2006-10-03 14:10:35

55-vjetori i themelimit të Programit Shqip pranë Radio-Vatikanit.


(3.10.2006 RV) 55 vjet më parë, më 3 tetor 1951, fillonte transmetimi i parë i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe.RealAudioMP3 Është e natyrshme, prandej, që sot (në trasmetimin tonë) ta kujtojmë këtë ngarje të madhe, duke përshkuar me kujtime e me zëra 50 vjet jete kishtare, kulturore, politike e shoqërore, me gëzime e hidhërime, me arritje e humbje, gjithnjë me shpresën që buron nga Ungjilli i Krishtit.
Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligshta të Radios së Papës, e kemi ndjerë vetën të rrethuar më shumë se të gjitha programet tjera me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël! Kemi pasur e kemi gjithnjë pranë Atin e Shenjtë, që nuk ka munguar ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave; kemi ndjerë përherë praninë e Selisë së Shenjtë e, natyrisht, drejtuesit tanë, etërit jezuitë, ndërmjet të cilëve, për interesimin e tij të përhershëm e të jashtzakonshëm do të meritonte titullin "Qytetar nderi i të gjitha trojeve ku flitet shqip" drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, Atë Federiko Lombardi.
Programi Shqipi Radio Vatikanit mbush sot 55 vjet!
Është një cak i bukur! Dyzet vjet për të ndihmuar një popull e një Kishë të shtypur; pesëmbëdhjetë vjet shërbimi për rindërtimin e vështirë civil, moral e fetar të këtij populli e të kësaj Kishe.
Shqipëria,Kosova e të gjitha trevat Shqiptare kanë qenë gjithnjë në zemrën e vëmendjen papëve, që kanë pasuar njëri-tjetrin në këta dhjetvjeçarë, e ne kemi dhënë dëshminë tonë përmes fjalëve të transmetuara ditë për ditë me mjetin e brishtë, por të fuqishëm, të valëve të radios, i vetmi që edhe regjimi më i ashpër nuk mundi ta bllokonte plotësisht.
Radioja e Vatikanit është shumë krenare që mundi ta bëjë këtë shërbim në vitet më të errta të historisë së Shqipërisë, kur vendi qe deklaruar zyrtarisht si i vetmi "shtet ateist " në botë. Por e njëjta Radio dëshiron të vijojë ta shoqërojë ecjen e shqiptarëve në këtë epokë të re, në të cilën e vetmja paqe në liri, paqja politike e brëndshme e ndërkombëtare, paqja shoqërore e mbi të gjitha paqësimi i zemrave është ende detyrë që qëndron para nesh.
E bëmë këtë me impenjim krejt të posaçëm gjatë krizës së Kosovës, por dëshirojmë ta bëjmë çdo ditë, duke u frymëzuar nga mësimi i lartë i Papës, në bashkim të thellë shpirtëror me Kishën katolike të pranishme në viset e gjuhës shqipe e me të gjithë burrat e gratë veprimtarë e ndë tuesë të paqes.
Ishte shtatori i vitit 1951, 55 vjet më parë, kur Sekretaria e Shtetit të Qytetit të Vatikanit vendosi që Radioja e Papës të flasë edhe në gjuhën shqipe. Për ngritjen e programit të ri u thirr meshtari shqiptar në mërgim, Monsinjor Zef Shestani. Zëri i tij u dëgjua në valët e Radios së Papës më 3 tetor 1951, në orën 21, kur nisi transmetimi i parë i programit tonë, me temën simbolike: "Udhën e Krygjës".
Populli shqiptar asokohe përshkonte udhën e vet të kryqit nën thundrën e diktaturës komuniste. Ishte një udhë kryqi e mundimshme, reale. Dëmet që i shkaktoi fesë së Krishtit ishin nga më të rëndat që mbahen mend në historinë e Kombit shqiptar.
Në kohën kur komunizmi bëri çmos të mbyllte çdo gojë që fliste në emër të Zotit, kur u rrokullisën kumbonët nga kumbonaret e heshtën uratët në Kishat e shkallmuara, zëri i Radio-Vatikanit vijonte të niste mesazhe përtej perdes së hekurt. U çonte shqiptarëve mesazhet e Atit të Shenjtë, mesazhe ngushëllimi e durese, qëndrueshmërie e ngrohtësie vëllazërore, shprese e paqeje. Telat me gjemba që ndanin Shqipërinë nga bota, nuk munden ta ndalojnë këtë zë të hynte fshehurazi, me kujdes, si një uratë e pëshpëritur pothuajse pa zë, por me gjithë shpirt, ndër shtëpitë e atyre që besonin e shpesonin në Zotin. Selia e Shenjtë nuk i kishte harruar bijtë e vet të masakruar! Bariu i mirë nuk e largonte për asnjë çast vështrimin nga grigja në gojë të ujkut.
