Në audiencën e përgjithshme vijoi katekizmi i Benediktit XVI mbi figurat e Apostujve:
sot Papa foli për Bartolomeun.
(4.10.2006 RVUngjilli na paralajmëron
të ruhemi nga paragjykimet e na fton të mos kënaqemi vetëm me fjalë, por të takohemi
personalisht me Jezusin, në përmasën hyjnore e tokësore. Benedikti XVI u kthye
sot paradite nga Kastel Gandolfo në Vatikan, duke përfunduar kështu periudhën verore
që papët, sipas traditës, e kalojnë në qytezën laciale pranë portave të Romës. Për
ta pritur, në Sheshin e Shën Pjetrit ishin mbledhur 40 mijë shtegtarë e besimtarë
nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndoqën audiencën e përgjithshme. Sot Papa
u përqëndrua tek figura e Bartolomeut Apostull, duke vijuar kështu ciklin e katekizmit
të filluar nga gjysma e marsit të kaluar, kushtuar lidhjeve të ngushta ndërmjet Krishtit
e Kishës së Tij, në kuadrin e të cilit, që nga maji, nisi të fliste për jetën e dymbëdhjetë
nxënësve më afërt të Jezusit. “Zoti na befason, duke na bërë ta gjejmë atë që
kërkonim, pikërisht atje ku nuk e prisnim” - këtë u kujtoi Benedikti XVI mijëra shtegtarëve,
të cilëve u paraqiti shembullin e Shën Bartolomeut. Apostulli njihet edhe me emrin
Natanael, që do të thotë “Zoti ka dhënë”. Atë Shën Filipi Apostull e njofton se kishin
gjetur Jezusin, të birin e Jozefit nga Nazareti. Natanaeli i përgjigjet me një paragjykim:
“A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?”. E Filipi ia kthen: “Eja e shih”. Prej këndej
- tha Papa - do kuptuar se në lidhjen tonë me Jezusin nuk duhet të përqëndrohemi vetëm
tek fjalët; që ta njohim mirë, kemi nevojë për një përvojë të gjallë: “Dëshmia
e të tjerëve është sigurisht e rëndësishme, sepse si rregull, e gjithë jeta jonë e
krishterë fillon me kumtimin që vjen deri tek ne përmes veprës së një ose disa dëshmitarëve.
Por më pas duhet të jemi ne vetë që hyjmë personalisht në lidhje të ngushtë e të thellë
me Jezusin”. “Qe një izraelitas i vërtetë, në të cilin nuk ka dredhi”, brohoret
Jezusi duke takuar Natanaelin, i cili i përgjigjet: “Rabbì, ti je Biri i Hyjit! Ti
je mbreti i Izraelit!”. Kemi të bëjmë – shpjegoi Ati i Shenjtë – me pohimin e një
feje të pastër, që nxjerr në dritë përmasën e dyfishtë të Jezusit: “Nuk duhet
ta humbasim nga sytë as njërën as tjetrën nga dy përmasat, sepse po të shpallim vetëm
përmasën qiellore të Jezusit, krijohet rreziku ta bëjmë një qenie qiellore dhe të
vagëlluar; e në qoftë se, përkundrazi, pranojmë vetëm praninë e tij në histori, errësojmë
përmasën hyjnore, që e cilëson Krishtin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës”. Nuk
kemi lajme të tjera për Bartolomeun – tha Papa – duke vërejtur më pas se bashkimi
me Jezusin mund të jetohet e të dëshmohet edhe pa kryer vepra të jashtzakonshme. Në
përshëndetjet përfundimtare, Ati i Shenjtë kujtoi Shën Françeskun e Asizit, që u kremtua
sot nga Kisha katolike dhe inkurajoi pjesëmarrësit në Takimin e 50-të të shoqatave
të Radio Marisë në botë, mbledhur në Kolevalenca të Umbries. Ati i Shenjtë i uroi
të vijojnë impenjimin për përhapjen, me valët e ajrit, të mesazhit të pashterrshëm
të shëlbimit, që na dhuroi Krishti. Para fillimit të audiencës së përgjithshme,
Papa bekoi shtatoren e Shën Gjenovefës Torres Morales, vepër e skulptorit Alesandro
Romano, që më pas u vendos në një nga kamaret, në muret e jashtme të bazilikës së
Shën Pjetrit në Vatikan. Kujtojmë se Shën Gjenovefa vdiq në Saragozë të Spanjës më
5 janar të vitit 1956, ndërsa Gjon Pali II e shpalli shenjte më 4 maj 2003, duke e
ia paraqitur besimtarëve katolikë si mjet të dashurisë së Zotit për njerëzit e vetmuar,
që kanë nevojë për dashuri, për ngushëllim e për mjekim të trupit e të shpirtit”.