2006-09-26 18:06:40

“Turizmi krijon mundësi për shkëmbime kulturore e shpirtërore ndërmjet popujve”: mesazhi i Papës për Ditën botërore të turizmit.


(26.9.2006 RV)Turizmi është fenomen i praktikuar nga miliona familje, prandaj ka të bëjë drejtpërdrejtë ose tërthorazi, me të gjitha fushat e jetës njerëzore. Vitet e fundit flitet shumë për turizmin masiv, në qëndër të vëmendjes së punës baritore të Kishës, e cila e konsideron edhe si rast për pasurimin njerëzor e shpirtëror. Pikërisht këtë koncept ripohon e zhvillon Benedikti XVI në mesazhin e dërguar pak ditë më parë në emër të Tij nga kardinali Angelo Sodano, në sa ishte akoma Sekretar i Shtetit të Vatikanit, për Ditën e 27-të botërore të turizmit, që do të kremtohet nesër.
“Turizmi pasuron” është tema e Ditës botërore të turizmit 2006, e folja ‘pasuron’ mund të shpjegohet në mënyra të ndryshme, që të gjitha me vlerë. Mund të themi, pra, se turizmi pasuron jo vetëm financat e vendeve të ndryshme, ku veprimtaritë turistike ndërkombëtare janë limfë jetike për ekonominë, por ndikon fuqimisht edhe mbi politikën, mbi kulturën, mbi artin e deri mbi ekologjinë. E, natyrisht, ka një rëndësi të veçantë edhe për pasurimin e ndjenjave fetare të njerëzve.
Këto vlera ka parasysh Papa në reflektimin e tij, përmes të cilit thekson se në mikpritjen reciproke ndërmjet të zotit të shtëpisë e mikut, shikon shkëmbimin e pasurive të tokës e të kulturës, që e bëjnë bashkëjetesën njerëzore më vëllazërore e më solidare.
Turizmi nuk duhet parë thjeshtë në aspektin ekonomik ose material: ai duhet parë si burim i harmonisë ndërmjet popujve - nënvizon Papa – dhe shton se 40-vjet më parë Koncili II i Vatikanit pati uruar që koha e lirë, gjithnjë në rritje në krahasim me kohën e zënë me punë, të shfrytëzohet për të çlodhur shpirtin e për të forcuar shëndetin e trupit përmes shtegtimeve ndër vende të tjera, në saje të të cilave – nënvizonte Koncili- shpirti i njeriut përsoset.
Në fillim të shekullit të 21-të, për Benediktin XVI pohimi i etërve konciliarë ka fituar një forcë të re. Shtegtimi - thekson Ati i Shenjtë -e pasuron shpirtin e njeriut, kur niset për të zbuluar të renë e shtyhet nga dëshira për të njohur përgjigjet që i kanë dhënë të tjerët pyetjeve të mëdha mbi jetën njerëzore. Turizmi – vijon Papa – mund të shprehë dëshirën e njeriut për t’i hapur vetes horizonte të reja, duke u bërë mbartës i qytetërimit dhe i së mirës. Në se shmangen improvizimi dhe cektësia – përfundon mesazhi papnor – turizmi mund të bëhet një burim tjetër shumë i frytshëm i pasurimit të vërtetë të njerëzimit. Përmes tij njerëz e kultura shkëmbejnë vlerat e dijes e të mirëqenies, të drejtësisë e të lirisë, të bukurisë e të paqes, që i japin kuptim të vërtetë jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.