2006-10-07 12:05:11

Shenjtorët e javës së ardhshme sipas Kalendarit kishtar:


(8.10.2006 RV) RealAudioMP3 Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXVII të kohës gjatë vitit kishtar. Përkujtoi edhe Shën Pelagenë, virgjër e martire.
Nesër, e hënë, do të kremtojë festën e Shën Dionisit e shokëve të tij, martirë; të Shën Leonardit, meshtar, themelues i Klerikëve rregulltarë të Nënës së Zotit, dhe të Shën Abrahamit, patriark. Duke i kremtuar, na lind pyetja më e rëndësishme që duhet t’ia drejtojë vetes çdo njeri: “Ç’duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”. Përgjigja është : “Të duash Zotin e të afërmin, ashtu si na e kujton Benedikti XVI në Enciklikën “Zoti është dashuri”.
Të martën do të përkujtohen Shën Danieli e shokët e tij, martirët e parë françeskanë dhe Shën Françesk Borgja. Liturgjia e festës së tyre na kujton se Jezusi sigurisht nuk e nënvleftëson punën e Martës, në shtëpinë e së cilës pret të ushqehet. Duke lavdëruar sjelljen e Marisë, kërkon të tërheqë vëmendjen mbi rëndësinë e pranisë së Tij e të na kujtojë se asgjë në botë nuk duhet të na hutojë para dëgjimit të fjalës së Zotit.
Shën Firmini, diakon, Shën Aleksandër Sauli, ipeshkëv i Pavisë dhe i Lumi Gjoni XXIII papë, që do të kremtohen të mërkurën e ardhshme, na kujtojnë se duke na dhuruar ‘Atynën”, Jezusi deshi të na mësonte sjelljen e bijve që lidhen ngusht me Atin, me të cilin bashkojnë vullnetin, ndjenjat, jetën; nga i cili kërkojnë t’u japë bukën e përditshme, t’ua falë mëkatet, t’u japë jetë, t’i çlirojë nga i keqi.
Të enjten e ardhshme, festa liturgjike e Zojës së Bekuar, Nënës së Kishës, na kujton se po të besojmë në lidhjen e Atit me bijtë, në bazë të ‘Atynës’, rruga që na çon në takimin me Zotin do të jetë gjithnjë e lirë: do të na jipet ajo që kërkojmë, do të gjejmë atë që lypëm, do të na hapet porta ku kemi trokitur. Po a e kemi besimin e duhur për ta arritur këtë?
Të premten e ardhshme Kisha do të përkujtojë Shën Teofilin, ipeshkëv i Antiokisë. Festa e tij na tregon se Jezusi erdhi në botë për ta çliruar njeriun nga shejtani. Fitorja e tij është e sigurtë, sepse ai është më i fortë. E si mund të mos mbajmë anën e tij? Kush e gënjen veten se mund të luftojë i vetem, jo vetëm që do të bjerë në kthetrat e së keqes, por nuk do të mund të çlirohet më prej saj.
Të shtunën do të kremtohet festa e Shën Kalistit, papë e martir, që na fton t’i këndojmë Zotit, sepse ai është Hyji ynë, të cilit duhet t’ia dëgjojmë fjalën e të jetojmë sipas vullnetit të Tij.









All the contents on this site are copyrighted ©.