Reflektimi i imzot Paglias mbi fjalet e Papës gjatë Lutjës së Engjellit të Tënzot
(18.9.2006 RV) Në lutjen e djeshme Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI ripohoi
impenjimin e tij të bindur për “dialog të lirshëm e të sinqertë” me besimtarët myslimanë.
Për një reflektim mbi fjalët dhe mbi kuptimin e vërtetë të fjalimit mbajtur nga Ati
i Shenjtë në Universitetin e Regensburgut, ftuam në mikrofonin e Radios sonë, imzot
Vinçenco Palian, ipeshkëv i Terni-Narni-Amelias dhe kryetar i Komisionit Ipeshkvnor
për ekumenizmin dhe dialogun pranë Konferencës Ipeshkvnore Italiane: Përgjigje:-
Që nga dita e parë e papnisë së Tij, Papa Benedikti XVI nënvizoi domosdoshmërinë e
dialogut dhe të takimit me të gjithë, madje nënvizoi me forcë të veçantë mënyrat e
zhvillimit të këtij dialogu, dmth se nuk është e mundur të dialogohet, duke përjashtuar
përmasën e kulturës. Kur thotë “të lirshëm e të sinqertë”, nuk bën një pohim diplomacie
apo mirësjelleje; shkon shumë më thellë, në thelb të atij që duhet të jetë dialog.
E prandaj mua më duket përparim, në krahasim me perspektivat, që tashmë e kanë bërë
një hap të madh përpara. Pyetje: - Ja, imzot Palia, në fjalimin e tij në
Universitetin e Regensburgut, për të cilin po flitet kaq shumë, por që ndoshta pak
e kanë lexuar plotësisht, Papa mbron me pasion arsyen, një arsye që nuk e përjashton
Zotin. Kjo thirrje e Atit të Shenjtë i drejtohet kryesisht Perëndimit... Përgjigje:
- Pikërisht! Nuk duhet të harrojmë se Papa i fliste Evropës, e Papa e di ç’do
të thotë t’i flasësh një publiku e jo një tjetri. Papa u kujtoi një gjë: atyre që
mendojnë të ngrenë një shoqëri pa Zot, pra një arsye pa fe, atyre u kujtoi se në
fund të fundit e mbysin edhe vetë arsyen, mbysin njeriun. Besimtarëve u përsëriti:
kini mendjen! Edhe feja ka nevojë të ushqehet, e edhe të thumbohet – në se më lejohet
ta them – nga arsyeja. Përndryshe feja do të zhvleftësohej, do të binte në mirakolizëm.
Tema që Papa e ka vënë në qendër të fjalimit të Regensburgut, është vendimtare: feja
pa arsye bëhet një lloj nju ejxh-i, bëhet fanatizëm; një arsye pa fe bëhet intolerancë
dhe totalitarizëm i padurueshëm. Pyetje: - Gjithnjë në Regensburg, Papa
ripohoi se asnjë fe nuk mund ta pranojë dhunën. Duke pasur parasysh këtë temë themelore,
cilat janë perspektivat në dialogun me Islamin e, në përgjithësi, me të gjitha fetë
e tjera? Përgjigje: - Me që Papa do vërtetë që bota të jetë në paqe e nuk
e ka ndër mend të bëjë vetëm thirrje moralistike, nënvizon se dhuna është gjithnjë
e paarsyeshme e nuk mund të jetë e lidhur asnjëherë me përmasën fetare, përkundrazi:
impenjimi i nevojshëm për një dialog të lirshëm e të sinqertë është ai, që i shtyn
fetë të mos solidarizohen me dhunën. Bota ka nevojë të arsyetojë e jo të hedhë bomba
e të ndezë konflikte. Pyetje: - Benedikti XVI në Regensburg mbajti një fjalim
shumë të thellë e të rrjedhshëm. Mjetet e komunikimit e katandisën në “Spot”: sipas
jush, a ndikuan edhe mjetet e komunikimit për t’i trazuar shpirtërat? Përgjigje:
- Është një përgjegjësi e pamasë, sepse kemi të bëjmë me një fjalim jo të lehtë
për t’u kuptuar e, kur shkëputet një frazë nga konteksti, pa dhënë gjithë tekstin,
kjo mund të kthehet në një veprim vërtetë të rrezikshëm. E unë besoj se duhet të jetë
një përgjegjësi e madhe për atë që është caktuar t’i transmetojë e jo t’i shtrembërojë
idetë, duke e karikaturizuar kështu një fjalim të thellë, të cilin të gjithë duhet
ta kuptojmë e ta pranojmë, se na bën mirë!