Lajme nga Kisha në botë. Më 11 shtator në Kinë u arrestua ipeshkvi i Zhouzhi, Imzot
Martin Vu Qinjing.
(17.9.06. RV) Megjithë presionet e Pekinit, prelati kishte kremtuar një Meshë
solemne, duke mbajtur në kokë kësulën ipeshkvnore e në gisht, unazën baritore, simbol
i dukshëm i besnikërisë ndaj Papës e Selisë së Shenjtë. Rreth orës 10 të darkës
së 11 shtatorit- sipas njoftimit të agjensisë PIME, që shfrytëzon një burim vendas,
30 policë kapërcyen murin e banesës së prelatit dhe e arrestuan, pa kurrfarë akuze.
Për të hapur rrugën, policia keqtrajtoi edhe një meshtar 80 vjeç e disa murgesha. Kujtojmë
se prelati është shuguruar në tetor 2005 nga ipeshkvi i ndjerë i Xianit, imzot Li
Duan, në kundërshtim me dëshirën e qeverisë, që dëshironte një ipeshkëv tjetër. Prandaj
nuk është hera e parë që keqtrajtohet nga qeveria, e cila ka bërë çmos ta largojë
nga misioni i tij. Ky trajtim që i bëhet – komenton agjensia AziaNjuz – është i denjë
për terroristët e i bën të qajnë njerëzit që duan paqen. Prandaj AziaNjuz i fton të
gjithë besimtarët të luten për kthimin e shpejtë të ipeshkvit kinez në dioqezen e
tij, ku e presin 60 mijë katolikë. Dioqeza ka 200 kisha, 54 meshtarë, 120 seminaristë
e 208 murgesha.
“Udhëheqësit fetarë janë prijës të ndërgjegjes të njerëzve”.
Këtë pohoi kardinali Etçegarai, kryetar nderi i Këshillave Papnore ‘Drejtësi e Paqe’
dhe ‘Cor Unum’, me rastin e Kongresit II të udhëheqësve fetarë botëror e tradicionalë,
që përfundoi të mërkurën e kaluar në Astana të Kazakistanit. Qëllimi i takimit,
në të cilin morën pjesë përfaqësues të Krishtërimit, të Islamit, të Hebraizmit, të
Budizmit, të Taoizmit e të Shintoizmit, ishte për të krijuar një kanal të përhershëm
dialogu, për të forcuar sigurinë ndërkombëtare e për të pasuruar kontributin e feve
për paqen dhe bashkëjetesën e shoqërive të sotme shumetnike e shumfetare.
Atë
Saad Syrup Hanna, meshtar kaldè i Bagdadit, u lirua të hënën e kaluar pas një
muaji sekuestrimi në Irak.“Zoti ishte me mua” – tregoi meshtari, që po përgatitej
të nisej për të vijuar studimet në Romë me ndihmën e Lëvizjes “Ndihmë për Kishën që
vuan”. Në vijim i fali ata që e sekuestruan dhe i falënderoi besimtarët nga e gjithë
bota që u lutën për lirimin e tij.