2006-10-05 16:45:08

Më shumë fonde ekonomike, por edhe vullnet politik e hapje kulturore në ndihmë të refugjatëve në botë. Këtë theksoi kryeipeshkvi Silvano Tomazi në Kombet e Bashkuara në Gjenevë.


(5.10.2006 RV)Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, duke folur në Komitetin Ekzekutiv të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, mbledhur në qytetin helvetik, kërkoi ndihma ekonomike për miliona refugjatë që enden nëpër botë. Do të mjaftonte – theksoi prelati – vetëm një pjesë e vogël e parave, të cilat shpenzohen për armatime, për të lehtësuar vuajtjen e njerëzve të pambrojtur, që kapërcejnë dete e shkretëtira, për të shpëtuar nga luftërat, nga dhunimi i të drejtave të tyre, nga etja e nga uria.
Në dhjetë vitet e fundit, ndërmjet 1996-ës e 2005-ës – denoncoi imzot Tomazi – shpenzimet ushtarake janë rritur 35%, duke arritur shifrën marramendëse 1. 118 miliard dollarë. Por, përveç fondeve më të mëdha–shtoi prelati – është i nevojshëm edhe vullneti politik si dhe edukimi kulturor i opinionit publik. Qindra jetë të humbura kohët e fundit në kërkimin e dëshpëruar të një jete më të sigurtë e më të mirë – vërejti prelati – janë këmbanë alarmi që i kujton bashkësisë ndërkombëtare dështimin e objektivave të saj për solidaritetin dhe mbrojtjen e njeriut.
Së fundi, një kërkesë e posaçme për të sqaruar dallimin ndërmjet refugjatit e emigrantit, sepse ngatërrimi i këtyre dy figurave krijon shpesh herë pengesa lidhur me të drejtën e strehimit për ata të cilët rrezikohen të riatdhesohen ndër vende ku i pret persekutimi për shkaqe politike, fetare, etnike ose të tjera si këto. Këta refugjatë, që përbëjnë një pakicë, duhen mbrojtur të parët - theksoi në përfundim vëzhguesi i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës.








All the contents on this site are copyrighted ©.