Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme flet për nderim e respekt ndaj Islamit;
kërkon ndërtimin e një dialogu të arsyeshëm e autokritik, pa dhunë dhe kujton shtegtimin
në Bavari.
(20.9.2006 RV)Sot në audiencën e përgjithshme, kushtuar shtegtimit të tij apostolik
në Bavari, Papa Benedikti XVI, duke folur me nderim dhe respekt për Islamin, u shpreh
për një dialog ndërtues, por edhe autokritik, që i vë vlerat e paqes e të drejtësisë
mbi çdo formë të dhunës. Benedikti XVI ripohoi respektin e tij të thellë për fetë
e mëdha e, posaçërisht, për myslimanët, me të cilët Kisha impenjohet të mbrojë e të
promovojë së bashku, për të gjithë njerëzit, drejtësinë shoqërore, vlerat morale,
paqen e lirinë. Ky është një nga fragmentet kryesore të fjalimit që mbajti sot paradite
Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, lidhur me
reagimin e botës islamike kundër fjalimit të tij të mbajtur në Universitetin e Regensburgut
më 12 shtatorin e kaluar. Por e gjithë audienca iu kushtua kujtimeve të shtegtimit
apostolik të Papës në Bavari që – siç theksoi Ati i Shenjtë - ishte një rast i përshtatshëm
për të kryer detyrën, për të shpallur Krishtin “pa zbutje, në mënyrë të plotë e të
qartë”. Krishtërimi dhe Islami mund të dialogojnë në mënyrë pozitive, sepse kanë
për zemër të njëjtat vlera që formojnë arkitraun e bashkëjetesës njerëzore: paqen,
drejtësinë, lirinë. E aq më mirë, pastaj, në se ky dialog arrin të jetë edhe autokritik,
në se në të mbizotëron respekti reciprok dhe të qenët i arsyeshëm, që duhet të udhëheqë
në transmetimin e fesë, larg çdo forme të dhunës. Para 40 mijë besimtarëve e i ndjekur
me vëmendje të veçantë nga telekamerat ndërkombëtare, ndërmjet të cilave edhe tv-ja
arabe Al Xhazira, Benedikti XVI u kthye simbolikisht pranë vendeve dhe njerëzve që
i mbetën në kujtesë gjatë shtegtimit të tij apostolik në Bavari, duke theksuar në
mënyrë të veçantë, shkallëzimin e zemrimit në botën islamike, të nesërmën e fjalimit
të tij në Universitetin e Regensburgut. Ky leksion, i mbajtur në universitetin
e tij të vjetër, Benediktit XVI i ka mbetur në kujtesë si një përvojë posaçërisht
e bukur. Vendosa të flas për lidhjen ndërmjet fesë dhe arsyes – tha Papa - duke
dhënë sot shpjegime më të plota, se ato që dha të dielën në lutjen e Engjëllit të
Tënzot, dhe shtoi: - Kemi të bëjmë me një argument tepër dramatik e aktual që, gjatë
leksionit, preku edhe nyjën e lidhjes ndërmjet fesë e dhunës, përmes citimit tashmë
të njohur të dialogut islamo-kristian të shekullit XV, protagonist i të cilit është
perandori bizantin Manueli II Paleolog: “Ky citim, mjerisht, shërbeu
për lindjen e një keqkuptimi. Për lexuesin e vëmendshëm të tekstit tim, është e qartë
se unë nuk desha në asnjë mënyrë të bëj të miat fjalët negative, shqiptuar nga perandori
mesjetar në këtë dialog e se përmbajtja e tyre polemike nuk shpreh bindjet e mia personale.
