Fjalimi i Shkëlqesisë së Tij, zotit Rrok Logu, Ambasador i Shqipërisë pranë Selisë
së Shenjtë, me rastin e paraqitjes së letrave kredeciale Shenjtërisë së Tij, Benediktit
XVI në Kastel Gandolfo.
(29.9.2006 RV) Atë i Shenjtë, me një ndjenjë të lartë përgjegjësie e nderimi
të thellë, jam sot përpara Shejtërisë Suaj për të dorëzuar letrat kredenciale, me
anën e të cilave Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Zoti Alfred
Moisiu, me akrediton me cilësinë e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë pranë
Selisë së Shenjtë. Është përgjegjësi e lartë për mua të përfaqësoj pranë Selisë
së Shenjtë vendin tim që, duke ruajtur karakteristikat e veta themelore, priret natyrshëm
drejt integrimit me atë pjesë të kontinentit të vjetër, me të cilën e lidh historia
e vet e lashtë, pavarësisht nga vuajtjet e gjata që po kjo histori i ka ngarkuar mbi
shpatulla Shqipërisë. Populli shqiptar, jo i madh në numër, trashëgon një nga
gjuhët më të vjetra në Europë. Duke kujtuar me dhimbje periudhen pesëshekullore të
pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, periudhë në të cilën lëvrimi i gjuhës
sanë ishte i pamundur, sepse ishte shenjë e mbijetesës së kombit, kujtojmë me gëzim
edhe faktin se në këtë periudhë historike liturgjia katolike u bë shenjtërorja e ruajtjes
dhe e zhvillimit të fjalës shqipe. Fjalët e para të shqipes së shkruar që njohim deri
më sot janë: Unë po të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit te Shenjtë.
Ky thesar i madh që i la kombit tonë Arqipeshkvi i Durrësit, Imzot Palë Engjëlli rreth
550 vjet me parë, e nderon Kishën Katolike në Shqipëri dhe, duke zhvilluar misionin
e saj të shërbimit shpirtëror në këtë gjuhë, kisha do ta meritojë vazhdimisht këtë
nderim historik. Atë i Shenjtë, me kënaqësi mund të shpreh mirënjohjen e thellë
të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare jo vetëm për historinë e lavdishme të kishës
katolike në Shqipëri, por edhe për angazhimin e saj aktual për promovimin e vlerave
të larta shpirtërore, për zbutjen e varfërisë si edhe për promovimin dhe zhvillimin
e vlerave intelektuale. Në rrugën e tij të gjatë historike, populli im është përshkuar
nga dallgë të mëdha vuajtjesh, që ka shkaktuar egoizmi njërëzor, në kryqëzimet kohore
e hapsinore, në të cilat ai është gjendur. Por, më e fortë se fuqia shkatërruese e
këtyre dallgëve, ka qenë dashuria e Hyut për Shqipërinë dhe Shqiptarët, që ka gjetur
gjithmonë instrumentat e vet, që sot të kemi Shqipëri. Kanë qenë disa herë paraardhësit
Tuaj, Atë i Shenjtë, të cilët kanë luajtur një rol përcaktues për të ardhmen e Shqipërisë,
në favor të aspiratave të popullit të saj dhe kjo është një ndër arsyet që populli
im ka një nderim të madh për Selinë e Shenjtë dhe për Ju, Shejtëri. Hyu, dukë
zgjedhur ndër shqiptarë gruan që Ju, Atë i Shenjtë, e keni quajtur simbolin e dashurisë
njerëzore, na ka dhënë ne shqiptarëve një tjetër shenjë të dukshme se ai nuk na harron
ne dashurinë e Tij. Martirët tanë, e veçanarisht, klerikët katolikë të periudhës
së tiranisë komuniste, mbeten një dëshmi e fuqishme e besnikërisë ndaj dashurisë së
Zotit, shenjë e dashurisë për të vërtetën dhe e gatishmërisë për t'i shërbyer asaj
deri me flijimin e vetvetes, gjë që dëshmon një pasuri shpirtërore të pamohueshme
të popullit tonë. Populli Shqiptar edhe pse jo me shumicë katolike, ka një nderim
të madh për Selinë e Shenjtë dhe për Ju, Atë i Shenjtë, sepse ai i lexon, i kupton
dhe i nderon vlerat e mëdha që Ju mbroni dhe promovoni në botë. Një shenjë e besimit
që ka populli shqiptar në marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë ishte edhe votimi i ligjit
aplikativ në mbështetje të marrëveshjes për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta
ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë në vitin 2005, që gëzoi mbështetjen
