2006-10-02 18:34:49

Zgjedhjet në Bosnjë, në Hungari e në disa vende të botës, situata në Lindjen e Mesme.


(02.10.06 RV) Sipas rezultatit të pjesshëm të zgjedhjeve në Bosnjë-Hercegovinë, postin e presidencës myslimane të vendit e ka fituar Haris Silajxhiç, ndërsa për serbët përfaqësuesi do të jetë Nebojsha Radmanoviç. Presidenca e vendit, të ndarë në Republikën kroato-myslimane dhe atë serbe, përbëhet nga tri vetë. I treti është përfaqësuesi kroat.

Në Territoret Palestinese vazhdojnë ndeshjet me armë ndërmjet përkrahësve të Hamasit dhe atyre të Fatahut, parti të impenjuara në bisedime të vështira për formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar. Thirrjet për paqe të presidentit Abu Mazen, lider i Al Fatahut dhe i kryeministrit Ismail Haniey, eksponent i Hamasit nuk kanë pasur efektin e dëshiruar. Sot paradite iu vu zjarri selisë së qeverisë dhe ndërtesat përreth parlamentit u shndërruan në shesh beteje. Dje ndeshjet me armë shkaktuan vdekjen e 8 personave. Është nisur për në Lindjen e Mesme, sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs. Ajo ka propozuar mjete të ndërthorta për të ndihmuar Autoritetin Palestinez, të cilat kanë për qëllim të anashkalojnë integralistët e Hamasit.

Në Irak nuk ndalet spiralja e dhunës. Në Bagdad vazhdojnë të zbulohen trupa pa jetë me shenja torture. Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka gjetur 50 vetë. Gjithnjë në kryeqytet, policë të rremë kanë sekuestruar 14 vetë në një dyqan në qendër të Bagdadit. Ndërkaq, parlamenti zgjati edhe për 30 ditë të tjera pushtetin e qeverisë së emergjencës, të kryesuar nga shiiti Nouri al-Maliki.

Në Afganistan dy atentate kanë shkaktuar sot plagosjen e 6 civilëve dhe 3 ushtarëve të Forcës ndërkombëtare të Ndihmës për sigurinë (ISAF). Mbahet nesër funerali i ushtarit italian, i cili vdiq të shtunën në Romë nga plagët e marra në Kabul.

Në zgjedhjet presidenciale të ditës së djeshme në Brazil, presidenti Injacio Lula da Silva nuk kaloi dot turnin e parë elektoral. Kreu i shtetit fitoi gati 49% të votave në karahasim me 41% të rivalit socialdemokrat Geraldo Alckmin. Duke mos pasur shumicën absolute, Lula duhet të presë rezultatet e ballotazhit, që do të zhvillohet më 29 tetor.

Në kundërshtim me të gjitha parashikimet, partia socialdemokrate e Alfred Gusenbauer-it fitoi zgjedhjet në Austri, duke marrë 68 vende në parlament e duke i lënë partisë popullore të ish-kancelarit Volfgang Shysel 66 vende. Është i paevitueshëm formimi i një qeverie koalicioni.

Në Hungari, partia socialiste e kryeministrit Ferenc Gjurçani humbi rëndë zgjedhjet administrative të ditës së djeshme, duke ia kaluar 18 asamble provinciale nga 19 të mundshmet dhe 14 bashki ndër 22, partisë së djathtë të Viktor Orbanit. Rezultati është pasojë e protestave kundër qeverisë në pushtet për deklaratat e kryeministrit Gjurçani, sipas të cilave ai i ka gënjyer zgjedhësit për situatën ekonomike të vendit me qëllim që t’u merrte votat. Deri tani, Gjurçani nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Në Zambia, Komisioni Zgjedhor Qendror ka njoftuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 28 shtatorit, të cilat konfirmojnë presidentin aktual, Muanauasa. Opozita denoncon mashtrime dhe manipulime të zgjedhjeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.