2006-10-06 18:02:41

Këshilli Papnor për Drejtësi e Paqe publikon një dokument për luftën kundër korrupsionit në botë.


(6.10.2006 RV)“Lufta kundër korrupsionit” . Ky është titulli i Notës së Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, që doli nga shtypi në Shtëpinë Botuese të Vatikanit. Teksti botohet pas Konferencës ndërkombëtare të dikasterit të Vatikanit, mbajtur në qershorin e kaluar në prani të funksionarëve, studiuesve e diplomatëve të vendeve të shumë vendeve të botës. Në qendër të vëmendjes së Konferencës ishte natyra e fenomenit të korrupsionit në nivel ndërkombëtar si dhe metodat më të suksesshme për ta luftuar, duke sqaruar edhe kontributin që mund të japë Kisha në këtë drejtim.
Analizës së fenomenit të korrupsionit, që u mohon popujve të mirën e përbashkët të ligjshmërisë, i kushtohet pjesa e parë e Notës. Vihet posaçërisht në dukje një e dhënë e rëndësishme: korrupsioni ka ekzistuar gjithnjë. Ai nuk njeh kufij politikë e gjeografikë, as pengesa shoqërore, e kjo do të thotë se prek vende të pasura e të varfëa, shtete të veçanta e organizma ndërkombëtare. Është e vërtetë se popujt janë bërë të vetëdijshëm për këtë fenomen vetëm pak vjet më parë, duke ndjerë kështu edhe nevojën për ta luftuar e duke kërkuar mjete për ta përballuar këtë luftë. E kjo u bë e mundur edhe në saje të përfundimit të blloqeve ideologjike pas 1989-tës si dhe të globalizimit të informacionit.
Një e dhënë tjetër e sigurtë – lexohet në Notë – është dëmi i rëndë që sjell korrupsioni: material në radhë të parë, sepse përvetëson burimet nga ekonomia dhe nga politikat shoqërore, për shkak të mungesës së transparencës në financën ndërkombëtare dhe të pabarazisë së sistemeve juridike. Është një dëm cilësor kundër jetës, sepse ushqen mosbesimin në institucionet, duke kufizuar kështu funksionimin e tyre. Dëm tjetër që shkakton korrupsioni, sanksionuar nga Përmbledhja e doktrinës shoqërore të Kishës, është deformimi i rëndë i sistemit politik, i rolit të vetë institucioneve, të cilat përdoren si terren shkëmbimesh ndërmjet kërkesave të klientëve e shërbimeve të qeveritarëve.
Ç’duhet bërë atëhere? Kësaj pyetjeje i përgjigjet pjesa e dytë e Notës së Këshillit Papnor. Pozitiv është kalimi nga shoqëritë diktatoriale e të izoluara në shoqëritë demokratike e të hapura, me kusht që ky kalim të mos minojë miratimin etik të nënshtetasve dhe bazat e shëndosha të lidhjeve shoqërore. Për t’i shmangur këto rreziqe, doktrina shoqërore e Kishës vë theksin mbi konceptin e ekologjisë njerëzore, dmth mbi respektin e strukturave themelore natyrore e morale që ia ka dhuruar njeriut Krijuesi. Mungesa e tyre ushqen korrupsionin. Por Kisha mund ta parandalojë këtë fenomen negativ e të rrezikshëm jo vetëm duke punuar për edukimin e njeriut me parime si ai i dinjitetit njerëzor, i pasurisë së përbashkët, i solidaritetit, i ndihmës, por edhe duke i nxitur njerëzit të jetojnë sipas këtyre parimeve.
Në përfundim vihet theksi mbi nevojën e luftës kundër korrupsionit në nivel ndërkombëtar: për ta fituar këtë luftë, është e nevojshme transparenca e marrëveshjeve dhe harmonizimi i ligjshmërisë e, ndoshta, edhe krijimi i një autoriteti të pavarur që të kontrollojë krimet. Në këtë nivel janë të thirrura të bashkëpunojnë edhe kishat e vendeve të ndryshme të botës.









All the contents on this site are copyrighted ©.