Atë Bernardin Palaj OFM në 112-vjetorin e ditëlindjes.
(2.10.2006 RV) Shfletojmë kalendarin për të përkujtuar 112 vjetorin e lindjes së
Atë Bernardin Palajt, françeskan shqiptar, martir i fesë katolike, poet, foklorist,
studiues i letërsisë e i historisë së kishës, një nga figurat më të ndritura të asaj
që njihet si "shkolla letrare e fretërve". Atë Bernardini lindi më 2 tetor
1894 në një familje me origjinë nga Shllaku.. Mësimet e para dhe të mesme i mori
në shkollën françeskane në Shkodër, ku u thirr nga Zoti për rrugën e meshtarisë në
Urdhërin e Fretërve të Vegjël. Pas mbarimit të shkollës së mesme, u nis për studime
në Graz të Austrisë, ku kreu filozofinë e teologjinë dhe u shugurua meshtar. U
kthye menjëherë në Atdhe, ku filloi veprimtarinë meshtarake e kulturore, duke shërbyer
si famullitar ndër fshatrat e vendlindjes. Krahas veprimtarisë meshtarake, nisi të
mblidhte thesaret e krijimtarisë gojore të popullit, gojëdhëna, këngë, doke, zakone.
Atë Bernardinit i takon merita e pamohueshme e mbledhësit të parë të epikës legjendare
shqiptare. Është ai që, së bashku me sivëllaun, Atë Justin Rrotën, i dhuroi kulturës
shqiptare një nga brilantët më të ndritshëm: përmbledhjen e parë të Këngëve të Mujit
e të Halilit. Ishte viti 1939 kur përmbledhja “Kangë kreshnikësh e legjenda” pa për
herë të parë dritën e shtypit. Botoi shumë shkrime në shtypin klerikal të kohës,
posaçërisht në “Hyllin e Dritës” e në “Zanin e Shëna Ndout”, por edhe në gazetën “Tomori”.
Palaj ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare që më 1940. Ka botuar edhe
librat "Prej burgut të jetës"; "Vorreve të flamurit", "Kuq e zi, "Mite, besime, legjenda"
(ribotuar pak vite më parë në Kosovë); "Kanuni i maleve" etj. Si shpërblim për
të gjithë këto merita, më 1947 u burgos. Pasi u torturua mizorisht, një ditë ogurzezë
të vitit 1948 u lidh shtrëngueshëm me tel të ndryshkur, që i hapi plagë vdekjeprurëse
e u flak nën shkallët e spitalit të burgut, ku dha shpirt mes dhimbjesh të papërshkrueshme,
shkatuar nga tetanozi, si martir i fesë e dëshmor i lirisë. Ndërsa mbytej e mohohej
në atdhe, në mërgatën shqiptare për krijimtarinë e tij u interesua vazhdimisht Ernest
Koliqi, i cili botoi shumë shkrime të tij e për të, ndërsa nxiti studenten e vet,
Angela Cirincione, të botonte me koment poezitë e mrekullueshme të fratit poet, përplot
me aromën e luleve të egra të Dukagjinit e me xixëllimin e gurëve të çmueshëm, huajtur
nga eposi. Me Atë Bernardinin është marrë edhe profesor Alfred Çapaliku, i cili
ka botuar një "Monografi" të tij. Megjithatë, figura shtatlartë e fratit meriton shumë
më tepër. Ka ardhur e ka kaluar koha që ai të zërë vendin që i takon në letrat shqipe,
duke botuar edhe veprën e tij të plotë. Në vitet '30 Atë Bernardini shikohej
si poeti që do të zinte vendin e Atë Fishtës, duke sjellë një frymë të re moderne
në letrat shqipe. Në vitin 2006, vit i 112- vjetorit të ditëlindjes së tij, Atë
Bernardin Palaj OFM është një nga kandidatët shqiptarë të martirizuar nga komunizmi
për t’u lartuar në nderimet e elterit!