Sot Kisha katolike përkujtoi shenjtorët martirë, Kozma e Damiani.
(26.9.2006 RV)Kozma e Damiani lindën në Egjea, e pikërisht në Cilicí, studiuan
mjekësi në Siri e u martirizuan në Çiro nën perandorin Dioklecian. Gjithë jetën ia
kushtuan mjekimit të të sëmurëve, pa kërkuar asnjë shpërblim. Prej këndej u quajtën
anàgiri, fjalë greke që do të thotë të punosh pa shpërblim. E përdorën mjekimin e
të sëmurëve si mjet të rëndësishëm të apostullimit të krishterë. E pikërisht gjatë
këtij apostullimi, në vitin 303 u kapën, u torturuan dhe u martirizuan, së bashku
me shumë të krishterë, të cilëve u kishin shëruar korpin e shpirtin. Iu pre koka në
Çiro, ku edhe u varrosën. Për nder të tyre qyteti i Çiros pati ngritur që në shekullin
IV një bazilikë madhështore, së cilës iu shtua tempulli i ndërtuar nga perandori
Justinian, si shenjë mirënjohjeje për shërimin nga një sëmundje vdekjeprurëse me
ndërmjetësinë e dy martirëve. Me sa duket 26 shtatori, dita e përkujtimit të shenjtorëve,
përkon me shugurimim e bazilikës romake që mban emrin e tyre, ngritur nga Feliçi IV
(525-530). Kulti i Shënjtorëve u përhap me shpejtësi të jashtzakonshme në të gjitha
qytetet kryesore të perandorisë, ku nisën të kalojnë nga goja në gojë mrekullitë që
kishin bërë. E kudo: që nga Kostandinopoja, në Bullgari, Greqi, Jeruzalem e më pas
në gjithë botën perëndimore, duke filluar nga Roma – u ngritën Kisha e kuvende të
njohura me emrin e vëllezërve mjekë e martirë. Kështu historia e vërtetë e jetës
së tyre nisi të merrte më shumë karakterin e gojëdhënës. Një gjë e dimë me siguri:
Shën Kozma e Damiani donin t'i përngjisnin Jezusit: prandaj edhe u martirizuan e prandaj
shëruan trupin e njerëzve që u drejtoheshin për ndërmjetësim, për t'u kthyer atyre
dinjitetin e bijve të Hyjit! Ikonografia e tyre është jashtzakonisht e pasur,
sidomos në Itali, Francë e Gjermani, ku jetën e dy shenjtorëve e ilustruan artistë
si i Lumi Angjeliko, Filipo Lipi e Sandro Botiçeli. Ndër figure paraqiten me palmë
e me instrumentat e kirurgut.