Në periudhën e diktaturës komunsite në Shqipëri Radio Vatikani në gjuhën shqipe u përpoq të zëvendësonte klerin e zhdukur, ta çonte zërin e Ungjillit në çdo shtëpi, t'i kthente shtëpitë në Kisha të vogla dhe prindërit, në barinj shpirtëror të fëmijëve të tyre. Për këtë flet qartë Rruzarja Shenjte, që thuhej çdo të shtunë para mikrofonit tonë nga Monsinjor Zef Shestani, Atë Danjel Gjeçaj me një grup murgeshash e laikësh e ndiqej pas telave me gjemba nga qindra besimtarë.
Monsinjor Zef Shestani, me përshpirtërinë e meshtarit dhe vetmohimin e patriotit të flakët, përballoi vështirësitë e kohëve të para dhe vuri themelet e Programit të Gjuhës Shqipe .
Më vonë thirri pranë si bashkëpunëtorë, Zef Palin, Andrea Shulin, motrën engjëllore, Luçia Laca dhe, si bashkëpunëtorë të jashtëm, Atë Danjel Gjeçajn, emëruar nga Selia e Shenjtë ‘Përfaqësues shpirtëror i shqiptarëve katolikë të mërguar’.
Në fillimet e veta, Programi i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe transmetonte tri herë në javë. Pastaj transmetimi u bë i përditshëm. Tematika fillestare ishte vetëm liturgjike-kishtare, por më më vonë u pasurua, duke përfshirë dokumentet më të rëndësishme të papës, veprimtaritë dhe shtegtimet e Atit Shenjtë, për të vijuar me veprimtaritë e Kishës katolike në trevat Shqiptare e në botë, problemet e rëndësishme të etikës, të shoqërisë, të kulturës, letërsisë e artit, parë gjithnjë në këndvështrimin ungjillor.
Në fillim rrethi i bashkëpunëtorëve vijonte të ishte tepër i ngushtë. Radioja fliste. Po ishte një monolog i gjatë. Një monolog i dhimbshëm më se 40 vjeçar. Asnjë përgjigje nga dëgjuesit! Asnjë zë nuk pipëtinte përtej telave me gjemba. Zërat shqiptarë të Radio- Vatikanit flisnin me maturi, me kujdes të madh. Një fjalë e papeshuar, e përtej perdes së hekurt fillonte një valë e re martirizimi. Po, lavdi Zotit, erdhi dita e ëndërruar. Diktatura u shemb dhe filloi bashkëbisedimi ynë me dëgjuesit, që gjithnjë më shpesh janë edhe mysafirë në programin tonë.
Deri në vitin 1988 Programin në Gjuhën Shqipe e drejtoi Monsinjor Zef Shestani. Pas këtij viti ai u largua nga mikrofoni për arsye moshe e sëmundjeje, duke e lënë drejtimin në duart e Gjon Gjomarkajt. Gjomarkaj vijoi ta drejtonte programin shqip deri në daljen e tij në pension, në vjeshtën e vitit 1992. Që nga kjo kohë, Programi i Gjuhës Shqipe pranë Radio-Vatikanit drejtohet nga meshtari kosovar, don David Gjugja. Në redaksi punojnë Katerina Nushi nga Prizrendi, Ana Luka nga Shkodra dhe Klaudia Bumçi nga Tirana.
Nuk mund të mos kujtojmë në këtë jubile edhe kolegët e tjerë, që u ulën para mikrofonit tonë në periudha të ndryshme: bashkëpunëtorët e brëndshëm, Franc Pali nga Shkodra, Engjëll Koliqi nga Kosova, Ines Angjeli Murzaku, nga Tirana dhe kohët e fundit, Arben Marku. Kujtojmë edhe bashkëpunëtorët e jashtëm, të cilët sjellin në mikrofonin tonë freskinë e ngjarjeve të jetuara nga afër ndër Kishat katolike që tashmë lartojnë Kryqin e Krishtit nga Veriu në Jug të Shqipërisë. Emrat e tyre janë të njohur nga dëgjuesit: nga kryedioqezi Metropolit i Shkodrës filluan të na flasin Pal Tedeskini e Gjovalin Stefa; vijon bashkëpunimin Jolanda Baba.