Qëllimi im ishte krejt i ndryshëm: duke u nisur nga ajo që Manueli II e thotë më pas
në mënyrë pozitive, me një fjalë shumë të bukur lidhur me të qenët të arsyeshëm që
duhet të prijë në transmetimin e fesë, desha të shpjegoj se nuk janë feja e dhuna
që shkojnë krahpërkrah, por feja e arsyeja”. Mendova të flas për marrëdhëniet
ndërmjet fesë dhe arsyes – vërejti në vijim Papa – në përkim me rrethanat, dmth me
misionin e Universitetit, e jo i shtyrë nga ndonjë qëllim tjetër: “Desha
të bëj ftesë për dialogun e fesë së krishterë me botën moderne e për dialogun e të
gjitha kulturave e feve. Shpresoj se në raste të ndryshme të vizitës sime – për shembull,
kur në Munih nënvizova sesa rëndësi ka të respektosh atë që është e shenjtë për të
tjerët – u duk qartë respekti i thellë për fetë e mëdha dhe, në veçanti, për myslimanët,
që adhurojnë një Zot të vetëm e me të cilët impenjohemi të mbrojmë e të promovojmë
së bashku, për të gjithë njerëzit, drejtësinë shoqërore, vlerat morale, paqen e lirinë”.Këtë ftesë për dialog, që e bëri nga Universiteti i Regensburgut, Papa e përsëriti
edhe sot me forcë ndërmjet shtyllave të Berninit, duke e ripropozuar me këmbëngulje
në gjuhën angleze, frënge, gjermane, spanjolle e polake e duke e shoqëruar me një
urim, që vlen edhe si ftesë për çtensionim: “Besoj, pra, se pas reagimevee të
çastit të parë, fjalët e mia në Universitetin e Regensburgut mund të shërbejnë si
shtytje e inkurajim për një dialog pozitiv, edhe autokritik, si ndërmjet feve, ashtu
edhe ndërmjet arsyes moderne e fesë së të krishterëve”. Turma e miratoi me
duartrokitje të vazhdueshme shpjegimin e Benediktit XVI për një ngjarje që ka përshkuar
Planetin nga një skaj në tjetrin në një mënyrë të paparashikuar. Por për Papën audienca
e sotme e përgjithshme ishte kryesisht rast për të përmbledhur vlerat kishtare të
shtegtimit të tij bavarez. Posaçërisht, nënvizoi Ati i Shenjtë: “U kujtova
të gjithëve se kur është fjala për të dëgjuar zërin e Zotit, ekziston një farë shurdhërie,
nga e cila vuan posaçërisht koha jonë. Eshtë detyra e të krishterëve në botën e shekullarizuar,
t’ua shpallin e t’ua dëshmojnë të gjithëve mesazhin e shpresës, që na dhuron feja:
‘Në Jezusin e kryqëzuar, Ati i mëshirshëm na bën thirrje të jemi bijtë e tij dhe ta
kapërcejmë çdo formë urrejtjeje e dhune, për të kontribuar në fitoren përfundimtare
të dashurisë”.Është një detyrë që Papa e nxiti edhe në nivel ekumenik gjatë kremtimit
të Lutjeve mbrëmësore në katedralen e Regensburgut, bashkëkremtuar me përfaqësuesit
e luteranëve e të ortodoksëve: “Ishte providencial rasti për t’u lutur së bashku,
që të shpejtohet bashkimi i plotë ndërmjet të gjithë nxënësve të Jezu Krishtit e të
ripohohet detyra e shpalljes së fesë sonë në Jezu Krishtin pa zbutje, por në mënyrë
të plotë e të qartë e sidomos në sjelljen tonë me dashuri të sinqertë”. Përshëndetjet
përfundimtare – para rrotullimit të zakonshëm të gjatë të Benediktit XVI ndërmjet
shtegtarëve – iu kushtuan, veç të tjerave, rebelimit shoqëror e politik që ka shpërthyer
këto ditë në Hungari. “Me shqetësim – tha Ati i Shenjtë duke iu drejtuar shtegtarëve
hungarezë – ndjek lajmet që arrijnë nga vendi evropian. I lutem Zotit që të gjitha
palët të gjejnë rrugëzgjidhje të drejtë e paqësore”. Një përshëndetje të posaçme Benedikti
XVI u drejtoi Misionareve Karmelitane dhe Kongregatave të Zemrave të Krishtit e të
Zojës, të mbledhura në kapitujt përkatës të përgjithshëm si dhe disa grupeve të tjera
të shtegtarëve, ardhur nga të katër anët e botës.