2006-09-22 19:01:37

Papa do të takojë të hënën ambasadorët e vendeve me shumicë myslimane për të rinxitur dialogun me Islamin.


(22.9.06 RV) Sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi një Komunikatë për takimin në Kastel Gandolfo, ku do të marrin pjesë bashkësitë myslimane dhe ambasadorët e vendeve myslimane pranë Selisë së Shenjtë.
Të hënën, më 25 shtator, në orën 11. 45 – shkruhet në Komunikatë - Ati i Shenjtë do të presë në Kastel Gandolfo kardinalin Pol Pupard, Kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe disa përfaqësues të bashkësive myslimane në Itali.
Në takim janë ftuar të marrin pjesë edhe ambasadorët e vendeve me shumicë myslimane, të akredituar pranë Selisë së Shenjtë.
Pra takimi, që do të fillojë në orën 11. 45, në të cilin do të jetë i pranishëm edhe kardinali Pol Pupard, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, do t’i kushtohet tërësisht urgjencës së sotme të dialogut ndërmjet kulturave e feve të mbarë botës, siç ka pohuar Papa Benedikti XVI. Takimi organizohet pas sqarimeve të përsëritura të Atit të Shenjtë lidhur me fjalimin e tij mbajtur në Universitetin e Regensburgut, përmes të cilit deshi të shpjegonte se nuk janë feja e dhuna që shkojnë krahpërkrah, por feja e arsyeja, fjalim që në botën islamike u keqkuptua, duke shkaktuar reagime të fuqishme.
Kujtojmë se pas deklaratës së sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone dhe lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Benedikti XVI ripohoi respektin e tij të thellë për myslimanët, që adhurojnë të vetmin Zot e me të cilët Kisha impenjohet të mbrojë e të promovojë së bashku, për të gjithë njerëzit, drejtësinë shoqërore, vlerat morale, paqen e lirinë. Tani Papa shpreh besimin se, pas reagimeve të çastit të parë, fjalët e tij në Universitetin e Regensburgut mund të shërbejnë si shtytje e inkurajim për një dialog pozitiv, edhe autokritik, si ndërmjet feve, ashtu edhe ndërmjet arsyes moderne e fesë së të krishterëve. Ky është edhe qëllimi i takimit të së hënës.







All the contents on this site are copyrighted ©.