e të gjithë deputetëve të pranishëm, pa dallim përkatësie politike apo fetare. Me
miratimin e këtij ligji, që i njeh zotësin, juridike enteve të Kishës Katolike në
Shqipëri, marrëveshja për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta bëhet plotsisht
e vetëzbatushme, gjë të cilën po e tregon edhe pervoja e përditshme, e kjo e bën normale
situatën juridike të funksionimit të Kishës Katolike. Duke e konsideruar tani
si një përvojë plotësimin e kuadrit ligjor të marrëdhënieve me Kishën Katolike, Shteti
Shqiptar po punon intensivisht dhe seriozisht per të kompletuar marrëdhëniet juridike
edhe me komunitetet e tjera fetare në Shqipëri. Gjithashtu, qeveria aktuale e Shqipërisë
është e angazhuar fuqimisht për zgjidhjen më të shpejtë e përfundimtare të një problemi
shumë të rëndësishëm, si për Kishën Katolike, ashtu dhe për komunitetet e tjera fetare
tradicionale, Komuniteti Musliman Shqiptar, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë,
Komuniteti Bektashian i Shqipërisë, që është ai i kthimit dhe kompensimit të pronave
të konfiskuara nga regjimi komunist. Në historinë e tij të gjatë, vendi im, (pa
dashjen e shqiptarve) është bërë pjesë e sistemeve politico-shoqërore të mëdha, gjë
e cila ka lënë gjurmët e veta te dukshme. Sot populli shqiptar, dëshiron të bashkojë
sistemin e vet politico-shoqëror me një sistem të madh, atë të Bashkimit Europian.
Kjo dëshirë nuk shpreh vetëm prirjen për një jetë ekonomike më të mirë, por diçka
më shumë e më të rëndësishme, prirjen e natyrshme drejt vlerave te demokracisë evropiane.
Sa më të shpejtë të jenë hapat drejt realizimit të kësaj dëshire, aq më i shpejtë
do të jetë edhe tejkalimi i dramës së familjeve tona të ndara për shkak të emigracionit
dhe aq më energjike, do të jetë shoqëria shqiptare në gjirin e shoqërisë europiane.
Në këtë aspiratë të madhe historike populli im sheh te Selia e Shenjtë përkrahësin
e vet të madh, sepse këtu si askund tjetër flitet e kuptohet sipas gjuhës së dashurisë.
Nënë Tereza, bijë e gjakut tonë, ka thënë "... populli shqiptar ka nevojë për shumë
dashuri". I përballur me vështirësitë jo të vogla, që dalin në procesin e reformave
të mëdha e të gjithanshme për integrimin në Europë, vështirësi që vijnë nga mbartje
të trashëguara, vendit tim i duhet të përballet dhe me një vështirësi të madhe, atë
të efekteve të një imazhi negativ, ireal e të padrejtë, që është përçuar nganjëherë
në qarqet ndërkombëtare. Në këto rrethana nuk mund të mos gjejmë mbështetje dhe mirënjohje
në thënien tuaj: "Liria e opinionit ndeshet me këtë kufi: ajo nuk mund të shkatërrojë
nderin dhe dinjitetin e tjetrit, nuk është liri për të gënjyer e për të fshirë të
drejtat njerëzore." [La liberta di opinione trova pero il suo limite in questo:che
non puo distruggere l'onore e la dignita dell altro,non e liberta di mentire e di
cancellare i diritti umani"(Sensa Radici,fq 70).] Atë i Shenjtë, populli shqiptar,
me një përbërje multifetare, karakterizohet nga një bashkëjetesë shembullore. Këtë
cilësi, që vjen si traditë e pandërprerë, ai e ruan si një gjë të çmuar. Sot,
Shqipëria në sajë të politikave rajonale që ndjek, është hërë faktor i rëndësishëm
paqeje në rajonin tonë. Shteti Shqiptar është i angazhuar fuqimisht që këtë rot në
Ballkan ta çojë edhe më përpara si në marrdhëniet ndërshtëtërore, ashtu dhe në luftën
pa kompromis të dukurive të krimit të organizuar e të terrorizmit. Atë i Shenjtë,
duke Ju siguruar se do të vë të gjitha forcat e mia në shërbim të detyrës së lartë
që më është ngarkuar, shpreh besimin e plotë se do t'i ndjejmë mbështetjen e lutjeve
dhe të ndihmës Suaj, për të mirën e popullit shqiptar. Duke Ju uruar paqe, jetë
e shëndet, për të mirën e njerëzimit mbarë, Ju lutem, Shejtëri, pranoni letrat kredenciale
qe po Ju paraqes dhe nderimet më të thella të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.