2006-10-06 19:48:10

OKB-ja mundohet te ndal provat berthamore te Korese veriorore e lajme tjera


(6.10.06. RV) Takim i dyfishtë ndërkombëtar sot në Londër dhe Nju Jork, ku u shqyrtuan programet bërthamore në Iran e në Korenë e Veriut. Në Pallatin e Qelqit të OKB-së në Nju Jork u fol mbi ambiciet atomike të qeverisë së Piong-jangut, e cila mund të përdorë një minierë të braktisur në veri, në kufi me Kinën, për provën bërthamore. Burime amerikane kanë deklaruar se prova bërthamore që ka alarmuar bashkësinë ndërkombëtare mund të kryhet gjatë fundjavës.
Ndërkaq, Ministrat e Jashtëm të 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit plus Gjermaninë kanë analizuar në Londër dosjen e Teheranit. Është e pamundur të arrihet sot një marrëveshje pasi mungon sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs, së cilës iu desh të priste rregullimin e një difekti në avionin e saj para se të nisej nga Iraku.

Përfundoi pra vizita e papritur e Kondolica Rajs në Irak. Sot paradite ajo qe në Kurdistan, ku i nxiti kurdët të bashkëpunojnë me shiitët dhe sunitët sidomos në çështjen e ndarjes së të ardhurave që vijnë nga shtiblerja e naftës dhe e gazit.
Komanda amerikane në Irak ka njoftuar se dy ushtarë të SHBA kanë mbetur dje të vrarë në provincën e Al-Anbarit. Në Mosul, është sulmuar kisha kaldee e Shpirtit të Shenjtë duke shkaktuar plagosjen e njërit prej rojeve.

Për parandalimin e luftën kundër terrorizmit është arritur një marrëveshje ndërmjet Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve mbi përdorimin e informacioneve private në sektorin e transportit ajror. Është marrë në shqyrtim sidomos mundësia që CIA dhe FBI të kontrollojnë të dhënat që japin udhëtarët kur presin biletën për në SHBA.

“Zgjidhja e çështjes së Qipros është vendimtare për hyrjen e Turqisë në Evropë”. Kështu deklaroi sot kancelarja gjermane Anxhela Merkel, e cila ndodhet për vizitë në Stamboll. Ajo i kërkoi qeverisë së Ankarasë të përshpejtojë procesin e normalizimit të ishullit. Pas pushtimit të ishullit më 1974, zona veriore është vetëshpallur Republika turke e Qipros.

Në Hungari, kryeministri Ferenc Gjurçani kërkoi sot zyrtarisht falje para zgjedhësve të cilët i ka gënjyer për t’u marrë votat. Parlamenti i dha sërish votëbesimin atij dhe qeverisë së tij. Gjyrçani premtoi të zbatojë me përpikmëri programin e tij ekonomik.

Segretari i ri i përgjithshëm i OKB-së duket se do të jetë ministri i jashtëm i Koresë së Jugut, Ban Ki-Moon, i cili ka fituar gjithnjë në votimet orientuese, i fundit prej të cilëve u zhvillua dje. Gjithnjë dje, u tërhoqën tre kandidatë: presidentja e Letonisë, ish-ministri afgan i Financave dhe ish-zv.ministri tajlandez. Mandati i sekretarit aktual, Kofi Annan skadon në fund të vitit.

Një sëmundje e mistershme ka shkaktuar vdekjen e së paku 27 personave në Panama. Nuk janë të qarta shkaqet e kësaj patologjie, e cila kap veshkat dhe shkakton dëme neurologjike. 10 persona të tjerë, të cilët duket se janë prekur nga e njëjta sëmundje, paraqesin të njëjtat simptoma me viktimat, si ethe dhe paralizë të pjesshme.

Edhe Greqia, shteti më ortodoks i Bashkimit Evropian vendos të lejojë ndërtimin e një xhamie, madje në kryeqytetin e saj Athinë, madje me fondet e qeverisë. Xhamia do të kushtojë rreth 15 mijë euro e do të ndërtohet brenda tri viteve të ardhshme. Në maj të këtij viti, rreth 10 mijë myslimanë që jetojnë në vend kanë nënshkruar një peticion ku kërkojnë një vend kulti. Janë shtuar edhe presionet e ambasadave të vendeve myslimane në këtë drejtim.

Partia Socialiste e Shqipërisë ka deklaruar sot vendimin e saj te prere per të mos marrë pjesë ne zgjedhjet lokale. Sipas selisë rozë, certifikatat aktuale manipulojne zgjedhjet dhe ky eshte tashme nje plan i perseritur. Presidenti Moisiu u shpreh në Korçë se do të presë deri më 15 nëntor që partitë politike të vendosin për datën e zgjedhjeve, më pas do të veprojë vetë sipas Kushtetutës.








All the contents on this site are copyrighted ©.