2006-09-18 17:08:09

Në Engjëllin e Tënzot, Papa shprehu keqardhjen e thellë për reagimet që shkaktuan fjalët e tij në Regensburg, të cilat myslimanët i quajtën fyese.


(18.9.2006 RV)Dje në mesditë, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo, Benedikti XVI shprehu keqardhjen e thellë për reagimet e shkaktuara nga një fragment i shkurtër i fjalimit të tij në Regensburg, “i cili u konsiderua fyes për ndjeshmërinë e besimtarëve myslimanë”, por që në të vërtetë donte të ishte ftesë për dialog dhe respekt reciprok. Në vijim Ati i Shenjtë uroi që të paqtohen shpirtërat e acaruara. Më pas foli për shtegtimin e tij në Bavari, duke e quajtur përvojë të fuqishme shpirtërore, ndërsa Kryqin, simbol të Dashurisë që fiton mbi urrejtjen e mbi dhunën dhe lind jetën e pamort.
Papa u prit me një ngrohtësi të jashtzakonshme në takimin e djeshëm të Engjëllit të Tënzot: shtegtarët e shumtë, që kishin mbushur plot oborrin e Kastel Gandolfos, pa marrë parasysh shiun e rrëmbyer, i shprehën gjithë dashurinë e tyre Vikarit të Krishtit, i cili e ndërpreu disa herë fjalimin, duke shprehur keqardhjen për besimtarët, që vijonin ta ndiqnin me të njëjtin entuziazëm, nën rrebeshin e shiut:
“Bie shi, por ne jemi të fortë, apo jo? Më vjen keq për juve, për këtë shi… por ujët është edhe shenjë e Shpirtit Shenjt”.
Pasi foli shkurtimisht për udhëtimin e tij të fundit në Bavari, të cilin e quajti përvojë të fuqishme personale e për të cilin do të flasë më gjërësisht të mërkurën e ardhshme, në audiencën e përgjithshme, Papa u ndal tek polemikat që shkaktoi leksioni i tij, mbajtur në Universitetin e Regensburgut:
“Jam thellësisht i hidhëruar për reagimet që ngjalli një fragment i shkurtër i fjalimit tim në Universitetin e Regensburgut, i cili u quajt fyes për ndjenjat e besimtarëve myslimanë, ndërsa është fjala për një citim të shkëputur nga një tekst mesjetar, që nuk shpreh në asnjë mënyrë mendimin tim personal. Dje Zoti kardinal Sekretar i Shtetit bëri publike, për këtë qëllim, një deklaratë, përmes së cilës shpjegoi kuptimin e vërtetë të fjalëve të mia. Shpresoj se kjo do të vlejë për t’i qetësuar shpirtrat e për të sqaruar domethënien e vërtetë të fjalimit tim, i cili në tërësi ishte dhe është ftesë për dialog të hapur e të sinqertë, me respekt të madh reciprok”.
Më pas Papa foli për dy festa të rëndësishme liturgjike, kremtuar nga Kisha javën e kaluar: Festën e Naltimit të Krygjës dhe përkujtimin e Zojës së Dhimbshme. Ç’kuptim ka – pyeti Ati i Shenjtë – ta naltosh kryqin? Thua s’është shkandull të nderosh një mjet çnderues vdekjeje? Por, siç thotë Shën Pali Apostull – shtoi Benedikti XVI – “Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, shkandull për judenjtë, çmenduri për pagantë”.
“Veç duhet pasur parasysh se të krishterët nuk naltojnë një kryq çfaretdo, por atë Kryq të cilin Krishti e shenjtëroi me flijimin e vet, fryt e dëshmi e dashurisë që s’njeh masë. Krishti mbi kryq derdhi gjithë gjakun e vet për ta çliruar njerëzimin nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Prandaj, nga shenjë mallkimi, Kryqi u shndërrua në shenjë bekimi; nga simbol i vdekjes, në vetë simbolin e dashurisë, që e mund urrejtjen e dhunën dhe lind jetën e pamort. ‘O Crux, ave spes unica! O Kryq, të falem, ty, e vetmja shpresë!” . Kështu këndon liturgjia”.
Në vijim Papa i ftoi besimtarët të bashkohen shpirtërisht me Zojën e Dhimbshme e t’i thonë përsëri “po” Zotit që zgjodhi udhën e Kryqit për të na shëlbuar:
“Është një mister i madh që vijon akoma, deri në fund të fundit të botës e që na kërkon të bashkëpunojmë. Maria na ndihmoftë ta marrim çdo ditë kryqin tonë e ta ndjekim besnikërisht Jezusin në rrugën e bindjes, të flijimit e të dashurisë”.
Duke iu drejtuar shtegtarëve gjermanë, Ati i Shenjtë citoi fragmentin nga Libri i Izaisë profet, pjesë e liturgjisë të së dielës: “Zoti do të më ndihmojë. Kjo siguri duhet të përcaktojë mendimin tonë e veprimin tonë, sepse edhe në çastet e errëta, mund të mbështetemi gjithnjë në ndihmën e Zotit. Ai, me mëshirën e tij, i plotëson veprat tona të mira dhe u jep vlerë për amshim”.
Së fundi, i prekur nga shtegtarët, që s’ pushonin së duartrokituri, Papa u drejtoi përshëndetjen përfundimtare, jashtë tekstit zyrtar:
“Ju falënderoj ju të gjithëve. Më jepni zemër!".RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.