2006-09-19 18:28:35

Nga mbarë bota, shprehje solidariteti me Papën, pas saktësimeve lidhur me domethënien e fjalëve mbi Islamin shqiptuar në Regensburg. Shqetësim për kërcëime të Al Kaedës.


(19.9. 06 RV) Shprehje të shumta solidariteti ndaj Papës kanë ardhur në Vatikan
nga mbarë bota, pas saktësimeve, bërë nga vet Ati i Shenjtë të dielën gjatë Lutjës së Engjëllit të Tenzot, lidhur me domethënien e sakt të fjalëve mbi Islamin, shqiptuar më 12 shtator në Universitetin e Regensburgut. Ndërkohë, thirrjes për moderim arritur nga disa qarqe mysulmane, në veçanti nga Indonezia e Jordania, dje i janë shtuar qëndrimet e kundërta të Al Kaedës me kërcime ndaj Vatikanit e të krishtërve.
Fjalim për dialogun ndërmjet fesë dhe arsyes: imzot Tomazi flet në OKB-në e Gjenevës mbi Lectio Magistralis të Benediktit XVI në Regensburg.
Imzot Silvano Maria Tomazi, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së në Gjenevë, gjatë fjalimit që mbajti në Sesionin e dytë të Këshillit për të Drejtat e Njeriut, u përqëndrua plotësisht tek leksioni i Benediktit XVI mbi fenë dhe arsyen, duke theksuar impenjimin e Atit të Shenjtë për dialogun ndërmjet feve dhe kundërvënien ndaj çdo formne të dhunës.
Fjalimi i Papës duhet vendosur në perspektivën e drejtë të frymës paqësore e të dialogut ndërtues – theksoi imzot Tomazi, i cili në vijim shpjegoi kuptimin e tij të vërtetë. Duke njohur aspektet pozitive bashkëkohore – pohoi prelati – Papa dëshiron të zgjërojë horizontin e arsyes, me qëllim që të përfshijë përmasën e fesë e, që këtu, të fillojë një dialog universal të bazuar mbi arsyen. E këtë e bën – vijoi të theksonte Imzot Tomazi – për të mbrojtur vlerën e kulturave fetare të njerëzimit, duke përfshirë këtu edhe Islamin. Më pas prelati u ndalua tek fjalët e Perandorit bizantin, cituar nga Papa, duke shpjeguar se qëllimi i këtij citimi ishte të nënvizonte se “dhuna është gjithnjë e paarsyeshme dhe e papajtueshme” me natyrën e Hyjit. E kjo vlen për të gjithë besimtarët, natyrisht edhe për të krishterët e myslimanët. Nga ana tjetër vëzhguesi i Vatikanit kujtoi se vetë Papa ka pohuar se pjesa e cituar nuk shpreh në asnjë mënyrë mendimet e tij personale. Imzot Tomazi shtoi edhe se teksti i Papës duhet lexuar i tëri. Të çudit fakti – vërejti prelati - se manifestistimet nisën para se fjalimi i Atit të Shenjtë të përkthehej në gjuhët e njerëzve që manifestonin. Kjo të bind se manifestimet bazoheshin thjeshtë tek titujt e artikujve kryesorë të botuar në mjetet e komunikimit, mjete që duhet ta pranojnë përgjegjësinë e tyre. Në përfundim prelati i nxiti besimtarët t’i njohin më mirë fetë e kulturat e tjera dhe i ftoi të gjithë njerëzit vullnetmirë të punojnë për dialogun e vërtetë dhe për ardhmërinë e paqes.
Edhe sot bota islamike vijoi t’i kundërshtonte fjalët e Papës, ndërsa primati i bashkimit anglikan, kryeipeshkvi i Kanterbërit, Rovan Villiams, e vlerësoi fjalimin e Papës në Regnbsburg si shumë pozitiv në perspektivën e dialogut.
Presidenti iranian Ahmadinexhad pranoi se fjalët e Papës janë keqinterpretuar dhe pohoi se e respekton Benediktin XVI.
Sot pasdite në Kampidolio, në Romë u organizua një takim ndërfetar, në të cilin ishin të pranishëm kardinali Pol Pupoard, Kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, Kryerabini i Romës Rikardo Di Senji dhe Imami i Xhamisë së Romës, Sami Salemi.
Ndërkaq flitet jo vetëm për reagimet e botës islamike, por edhe për ato të Perëndimit. Stefan Fontana, drejtor i Vrojtuesit Nërkombëtar kardinal Van Thuan mbi Doktrinën Shoqërore të Kishës – sipas Agjensisë SIR – deklaroi se e çudit heshtja e kryetarëve të shteteve dhe e intelektualëve të kombeve demokratike, të cilët gjejnë tek katolicizmi e tek krishterimi, një nga elementet themelore të qytetërimit të tyre. Perëndimi – vijoi ai – nuk ka guxim - përveç ndonjë rasti të veçantë – të mbrojë lirinë e shprehjes, të cilën tashmë nuk ia mohon askujt.
Për të na dhënë një mendim mbi këtë qëndrim të Perëndimit, intervistuam historianin Ernesto Galli della Logjia, editorialist i gazetës së mirënjohur italiane “Corriere della Sera”:

 
Përgjigje: - Të paktë janë të indinjuarit, sepse prej kohe Perëndimi është mësuar me kriterin e dy peshave e të dy masave. Prej vitesh jemi mësuar të mbajmë një qëndrim të druajtur, gati-gati të nënshtruar përballë të gjitha qëndrimeve që shprehin ndonjë mendim kundër Perëndimit. Por kjo nuk duhet të na çojë deri atje, sa të pranojmë manifestime dhune e agresiviteti.

Pyetje: - A mund të themi se në këtë çast ligështie, ndoshta Kisha dhe Papa – e konkretisht Benedikti XVI, janë tepër të fortë, gjë që edhe mund t’i shkaktojë bezdi ndokujt?

Përgjigje: - Nuk besoj se kjo ka të bëjë me forcën, në sa mendoj se ka të bëjë me cilësinë dhe përmbajtjen e mesazhit, i cili na fton të gjithëve të arsyetojmë, të meditojmë për gjërat e rëndësishme që kanë të bëjnë me të kaluarën e të gjithë besimtarëve e të jo besimtarëve. Prandaj mendoj se fjalimit të Papës i duhet kushtuar një vëmendje shumë më e madhe se ajo që i është kushtuar deri tani.







All the contents on this site are copyrighted ©.