2006-09-28 16:36:00

Bashkësia kishtare lutet për kryeipeshkvin Milingo, pas shkishërimit latae sententiae.


(28.9.2006 RV)Bashkësia kishtare vijon të shpresojë se kryeipeshkvi Emanuel Milingo, kohët e fundit në qendër të vëmendjes të opiniot publik, do ta rishikojë situatën në të cilën ndodhet dhe do të kthehet përsëri në rrugë të drejtë.
Kisha e ka pritur me dhimbje të thellë vendimin e kryeipeshkvit Milingo për t’iu kundërvënë bashkimit kishtar, duke shuguruar ipeshkvij 4 meshtarë, pa mandatin e nevojshëm papnor. Shugurimi, i pavlefshëm, që u bë më 24 shtatorin e kaluar në Uashington, pati si pasojë shkishërimit “latae sententiae” ose, thënë shqip, përjashtimin e menjëhershëm nga rradhët e bashkimit kishtar të kryeipeshkvit dhe të 4 meshtarëve. Por të dëgjojmë kardinalin Hosè Saraiva Martins, prefeket i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve:

Përgjigje: - Ishte një fakt vërtetë i dhimbshëm e Kisha nuk mund të vepronte ndryshe. Kisha ka qenë gjithnjë nënë për të: natyrisht nëna që i do të bijtë, është nënë jo vetëm kur i ledhaton, por edhe kur i dënon. Gjithsesi nëna mbetet gjithnjë nënë. Uroj që kjo masë e Kishës për kryeipeshkvin Milingo ta shtyjë për ta rishikuar gjendjen në cilën ndodhet. Në të vërtetë ndodhet në një gjendje anormale, tepër të trishtuar. Sidoqoftë, mendoj se ne katolikët s’kemi ç’të bëjmë tjetër, veçse ta lusim Zotin që ky vëlla të pendohet e të bëjë kthesë.

Pyetje: - Ju mendoni se ka ende mundësi që imzot Milingo të pendohet…

Përgjigje: - Për Zotin gjithçka është e mundur. Por natyrisht varet edhe nga vullneti i njeriut, që duhet të bashkëpunojë me Zotin. Po të nisemi nga mendimi se lutja është e kotë e po të besojmë se jemi në rrugë të drejtë, atëherë është e qartë se çështja nuk ka të bëjë me Zotin, me Kishën, por me vetë njeriun, që i ka veshët të shurdhër për zërin e Zotit, për zërin e Kishës e për zërin e vëllezërve. Ja, ky është urimi im personal: që ai të pendohet. Ne ndërkaq të lutemi për të.








All the contents on this site are copyrighted ©.