2006-09-23 17:27:26

Lajme nga Kisha në botë.


(24.9.2006 R.V.)Imzot Vu Qinjing, ipeshkvi i Zhuzhi në Kinë, arrestuar më 11 shtator, u lirua më 16 të muajit në vijim, pas pesë ditë burgimi. Sipas qeverisë së Pekinit, është shuguruar ilegalisht.
Ilegalisht për qeveritarët kinezë do të thotë ‘pa lejën e tyre’, prandaj edhe i vunë prangat, duke u detyruar ta lirojnë pas sensibilizimit të mbarë botës nga agjensia AziaNjuz, e cila sqaroi: “Prelatin e detyruan me dhunë të pranojë se shugurimi i tij është ilegal e se nuk do t’ i përdorë kurrë më gjatë kremtimeve veshjet liturgjike dhe mitrën e ipeshkvit katolik”. U la i lirë vetëm pas këtij pohimi, për t’u shtruar menjëherë në spital, për shkak të një goditjeje në tru, pasojë e torturave që iu bënë në burg. E kjo nuk është hera e parë që arrestohet, në sa urojmë të jetë e fundit e të mos pengohet më të kryejë misionin e tij ipeshkvnor.

Në shtetin indian të Gujaratit, pas tri vjet debatesh e ndeshjesh politike e ligjore, u miratua ligji që i quan të paligjshme kthimet nga feja induiste në çfarëdo feje tjetër. Kisha vendase deklaron se do t’i kundërvihet ligjit.
“Së bashku me ipeshkvijtë e Gujaratit – njoftoi përmes agjensisë AziaNjuz imzot Stanislaus Fernandez, sekretar i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore indiane – do të shkojmë te governatori për t’i kërkuar të mos e lejojë zbatimin e një ligji kaq drakonian, adoptuar që në vitin 2003, por që deri tani ka mbetur vetëm në letër. E kjo sepse ligji vë në shënjestër sidomos kthimet nga feja indù në fenë e krishterë, nga të cilat ka më shumë frikë qeveria vendase. Kujtojmë se gjëja e parë që duhet të bëjë një indù i cili dëshiron të kthehet në fenë e krishterë, është të njoftojë gjykatësin e zonës. Për Imzot Fernandez “është poshtëruese që autoritetet civile të kenë të drejtën të japin gjykime për fenë e individëve”.

Nga 4 deri më 8 tetor, për herë të parë në histori, në Rusi, e pikërisht në qytetin e Shën Pieterburgut, do të mblidhen kryetarët e 34 konferencave ipeshkvnore katolike të Evropës.
Takimi do të organizohet me ftesë të Jozef Verth, kryetar i ipeshkvijve katolikë të Federatës ruse, si shprehje nderimi për vendin mikpritës dhe shenjë bashkimi me të gjithë të krishterët që jetojnë në këto troje. Me këtë rast Asambleja plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) do të zgjedhë kryesinë e re të organizmit për pesëvjeçarin 2006-2011 si dhe kryetarët e Komisionit ipeshkvnor evropian për Mediat (CEEM), të Komisionit baritor të emigracionit, të Komisionit “Katekizmi, shkolla, universitetit” dhe të Komisionit “Shërbimi evropian për thirrjet meshtarake”. Në qëndër të vëmendjes do të jetë reflektimi për shërbimin e kryer gjatë 35 vjetëve nga CCEE dhe për sfidat e së ardhmes që kanë të bëjnë me ungjillëzimin.

Shpresohet të bëhen hapa konkrete përpara në dialogun teologjik, që ka rifilluar në Beograd ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse.
Në Beograd vijojnë punimet e Sesionit të nëntë plenar të Komisionit të përbërë ndërkombëtar për dialogun ndërmjet Kishës katolike e asaj ortodokse. Dialogohet rreth temës ‘Teologjia e bashkimit’. Pjesëmarrësit po përballojnë dy çështje themelore për ecjen drejt bashkimit të dy kishave: çështjen e parisë së Ipeshkvit të Romës dhe atë të ‘uniatizmit’, dmth të kishave lindore që kanë mbetur në bashkim me Romën. Takimi, që do të përfundojë më 25 shtator, shënon rifillimin e dialogut ndërmjet dy kishave, pas tetë vjet ndërprerjeje.












All the contents on this site are copyrighted ©.