2006-09-18 17:09:42

Benedikti XVI ambasadorit austriak: vlerat e krishtera të përbashkëta, bazë për ndërtimin e një bashkësie të të drejtave.


(18.9.2006 RV)“Në asnjë vend tjetër të botës, historia e kultura nuk e kanë vulën e krishtërimit, si në Evropë”.Ky është një nga pohimet kryesore në fjalimin që Benedikti XVI i drejtoi ambasadorit të ri austriak pranë Selisë së Shenjtë, Martin Bolldorf, të cilin e priti sot paradite në Kastel Gandolfo për paraqitjen e letrave kredenciale. Papa foli për temën e rrënjëve të krishtera të Kontinentit, duke e lidhur ngusht me problematikën e bashkimit evropian.
Rruga drejt bashkimit evropian është akoma e gjatë – vërejti Benedikti XVI – e shumë varet – shtoi Ati i Shenjtë – nga besimi i qytetarëve në këtë projekt. Më pas Papa foli për procesin e zgjërimit të Evropës, të cilin e shikoi duke u nisur nga një e dhënë e pamohueshme shpirtërore: Burimet më të thella të një “tëre” evropiane - tha Papa - gjinden në bindjet e përbashkëta dhe në vlerat e historisë e të traditës së krishterë dhe humaniste të kontinentit. Pa bashkimin e vërtetë të vlerave – vërejti në vijim Shenjtëria e Tij - nuk mund të ndërtohet asnjë bashkim i besueshëm të drejtash. E këtu Papa solli shembullin e Austrisë, një nga shtetet i cili mund të japë një kontribut të madh në impenjimin për respektimin dhe mbrojtjen kudo e kurdoherë të të drejtave e të dinjitetit të paprekshëm të njeriut, të krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit dhe të pozicionit të familjes, si bërthamë e shoqërisë në Evropë. E – shtoi Papa – edhe në impenjimin që Evropa, në procesin e nevojshëm të vetafirmimit, t’i lartojë sytë nga Zoti, krijues i jetës, në të cilin gjinden së bashku drejtësia e dashuria. Duke vënë në qëndër të gjithësisë njeriun e krijuar nga Zoti – reflektoi Benedikti XVI – veprimtaria shoqërore dhe politika vihen në shërbim të të mirës së vërtetë të njeriut, interesat dhe dinjiteti i të cilit nuk duhet t’i nënshtrohen kurrë parametrave të mundësisë, të dobisë e të prodhimtarisë.
Atje ku njerëzit dhe popujt e konsiderojnë njëri-tjetrin si anëtarë të së njëjtës familje – tha në përfundim Ati i Shenjtë – krijohen mundësi gjithnjë më të mëdha për ruajtjen e paqes, për solidaritetin dhe për shkëmbimin reciprok të pasurive.









All the contents on this site are copyrighted ©.