Kondolica Rajs në Irak për të kërkuar paqe ndërmjet sunitëve dhe shiitëve; NATO: status
Kosovës brenda vitit e lajme të tjera.
(05.10.06) Rritet tensioni për deklaratën e qeverisë koreanoveriore mbi kryerjen
e një prove bërthamore, së cilës nuk i dihet as data e as vendi. SHBA janë në kontakt
të drejtpërdrejtë me Piongjangun, ndërsa Japonia po ushtron presion që OKB-ja të dënojë
zyrtarisht gjestin e Koresë së Veriut.
Nuk gjen zgjidhje as kriza e ndërlikuar
bërthamore iraniane. Presidenti Ahmadinexhad ka deklaruar se është i gatshëm për bisedime,
por nuk ka ndërmend të ndërpresë planet për pasurimin e uraniumit. Bashkimi Evropian,
nëpërmjet përfaqësuesit të Politikës së Jashtme, Havier Solana, i cili ndodhet në
Romë, bën të ditur se kohët për bisedime nuk janë pa fund dhe se nëse nuk ndërpritet
programmi bërthamor iranian, do të fillojnë sanksionet. Nesër do të mblidhet në Londër
grupi 5+1, ku bëjnë pjesë SHBA, Rusia, Kina, Britanna e Madhe, Franca dhe Gjermania.
Ushtria amerikane dhe autoritetet irakiane përgënjeshtruan sot lajmin e vdekjes
së numrit një të Al Kaidës në Irak, Abu Ayyub Al Masri. Lajmi, i cili u dha edhe në
televizionin Al Arabija, pret gjithsesi konfirmimin nga analizza e ADN të një personi
të vrarë dje, gjatë një ndeshjeje me amerikanët. Ndërkaq, mbërriti sot në Irak sekretarja
amerikane e shtetit Kondolica Rajs.
Masa të mëtejshme sigurie janë marrë
sot në selinë e OKB-së në Gjenevë. Autoritetet zvicerane kanë informuar Kombet e Bashkuara
se kanë pasur kërcënime terroriste për një atentat të mundshëm ndërmjet datave 5 dhe
10 tetor.
Në Bruksel, Komisioni evropian ka miratuar masa të reja sigurie
për fluturimet ajrore. Do të kufizohet në maksimum sasia e lëngjeve që udhëtarët mund
të marrin me vete në avion. Kufizime në përmasat e të ashtuquajturit bagazh i dorës
do të hyjnë në fuqi brenda gjashtë muajve.
Ngjarja e avionit të rrëmbyer nga
turku Hakan Ekinçi shkakton debate për sigurinë në Shqipëri. Opozita akuzon mazhorancën
se në aeroportin e Rinasit nuk ka siguri dhe pretendon se plani i Ekinçit nuk është
aq i thjeshtë sa duket. Sipas të dhënave, e dashura e tij është punonjëse e Ministrisë
së Rendit. Ndërkaq, autoritetet italiane po shqyrtojnë letrën e tij drejtuar Papës
Benedikti XVI dhe e kanë akuzuar për një seri krimesh si rrëmbim avioni, pengmarrje
dhe atentat kundër sigurisë së transportit ajror.
Delegazioni i NATO-s që
ndodhet për vizitë në Prishtinë është shprehur në favor të përcaktimit të statusit
të Kosovës brenda vitit. Sipas kreut të delegacionit Karl Lamers, negoziatori Ahtisari
duhet të arrijë pa tjetër marrëveshjen deri në fund të dhjetorit, pasi mospërcaktimi
i statusit shton gjendjen e pasigurisë dhe paqëndrueshmërinë në vend.
Milo
Xhukanoviq, kryeministri 44 vjeçar malazez e ka lënë postin në favor të Ministrit
të Drejtësisë, Zheljko Sturanoviç, koleg i tij në parti. Gjithsesi ai mbetet kreu
i Partisë demokratike në pushtet dhe sipas gjasave, edhe politikani më i fuqishëm
i vendit. Në fakt, opozita e ka akuzuar se ai do të orientojë këdo që t’i marrë postin,
si të ishte marioneta e vet.