2006-10-09 17:03:53

Bota ka nevojë për familje që nuk rrëmbehen nga rrymat moderne kulturore, të frymëzuara nga hedonizmi dhe relativizmi: këtë theksoi dje, Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot.


(9.10.2006 RV)RealAudioMP3 Martesa dhe familja ishin dje në qendër të vëmendjes në fjalët e Benediktit XVI gjatë lutjes së parë të Engjëllit të Tënzot kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, pas periudhës verore të kaluar në Kastel Gandolfo. Reflektimi i Atit të Shenjtë u frymëzua nga përgjigjet e Jezusit për martesën në Ungjillin e së dielës.
“Ndjehet nevoja për familje që nuk rrëmbehen nga rrymat moderne kulturore, të frymëzuara nga hedonizmi dhe relativizmi; përkundrazi, janë të gatshme ta kryejnë me përkushtim fisnik misionin e tyre në Kishë e në shoqëri”. Këtë ripohoi Benedikti XVI, duke shtuar:
“Të vetëdijshëm për hirin që kanë marrë, uroj që bashkëshortët e krishterë të ndërtojnë një familje, e cila është e gatshme të dhurojë jetë dhe e aftë të përballojë, e bashkuar, sfidat e shumta e të ndërlikuara të kohës sonë. Posaçërisht sot ndjehet fuqimisht nevoja për dëshminë e tyre”.
Mendimi im shkon tek të gjithë bashkëshortët e krishterë – tha Papa - duke falënderuar së bashku me ta Zotin për dhuratën e Sakramentit të martesës dhe duke i nxitur të gjithë bashkëshortët t’i qëndrojnë besnikë thirrjes së tyre në çdo stinë të jetës, ‘në gëzim e në dhimbje, në shëndet e në sëmundje’, siç kanë premtuar në ritin sakramentor.
Benedikti XVI kujtoi se në Ungjillin e djeshëm, atij që i drejtoi pyetjen në se i lejohet burrit ta ndajë gruan e vet, siç parashikonte norma e ligjit mozaik , Jezusi iu përgjigj se kjo ishte një leje e dhënë nga Moisiu për shkak të zemërgurësisë së njerëzve, ndërsa e vërteta mbi martesën nis që në fillimin e krijimit, kur Hyji – siç shkruhet në Librin e Zanafillës – i krijoi mashkull e femër; për këtë arsye burri do të lerë të jatin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm. Njeriu të mos e ndajë atë që e ka bashkuar Zoti!”.
E Benedikti XVI nënvizoi se pikërisht ky plan fillestar i Zotit kujtohet edhe nga Koncili II i Vatikanit në Kushtetutën Gaudium et Spes, ku lexohet: “Bashkimi intim i jetës dhe i dashurisë bashkëshortore, themeluar nga Krijuesi, ndërtohet sipas ligjeve të veta e përcaktohet nga marrëveshja bashkëshortore … duke pasur parasysh se autor i martesës është vetë Zoti”.
Më pas Papa vijoi të nënvizonte se në Nxitjen Apostolike Familiaris Consortio shërbëtori i Hyjit, Gjon Pali II ka shkruar se Sakramenti i martesës i bën bashkëshortët dhe prindërit e krishterë dëshmitarë të Krishtit deri në skajet më të largëta të tokës, i bën misionarë të mirëfilltë të dashurisë dhe të jetës. Benedikti XVI shpjegoi se ky mision është i drejtpëdrejtë si brënda familjes, posaçërisht në shërbimin reciprok dhe në edukimin e fëmijëve, ashtu edhe jashtë familjes, sepse bashkësia shtëpijake është e thirrur të bëhet shenjë e dashurisë së Zotit për të gjithë.
Në vijim Papa foli fjalë inkurajuese, duke theksuar kufizimet njerëzore por edhe mësimin e bazës. Ati i Shenjtë shpjegoi se ky është mision që familja e krishterë mund ta kryejë plotësisht vetëm me ndihmën e hirit hyjnor.
“Prandaj është e nevojshme që bashkëshortët të luten pa u lodhur kurrë e të vijojnë përpjekjen e përditshme për t’i mbajtur premtimet e bëra ditën e martesës. I lutem Zojës së Bekuar dhe fatit të saj, Shën Jozefit, të ndërmjetësojnë pranë Zotit për të gjitha familjet, posaçërisht për ata që kalojnë çaste të vështira: “Mbretëreshë e familjes, lutu për ne!”.
Pas lutjes mariane një përshëndetje të përzemërt Papa u drejtoi 350 të rinjve misionarë, besimtarë të famullive dhe anëtarë të shoqatave, lëvizjeve dhe bashkësive të dioqezës së Romës, të cilët këto ditë, së bashku me disa meshtarë, rregulltarë e seminaristë, organizuan për herë të tretë misionin e “të rinjve për të rinjtë”, titulluar “Jezusi në qendër”.
“Miq të dashur, ju përgëzoj për impenjimin tuaj gazmor të predikimit të Ungjillit nëpër rrugë e ndër sheshe, ndër shkolla e spitale si dhe ndër vendet ku çlodhet rinia romake. Ju nxis ta vijoni këtë stil misionar në jetën e përditshme, duke përfituar gjithnjë më shumë nga nismat edukative dioqezane”.
Ndër përshëndetjet në gjuhë të ndryshme, kujtojmë urimin frëngjisht, që të rinjtë të rizbulojnë vlerën e martesës e pastaj, ftesën drejtuar institucioneve publike për të mbështetur institucionin bashkëshortor e familjar.
Në spanjisht Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme shtegtarëve të Bazilikës të Zojës së Angustias në Granadë.
Në polonisht kujtoi kremtimin e së shtundes të Zojës Rruzare, duke i nxitur besimtarët ta thonë vazhdimisht Rruzaren shenjte e duke kujtuar se Gjon Pali II ka shkruar: “Me Rruzaren, populli i krishterë ulet në shkollën e Virgjërës Mari, për të hyrë kështu në kundrimin e bukurisë së fytyrës së Krishtit dhe në përvojën e thellësisë së dashurisë së tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.