2006-09-11 18:18:22

Dje pasdite Gjenova, në Itali, u përshëndet me kryeipeshkvin e vet, kardinalin Tarçizio Bertone.


(11.9.2006 RV)Që nga data 15 shtator kryeipeshkvi Bertone do të jetë sekretar i Shtetit të Vatikanit. Në meshën solemne, kremtuar në katedralen e Shën Lorencit, ishin mbledhur shumë besimtarë, që i shprehën kardinalit mirënjohjen e tyre.
Ishte një shkëmbim prekës ndjenjash ndërmjet tashmë ish-kryeipeshkvit dhe besimtarëve, që ishin aq të shumtë, sa një pjesë u detyrua ta ndiqte kremtimin përmes ekraneve të mëdha, vendosur jashtë katedrales, e cila me këtë rast ishte stolisur me lulet mitike të San Remos: trimijë karafilë të bardhë, ngjyrë portokalli, të kuq e ngjyrë trëndafili. Ishte një skenë e denjë për ngjarjen, në të cilën kryeipeshkvi Bertone kujtoi rolin e rëndësishëm që luan Gjenova në Kishën italiane e në historinë e ardhme të vendit. I ftoi, pastaj, besimtarët të jenë dëshmitarë të gëzimit e të fesë edhe në mjediset e jetës së përditshme. Duke kujtuar ngjarje të spikatura të dioqezës, sidomos misionet e saj në botë, kardinali nuk e fshehu emocionin e, gati i përlotur, tha: “Më kujtoni mua, Tarçizin!”, duke dëshmuar kështu se e deshi fort vendin, nga i cili po largohet. Për t’u kujtuar – procesioni që i parapriu Meshës, në krye të të cilit ishin një numër i madh fëmijësh me flamujtë e vendeve të botës dhe portreti i Zojës së Bekuar, Mbretëreshës së Qytetit, dhuratë e besimtarëve, që kardinali Bertone ka premtuar se do ta vendosë në zyrën e tij të re të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit. E tani Gjenova pret, me të njëjtën dashuri, kryeipeshkvin e ri, imzot Banjaskon.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.