Shenjtorët e javës së ardhshme sipas Kalendarit kishtar:
(1.10.2006 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të dielën XXVI të kohës gjatë vitit
kishtar. Përkujtoi edhe Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore
e Kishës, pajtore e misioneve. Nesër, e hënë, do të kremtojë Festën e
Ëngjëjve Rojtës që Zoti i dërgon për të mbrojtur çdo hap tonin në rrugën e jetës.
Prania e Engjëllit Rojtës në jetën e njeriut, flet qartë për dinjitetin e tij të paprekshëm. Të
martën do të përkujtohet Shën Kandida martire. Liturgjia e festës së martires
na kujton se Jezusi e nis udhëtimin e tij përfundimtar drejt Jeruzalemit që të japë
jetën për shpëtimin e botës. Ndërsa nxënësit e tij mendojnë se ky është marshim ngadhënjimtar
për marrjen e qytetit dhe duan të përdorin forcën për kapërcimin e pengesave. Jezusi
ka arsye të plotë për t’i qortuar. Shën Françesku i Asizit, themelues i Urdhërit
françeskan, pajtor i Italisë, që do të përkujtohet të mërkurën e ardhshme,
na kujton se Zoti është e vetmja e mirë e njeriut e se Jezusi na drejton ftesën: ‘Mësoni
nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë”. Shën Françesku e ndoqi Krishtin duke ecur
nëpër këtë rrugë. Pasi i nisi dymbëdhjetë apostujt, Jezusi dërgoi edhe 75 të
tjerë, sepse të korrat ishin të begata. E kjo na kujton, të enjten e ardhshme,
në festën liturgjike të Shën Plaçidit e Maurit, nxënës të Shën Benediktit; Shën Galës,
vejushë romake dhe e Shën Marisë Faustina Kovalska, virgjër, se çdo besimtar duhet
të përpiqet për ta shtrirë mbretërinë e Hyjit kudo. Të premten e ardhshme
Kisha do të përkujtojë Shën Brunon nga Kalabria, meshtar, themelues i Çertozinëve.
Festa e tij na mëson se nuk është njëlloj ta pranosh ose të mos e pranosh Jezusin.
Në se pranojmë se Krishti është jeta, mospranimi i tij ka si pasojë vdekjen. E Ai
që nuk beson, duhet të kujtojë fjalët “Mjer ti!” të Jezusit kundër qyteteve kryengritëse. Të
shtunën do të kremtohet festa e Zojës Rruzare, e cila na frymëzon lutjen: “O
Mari, Ti që vë ndër duart tona Rruzaren shenjte, na mëso që, duke e thënë të ulur
në shkollën tënde, të bëhemi kundrues të vërtetë të Krishtit”.