2006-09-12 19:54:11

Në Regensburg Papa lutet së bashku me luterantët e ortodoksët dhe i fton: “Ta dëshmojmë fenë, ‘që bota të besojë”.


(12.9.2006 RV) Pas takimit me botën akademike, Papa u largua nga Universiteti, për të vizituar katedralen gotike-romanike të Shën Pjetrit, ndërtimi i së cilës, nisur në vitin e largët 1274, zgjati 250 vjet, deri në vitin 1450. Katedralja njihet në mbarë botën për korin e zërave të bardha me emrin ‘Harabelat e Katedrales”, drejtuar për njëzet vjet me radhë nga vëllau i Papës, Georg Racinger.
Këtu Benedikti XVI kremtoi Lutjet ekumenike mbrëmësore, në praninë e përfaqësuesve të bashkësive të ndryshme kishtare të Bavarisë: të Kishës luterane, të asaj ortodokse, anëtarët e Komisionit Ekumenik të Konferencës Ipeshkvnore gjermane e të bashkësive të tjera të krishtera. Në homelinë e rastit u ndalua tek fragmenti i shkëputur nga Letra e parë e Shën Gjonit: “Kush dëshmon se Jezusi është Biri i Hyjit, Hyji mbetet në të dhe ai në Hyjin”, për të pohuar se ajo që i dallon të krishterët është feja e tyre, besimi në faktin se Jezusi është Biri i mishëruar i Zotit e se përmes Tij lidhemi me Hyjin. Në epokën e takimeve shumfetare – nënvizoi Papa – nuk është e vështirë të tundohemi për ta zbutur sadopak këtë pohim qëndror, madje edhe për ta fshehur. Por me këtë nuk i shërbejmë as takimit e as dialogut. Me këtë e bëjmë Zotin më pak të kuptueshëm për të tjerët e edhe për vetveten tonë. Është e rëndësishme që ta vemë plotësisht e jo vetëm pjesërisht, në diskutim figurën e Hyjit. E për këtë aftësohemi vetëm duke rritur e duke thelluar bashkimin tonë personal me Krishtin dhe dashurinë tonë për Të.
Feja duhet të bëhet dëshmi e dëshmitari i Krishtit duhet ta japë dëshminë me gjithë jetën e tij, me jetën e me vdekjen. Të jesh dëshmitar i Jezu Krishtit do të thotë, sidomos, të jesh dëshmitar i një mënyre të caktuar jete. Në një botë përplot me trazira, ne duhet të japim përsëri dëshminë e orientimeve që i kemi të qarta në Jezu Krishtin e që e bëjnë jetën vërtetë jetë. - Kështu u shpreh Papa Racinger dhe në përfundim u drejtoi të pranishmëve ftesën: “Ta dëshmojmë fenë tonë, që të bëhet e dukshme si forcë e dashurisë; e kështu bota të besojë!”.
Kremtimi përfundoi me himnin “Christus Vincit, me tingujt e të cilit Papa u largua nga katedralja, për t’u rikthyer, rreth orës 19.30, në Seminarin e Madh të Shën Volfgangut.Ditën e pestë Papa do ta fillojë në Regensburg, ku do të bekojë organon e re në Alte Kapelle, kushtuar Zojës së Bekuar. Më pas do të shkojë në shtëpinë e të vëllaut, monsinjor George Racinger e në varrezën e Ziegetsdorfit. Por për t’u njohur nga afër me veprimtaritë e kësaj dite, e parafundit e vizitës së Papës në Bavari, ju ftojmë të na ndiqni nesër përmes Radios dhe faqes sonë të internetit në adresën: dubël vë, dubël vë, dubël vë.radiovaticana.org







All the contents on this site are copyrighted ©.