2006-10-07 18:02:37

Sot në Fiezole u shpall e Lume Maria Skrili.


(8.10.2006 RV)Sot, në Fiezole, pranë Firences, u shpall e Lume Maria Tereza e Jezusit, në shekull Maria Skrili, themeluese e Institutit të Motrave të Zojës së Karmelit, vdekur më 1889. Kremtimin e kryesoi prefekti i Kongragatës për Çështjet e Shenjtorëve, Hosè Saraiva Martìns. Për të na folur për jetëshkrimin e së Lumes, ftuam në mikrofonin e Radios sonë motrën Maria Stela Marcano, sekretare e përgjithshme e Kongregatës dhe zevendës-postulatore e çështjes së lumnimit:
Pyetje: - A mund të na flisni shkurtimisht për jetëshkrimin e së Lumes?
Përgjigje: - Maria Skrili lindi në Montevarki, pranë Arecos, më 15 maj 1825. Ishte fëmija i dytë i një familjeje borgjeze. Edukimi i saj iu besua mësueseve private. Që në moshë të njomë iu kushtua me gjithë zemër lutjes. Në vitin 1846 hyri në kuvendin e motrave karmelitane të Shën Maria Madalena Pacit në Firence, duke menduar ta realizonte aty thirrjen për t’ia kushtuar gjithë jetën Zotit. Por Hyji e frymëzoi të ndiqte një rrugë tjetër. U shkrua në urdhërin e tretë karmelitan dhe, si u kthye në Montevarki, nisi misionin e edukatores si drejtoreshë e shkollave normale femërore. Më 15 tetor 1854, së bashku me disa shoqe, themeloi një institut të ri rregulltar. Motrat kishin si qëllim të ishin kundruese e edukatore. Në vitin 1859, për shkak të vështirësive politike që kalonte Italia, Instituti u mbyll e Nëna themeluese u detyrua të vendosej në Firence ku në vitin 1875, me disa nga shoqet e vjetra, e riorganizoi bashkësinë. Nënë Maria Tereza Skrili vdiq më 14 nëntor 1889, ditë në të cilën Karmeli kremton shenjtorët e vet.
Pyetje: - Cili është mesazhi i së Lumes për njerëzit e ditëve tona?
Përgjigje: - Nëna Maria Tereza përfaqëson shenjtërinë e njeriut të thjeshtë, që i thotë ‘po’ Zotit ditë për ditë. Jetoi me thjeshtësi e besnikëri. I tregoi botës se pasuria e Zotit vlen më shumë se të gjitha pasuritë e botës. Mori anën e të ligshtëve, sidomos të vajzave, asokohe të paemancipuara, duke provuar se fisnikëria e vërtetë qëndron në aftësinë ungjillore për t’ia kushtuar gjithë jetën Zotit e të afërmit nevojtar. E Lumja na tregon të gjithëve si duhet të jetojmë, për të qenë shenjtorë e për të ndërtuar së bashku qytetërimin e dashurisë si burra e gra që e pranojnë dhuratën e thirrjes së Zotit e i përgjigjen pa asnjë kusht dashurisë së tij të pakufishme, me një gjallëri jete shpirtërore që përshkon çdo përmasë njerëzore e farkëton shenjtorë në çdo vend e në çdo kohë.








All the contents on this site are copyrighted ©.