëm delegatët e 70 vende të ndryshme, ndërmjet të cilëve edhe Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së së Gjenevës, kryeipeshkvi Silvano Tomazi i cili, duke kujtuar se sot në botë numrohen 9 milionë refugjatë e 24 milionë të tjerë, që jetojnë si refugjatë brënda vendeve të tyre, ngriti para bashkësisë ndërkombëtare problemin e domosdoshmërisë së zhdukjes nga harta e botës të atyre që ai i quajti “njolla të zeza”, dmth të kampeve të refugjatëve e të të shpërngulurve. Prelati kujtoi edhe një herë se bashkësia ndërkombëtare mund ta shërojë këtë plagë, duke përdorur vetëm një pjesë të mijëra miliona dollarëve që shpenzon për armatime.









All the contents on this site are copyrighted ©.