Nga kryedioqezi i Durrës-Tiranës filluam bashkëpunimin me Ferdinand Samarxhiun, me Mira Tucin e Ferdinand Ndocajn; me gazetarët e Tiranës- Aurela Nomani e Rezart Xhaxhiu - të gjithë kryesisht kumtues të ngjarjeve nga kryeqyteti;
ndërsa lidhjen me Durrësin e filluam me Entela Gjelucin, për ta vijuar deri më sot me Matish Gjelucin.
Nga Elbasani filloi të na flasë për herë të parë Esmeralda Çekrezi, e cila që nga dhjetori i 1998-tës u zevendësua nga Gjuliana Lurthi e tani nga Mariza Stratti.
Me jetën dhe veprimtarinë e Kishës katolike në Vlorë nisi të na njihte Gjon Meshi, që më pas e ndërpreu bashkëpunimin.
Radio Vatikani i përket gjithë shiptarëve, kudo që të jenë, nga Shqipëria në Kosovë, nga Arbëreshët e Italisë, tek ata të Greqisë; nga Evropa, në Amerikë e kudo gjetkë, ku flitet shqip e ku njerëzit kanë dëshirë ta dëgjojnë mesazhin e Krishtit e të papës në gjuhën amtare. Prandej para mikrofonit tonë flasin vazhdimisht edhe bashkëpunëtorët nga Kosova, Rabije Ibraj, Lekë Musolli, Zef Komani, Afrim Gjonbalaj, Augustin Paloka; nga Mali i Zi - motra Olga Dulaj; nga arbëreshët e Italisë, Alfredo Frega e Zef Chiaromonte; nga Shqiptarët e Amerikës, zëra të ndryshme që ndjekin kronikat e festave; po kështu edhe nga kishat e tjera të mërgimit, në të cilat shqiptarët katolikë nuk harrojë të mblidhen ndër ditë të mëdha për t'ia drejtuar Zotit uratën në gjuhën shqipe.
Kemi tashmë një arkiv shumë të pasur, ku në radhë të parë ruhet zëri i Papës sa herë flet për Shqipërinë e shqiptarët. Natyrisht ruajmë të gjitha fjalimet e Gjon Palit II mbajtur gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri më 25 prill 1993 e tani, zërin e Benediktit XVI. Ruajmë edhe zërat e shumicës së klerikëve shqiptarë, duke filluar nga katër ipeshkvijtë e parë të pas diktaturës: Imzot Frano Illia, Imzot Rrok Mirdita, Imzot Robert Ashta, Imzot Zef Simoni - e duke vijuar me ipeshvijtë e rinj që u vunë në krye të dioqezave e të administraturave apostolike. Vijnë pastaj meshtarët aktivë, si don Lush Gjergji; Monsinjor Lucian Agustini, don Tomë Karrica, don Gjergj Meta, don Henri Welkamp, don Marian Paloka, pa kujtuar misionarët e shumtë, e deri tek meshtarët e parë shqiptarë të mijëvjeçarit të tretë. E jo më pak - murgeshat: motër Lidia Kçira, motër Elena Motër Vitalba Motoleze e shumë të tjera.
E tashmë kemi krijuar edhe një fond mjaft të pasur me zërat e presidentëve, kryeministrave, ministrave, politikanëve, njerëzve të kulturës e të artit nga Shqipëria, Kosova e nga gjithë diaspora shqiptare. Natyrisht ruajmë të plota regjistrimet e audiencave të ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë për paraqitjen e letrave kredenciale në Vatikan, që 22 prilli 1993, kur ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, shkëlqesia e Tij Willy Kamsi i paraqiti letrat kredenciale Papës Gjon Pali II e deri më 29 shtator 2006, kur ambasadori aktual, shkëlqesia e tij, zoti Rrok Logu i paraqiti Benediktit XVI letrat kredenciale në Kastel Gandolfo.

Shfletojmë arkivin për një kronologji të shkurtër të ngjarjeve më të mëdha kishtare, ndjekur hap pas hapi nga mikrofoni ynë:
1989: vizita e parë e Nënë Terezës në Shqipëri;
1990 kremtimi meshëve të para të pas diktaturës në Shkodër (Nga Don Simon Jubani) e në Tiranë (Nga Atë Zef Pllumbi);
1991: vizita e delegacionit të parë të Selisë së Shenjtë në Shqipëri.
Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë dhe ambasade për Shqipërinë;
1993 Ambasadori i parë Willy Kamsi paraqet letrat kredenciale pak ditë para shtegtimit të Papës Gjon Pali II drejt Shqipërisë;
Rihapet seminari papnor në Shkodër;
25 prill 1993 - Papa Gjon Pali II viziton Shkodrën dhe Tiranën: gjatë vizitës i dhuron Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës.
1994 - Ati i Shenjtë krijon kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin…..
2001 - vizita "ad Limina" e ipeshkvijve të Shqipërisë ( 2 deri më 4 shkurt 2001) dhe të Kosovës në Vatikan….
… Sa shumë ngjarje, porosi mesazhe: ndërmjet tyre - mesazhi i Papës Gjon Pali II drejtuar popullit shqiptar nga katedralja e Shkodrës në ditën e paharruar të 25 prillit:
“Kjo është dita e falur prej Zotit, ditë gëzimi, e ipeshkvi i Romës erdhi ta kremtojë së bashku me ju. Ipeshkvi i Romës për shumë vjet është lutur për ju, së bashku me gjithë Kishën….. E sot Pasardhësi i Shën Pjetrit… përsërit para Jush, që jeni mbledhur këtu, para Shqipërisë, Evropës, para Kishës universale e para mbarë botës: "Përvoja juaj e vdekjes dhe e ringjalljes i përket gjithë Kishës dhe gjithë botës. Çdo njeri duhet të reflektojë rishtas mbi gjithçka lidhet me Jezusin, që u dënua me vdekje dhe u kryqëzua dymijë vjet më parë.
Duhet të reflektojë edhe mbi çka ju ngjau ju gjatë disa dhjetvjeçarëve të shekullit XX! Është e drejtë të shikosh përpara për të rindërtuar një ardhmëri të lirë, me fytyrë njerëzore, por përvoja e kaluar nuk duhet harruar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një periudhe shumë të mjerueshme… të paparë në rrjedhën e historisë…Nuk duhe harruar ç'ka ngjarë… nuk duhet harruar!”.
Po të kthehemi përsëri tek zërat tjerë të kronikës sonë:
Kardinali i parë shqiptar Mikel Koliqi na ka lënë trashëgim me zërin e tij shumë mesazhe e porosi për t’i qëndruar besnikë Krishtit e Papës.

Ruajmë disa regjistrime me zërin e së Lumes Nënë Terezë dhe gjithë kremtimin e Lumnimit të saj në Vatikan më 19 tetor 2003.
Zëri i vetëm katolik, ndërmjet dhjetra radiosh që flasin shqip, ndjek me vëmendje, shqetësim e kujdes ngjarjet e reja që sjell çdo ditë, duke u gëzuar e duke u shqetësuar me popullin shqiptar. Kështu ndoqëm ngjarjen aq të dëshiruar të shembjes së komunizmit - por edhe ngjarjet e padëshiruara të 1997-tës me pasojat e tyre shkatrrimtare; po kështu ndoqëm tragjedinë e popullit kosovar, duke hapur një program të veçantë në gjuhën shqipe e italiane, titulluar "Speciale Balcani", që nisi të transmetohej më 25 maj 1999, qysh në fillimet e tragjedisë kosovare, e përfundoi fatbardhësisht në sa binte perdja e kësaj tragjedie, më 30 tetor 1999; ndërsa vijon të lidhet ngushtë me shqetësimet e pas- luftës në Kosovë e me problemet e shqiptarëve në Maqedoni, pa e larguar kurrë vëmendjen nga mijëra shqiptarë që tashmë janë përhapur në të katër anët e botës.

Ju flet Radio-Vatikani në Gjuhën Shqipe! Ju uron paqe e të mira! Nuk është më një monolog i gjatë. Të dashur dëgjues, dëshirojmë të bashkëbisedojmë me ju, t'u përgjigjemi dëshirave tuaja, prandej na shkruani, na telefononi… që kështu të bashkojmë zërat në shërbim të një ideali tepër të lartë: Ungjillëzimit të ri të popullit shqiptar, ndërtimit të qytetërimit të dashurisë në Shqipërinë e re.
Laudetur Iesus Christus - duke lavdëruar Jezu Krishtin fillon e mbaron prej 55 vjetësh programi i Gjuhës Shqipe pranë Radio-Vatikanit, që dërgon në eter mesazhin e Birit të mishëruar të Zotit, mesazhin e paqes e të drejtësisë, të pajtimit e të amshimit, ndërsa në sfond dëgjohen tingujt e himnit simbolik: "Krishti fitoi, Krishti sundon, Krishti do të mbretërojë"!







All the contents on this site are copyrighted ©.