2006-09-30 17:08:38

Lajme nga Kisha në botë:


(1.10.2006 RV)Shtegtim shprese në zemër të Kalkutës:
Do të mbahet në Kalkutë të Indisë, nga 5 deri më 9 tetor, një takim ndërkombëtar i të rinjve: është etapë e re domethënëse e “Shtegtimit të shpresës mbi tokë”, organizuar nga bashkësitë e Tezesë. Takimi ka për qëllim t’i ndihmojë të rinjtë e Indisë e të Azisë, e jo vetëm ata, në përpjekjet për kërkimin e Zotit dhe në realizimin e dëshirës së tyre për t’u impenjuar në zemër të Kishës e të botës. Besimi e paqja do të jenë temat kryesore të takimit, që do të zhvillohet sipas stilit të Tezesë, frymëzuar nga Vëllau Rozhe.
Kujtojmë se Kalkuta zë një vend të veçantë në zemrën e shumë vëllezërve të Tezesë. Pikërisht këto ditë mbushen 30 vjet nga udhëtimi i parë i vëllaut Rozhè në Indi dhe i periudhës që jetoi pranë Nënë Terezës. Vëllau Rozhè shkoi në Indi më 1976 së bashku me një grup vëllezërish e të rinjsh, që u frymëzuan shumë nga veprimtaria e jashtzakonshme e Nënës shqiptare të të varfërve më të varfër. U kthye përsëri në shtator të vitit 1997 për salikimet e Nënë Terezës e, pavarësisht nga vdekja e Themelueses së Motrave të Bamirësisë, vijoi ta mbante lidhjen e ngushtë me misionin e saj. Prandaj takimi i afërt i të rinjve në Indi do të ketë dy pajtorë të jashtzakonshëm: Nënë Terezën e Kalkutës dhe Vëllaun Rozhé të Tezesë.


“Urojmë që ky muaj të jetë rast i përshatshëm për nisma takimi e dialogu ndërmjet bashkësive katolike e myslimane, për ta njohur më nga afër njëri-tjetrin e për t’i shërbyer më mirë paqes e drejtësisë”. Këtë nënvizojnë ipeshkvijtë francezë në një mesazh drejtuar bashkësive islamike të Francës me rastin e Ramazanit, që filloi të dielën e kaluar.

“T’i hapet rruga devocionit marian të popujve latino-amerikan e karaibikë, për të thelluar bashkimin me Krishtin e gjallë dhe lidhjen e ngushtë me Kishën e tij”. Me këtë qëllim episkopatet e Amerikës latine dhe të Karaibeve (CELAM) organizuan në Qytetin e Meksikos takimin kontinental të baritorisë mariane, që përfundoi sot pranë Shenjtërores mariane të Guadalupes, në Qytetin e Meksikos. Në kuadrin e këtij takimi u organizua edhe Kongresi teologjik i baritorisë mariane, për të thelluar e theksuar devocionin e popujve latino-amerikanë për Zojën e Bekuar e për dukjet e saj.

Pak ditë më parë një grup prej 50 fanatikësh islamikë sulmoi një kishë në provincën indoneziane perëndimore të Javës. Duke dalë si të tërbuar nga xhamia e afërt, u përpoqën ta shembnin kishën, ku ishin mbledhur të krishterët për t’u lutur. Fanatikët, të ndaluar nga policia në sa po zbulonin çatinë e kishës, nisën të kërcënonin se do të ktheheshin për ta përfunduar punën e lënë përgjysëm, gjë që shkaktoi reagimin e të krishterëve, të cilët u qetësuan vetëm pas ftesës për durim dhe sqarimit se vetëm autoritetet lokale mund të mbyllin një vend kulti.








All the contents on this site are copyrighted ©.