2006-10-05 16:44:58

Identiteti shpirtëror i Evropës dhe dialogu ndërmjet krishtërimit e islamit ishin sot në qendër të bisedimeve ndërmjet Benediktit XVI e presidentit austriak Fisher.


(5.10.2006 RV)RealAudioMP3 Sot – njofton një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit - Ati i Shenjtë priti në audiencë Presidentin e Republikës Federale të Austrisë, Shkëlqesinë e Tij, zotin Hainc Fisher. Gjatë bisedimeve, të zhvilluara në një atmosferë thellësisht të përzemërt e miqësore, u fol kryesisht për praninë e Kishës katolike në shoqërinë austriake. Të dyja palët shprehën kënaqësinë për marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Austrisë dhe për përkimin ekzistues mbi temën e identitetit kulturor e shpirtëror të Evropës. U prekën edhe tema me rëndësi të posaçme në rrethanat e sotme botërore, si promovimi i dialogut ndërmjet kulturave e feve, veçanërisht ndërmjet krishtërimit e islamit si dhe mospranimi i asnjë forme të terrorizmit.
Presidenti federal austriak i përsëriti Shenjtërisë së Tij ftesën zyrtare për të vizituar, vitin e ardhshëm, Shenjtëroren mariane të Mariacel, ftesë që Papa e pranoi me kënaqësi.
Pas audiencës me Atin e Shenjtë, presidenti austriak u takua me kardinalin Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij.
Hainc Fisher, 68 vjeç të dielën e ardhshme, socialdemokrat, u zgjodh president në vitin 2004 e pikërisht dje përfundoi këshillimet me partitë e ndryshme, pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës së kaluar, të fituara nga partia socialdemokrate.
Sot paradite Papa priti në audiencë edhe disa prelatë të Konferencës Ipeshkvnore të Kanadasë Perëndimore, në vizitë ‘ad Limina’, ndërsa pasdite u takua me kardinalin Ivan Dias, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.