Papa porositë anëtarët e plenares së Këshillit Papnor të Laikëve: Eukaristia të jetë
në qendër të përtëritjes së famullive.
(22.9.06 RV) Përtëritja e jetës famullitare të ketë Eukaristinë në qëndër të
bashkimit të anëtarëve të saj e të solidaritetit për të tjerët: me këto fjalë iu drejtua
Benedikti XVI anëtarëve të Plenares së Këshillit Papnor për Laikët, duke i pritur
sot në Vatikan. Sot Papa Benedikti XVI priti në audiencë, në Vatikan, anëtarët
dhe këshilltarët e Këshillit Papnor për Laikët, punimet e Mbledhjes plenare të të
cilit me temë: “Famullia e rigjetur: rrugët për ripërtritje”, filluan dje në Romë.
Ati i Shenjtë i përshëndeti përzemërsisht mysafirët, duke vlerësuar në mënyrë
të veçantë pjesëmarrjen e besimtarëve laikë në shërbimin që Këshilli i bën Selisë
së Shën Pjetrit dhe Kishës katolike të përhapur në mbarë botën. Benedikti XVI
shpjegoi se që gjatë viteve të shërbimit të tij pranë Kuries Romake, e aq më tepër
tani, ka pasur rastin ta njohë nga afër rëndësinë në rritje të Këshillit Papnor për
Laikët. Në vijim kujtoi se ka kryesuar dy veprimtari të rëndësishme, organizuar nga
dikasteri: Ditën Botërore të Rinisë, mbajtur në Këln në gushtin e kaluar dhe takimin,
në Sheshin e Shën Pjetrit, natën e Rrëshajëve të këtij viti, në të cilin morën pjesë
përfaqësues të më se njëqind lëvizjeve kishtare si dhe bashkësitë e reja. Kujtoi më
pas edhe Kongresin latino-amerikan të këtyre lëvizjeve dhe bashkësive, organizuar
nga ky Këshill Papnor në bashkëpunim me CELAMIN në Bogotà më 9 deri më 12 mars 2006,
në prag të Konferencës V të përgjithshme të Episkopatit latino-amerikan. Ati i
Shenjtë theksoi se natyra teologjike dhe baritore e bashkësisë famullitare, shqyrtuar
në Asamblenë e kaluar plenare të dikasterit, nuk mund të veçohet nga këndvështrimi
operativ, prandaj e vlerësoi temën: “Famullia e rigjetur: rrugët për ripërtritje”,
rreth së cilës po diskutohet në asamble. E për ta kuptuar drejtë natyrën e bashkësisë
së krishterë, dmth të çdo famullie, Papa kujtoi fjalët e Shën Lukës Ungjilltar nga
“Veprat e Apostujve”, ku përshkruhet bashkësia e parë e Jeruzalemit, gjithnjë e kujdesshme
në përvetësimin e mësimit të Apostujve, në ndarjen e bukës e në uratë, një bashkësi
besimtarësh në përkim të plotë, ku gjithçka ishte e përbashkët ( cfr 2,42; 4,32-35). Famullia
– vijoi të shpjegonte Ati i Shenjtë – mund ta rijetojë këtë përvojë në se lutet vazhdimisht,
në se dëgjon Fjalën e Zotit e posaçërisht, në se merr pjesë në Eukaristinë e kryesuar
nga meshtari. Më pas Benedikti XVI kujtoi fjalët e Gjon Palit II në Enciklikën ‘Ecclesia
de Eucharistia’: “Famullia është bashkësi e të pagëzuarve, që e shprehin dhe e afirmojnë
identitetin e tyre posaçërisht përmes kremtimit të Flijimit eukaristik”. Prej këndej
– theksoi Papa : “Përtëritja e dëshiruar e famullisë nuk mund të realizohet
vetëm me nisma, sado të nevojshme, baritore, aq më pak me programe të hartuara në
tavolinë. Famullia mund ta gjejë vetveten vetëm duke u frymëzuar nga modeli apostolik,
ashtu si e shikojmë në “Veprat e Apostujve”. Famullia e rigjen vetveten në takimin
me Krishtin, posaçërisht në Eukaristi. E ushqyer me bukën eukaristike, ajo rritet
në gjirin e bashkësië katolike, ecën me besnikëri të plotë ndaj magjisterit dhe është
gjithnjë gati të zgjedhë karizmat e ndryshme që dikon Zoti në Popullin e vet". Në
përfundim Papa uroi që punimet e Asamblesë të kontribuojnë për t’i bërë laikët gjithnjë
më të vetëdijshëm për misionin e tyre në Kishë.