2006-09-12 18:09:15

Benedikti XVI nga Regensburgu në festë, kërkon që fytyra njerëzore e Zotit të kundrohet larg urrejtjes e fanatizmit.


(12.9.2006 RV)“Pa Zotin njeriut nuk i dalin llogaritë!”. Në Meshën e kryesuar në Regensburg , Benedikti XVI i ftoi besimtarët të kundrojnë fytyrën njerëzore të Hyjit, duke iu kundërvënë çdo lloj fanatizmi ose spekulimi intelektual.
Pasdite – takimi me profesorët dhe shkencëtarët e universitetit të qytetit dhe lutja ekumenike me ortodoksët e luteranët.
Një shtegtim, që është festë në fe, por që njëkohësisht i nxit besimtarët t’i bëjnë vetes pyetjen në çka besojnë. I pritur me gëzim dhe emocion të jashtzakonshëm, sot paradite Benedikti XVI vijoi, në Meshën e kryesuar në sheshin Islinger Feld, katekizmin që po e shoqëron gjithë shtegtimin e tij apostolik në Bavari. Nga zemra mariane e Altöttingut, në qytetin e Regensburgut, një nga qëndrat industriale e teknologjike të Gjermanisë jugore, ku ndërmjet viteve 1969-1971 ka qenë profesor universiteti, Papa vijoi sot shtegtimin shpirtëror, duke mbajtur një homeli përmes së cilës kujtoi me forcë epërsinë e Zotit, në një botë që provon të bëjë edhe pa Të, sepse parapëlqen spekulimet intelektuale ose fanatizmin.
“Sot, që i njohim patologjitë dhe sëmundjet vdekjeprurëse të religjonit e të arsyes, shkatërrimet e figurës së Zotit për shkak të urrejtejes e të fanatizmit, është me rëndësi të dorës së parë ta themi qartë cilit Zot i besojmë e ta shpallim me bindje këtë fytyrë njerëzore të Zotit” – Kështu u shpreh Benedikti XVI gjatë Meshës së kremtuar në Islinger Feld, që populli tashmë e ka pagëzuar me emrin “Papstwiese” – “Livadhi i Papës”. Të pranishëm - 300 mijë vetë, shumë prej të cilëve e kishin kaluar natën në livadh.
“Zoti është mirësi – tha Papa – nuk na lë të ecim nëpër terr; na do deri në atë pikë, sa ta lërë veten ta gozhdojnë mbi kryq, për t’i mbartur vuajtjet e njerëzimit deri në zemër të vet. Ta shpallësh Krishtin – shtoi Ati i Shenjtë – do të thotë të çlirohesh nga frika e Zotit, ndjenjë nga e cila, në fund të fundit, lindi ateizmi modern. Të besosh është e arsyeshme. Që nga iluminizmi – kujtoi Ati i Shenjtë – të paktën një pjesë e shkencës impenjohet në kërkimin e një shpjegimi të botës, në të cilin Zoti bëhet i tepërt.
***
“Por llogaritë mbi njeriun pa Zot nuk dalin, e as llogaritë mbi botën, mbi gjithësinë e pafund, pa Zotin, nuk dalin!”.
Në alternativën ndërmjet Arsyes krijuese ose Irracionalitetit që, jashtë çdo arsyeje, çuditërisht prodhon një kozmos të rregulluar matematikisht, si rezultat i evolucionit, ne të krishterët besojmë në “Hyjin Atë, Krijuesin e Qiellit e të Tokës”. “Besojmë – tha Papa – se në zanafillë është Fjala e amshuar, Arsyeja, jo Irracionaliteti”.
Duartrokitje:
“Të besosh është e thjeshtë. Feja është gëzimi i bashkimit të të gjithëve në festë. Kush beson, nuk është kurrë i vetëm – theksoi Papa – duke përsëritur moton e shtegtimit të tij në Bavari – dhe shtoi:
“Po, kush beson nuk është kurrë vetëm. Vjen e e takon vetë Zoti. Të ecim edhe ne drejt Zotit e të shkojmë kështu në takimin me njëri-tjetrin. Të mos e lëmë të vetëm, përsa na lejojnë forcat tona, asnjë nga bijtë e Zotit”.
Kështu u shpreh Ati i Shenjtë dhe në vijim theksoi se fe do të thotë të besosh në Gjyqin e Mbram, i cili nuk duhet të shkaktojë frikë. Të besosh në gjykimin e Zotit, do të thotë të besosh në fitoren e së drejtës, në lidhjen e shumë fragmenteve të historisë, që duken pa kuptim, për t’i bashkuar kështu në një të tërë, në të cilën sundojnë vërtetësia e dashuria.
“Thua nuk dëshirojmë të gjithë që një ditë të dalë në shesh e drejta për të gjithë ata që janë dënuar padrejtësisht, për ata që kanë vuajtur gjatë e që pastaj, pas një jete plot dhimbje, janë gëlltitur nga vdekja? Thua nuk dëshirojmë të marrë fund padrejtësia e vuajtja që shikojmë në histori, që të gjithë të mbushen me gëzim e gjithçka të marrë kuptim?”.Feja – shtoi Papa, nuk duhet të ngjallë frikë; ajo është thirrje për ta jetuar jetën me përgjegjësi. Nuk duhet ta shpërdorojmë jetën tonë, të abuzojmë me të, e as ta mbajmë vetëm për vete; përballë padrejtësisë, nuk duhet të bëhemi bashkëpunëtorë ose bashkëfajtorë. Duhet ta kuptojmë plotësisht misionin tonë në histori e të përpiqemi t’i përgjigjemi sa më mirë .RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.